LAJMI I FUNDIT:

OECD: Ekonomia botërore rritet me 3.9%

OECD: Ekonomia botërore rritet me 3.9%

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ka rritur projeksionet për ekonominë globale për këtë vit si dhe vitin 2019, por paralajmëroi gjithashtu mbi rrezikun e proteksionizmit tregtar. Organizata projekton një rritje të ekonomisë globale me 3.9 për qind në vitin 2018 dhe 2019, krahasuar me 3.7 për qind që vlerësonte më parë, prej rritjes së investimeve private, fuqizimit të tregtisë dhe përmirësimit të besimit të ekonomive familjare dhe bizneseve.

Megjithatë, Organizata paralajmëroi se kundërpërgjigja e vendeve ndaj tarifave mbi çelikun dhe aluminin të vendosura nga administrata e Trump, mund të dëmtojë këtë performancë.


Sipas raportit, ekonomia botërore po rritet tashmë në normën mesatare historike, por këto projeksione janë bazuar në shfrytëzimin e investimeve më të mëdha dhe tregtisë, pa marrë në konsideratë barrierat tregtare.

Organizata me seli në Paris, thotë se rritja e tarifave mes SHBA dhe partnerëve tregtare, do të zeronte edhe efektin pozitiv të reduktimeve tatimore të Trump në ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

“Proteksionizmi tregtar qëndron rreziku kryesor që do të ndikojë negativisht besimin, investimet dhe vendet e punës”, shkruhej në raport. Sipas OECD, mënyra më e mirë për të trajtuar mbikapacitetin në tregun e çelikut është ndjekja e rregullave ndërkombëtare, kryesisht ato të themeluara nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Ndër rreziqe të tjera, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik përmendi edhe cënueshmëritë financiare që mund të vijnë nga rritja e normave të interesit. Sipas raportit, priten korrigjime të tjera në çmimet e aktiveve ndërkohë që normalizohen politikat monetare, për shkak të vlerave të larta në disa tregje, përfshirë tregun e kapitalit në SHBA, tregjet e shtëpive në Kanada dhe Australi si dhe në titujt e borxhit të korporatave. /Telegrafi/