LAJMI I FUNDIT:

‘Oda’ e madhe (shqiptare) e New Yorkut!

‘Oda’ e madhe (shqiptare) e New Yorkut!
Foto: Fadil Berisha

Oda Quartet, i themeluar së fundmi në New York nga dy muzikantë dhe dy muzikante kombesh të ndryshme, sakaq u rrit dhe u bë një sofër e madhe e muzikës shqiptare, por edhe asaj amerikane, spanjolle, meksikane etj.

Ky kuartet po rritet shpejt në një qytet, ku nuk është lehtë dhe ku ka divergjenca të mëdha.


Bisedoi: Shaqir Foniqi

Oda Quartet ka edituar albumin e parë ‘Muzgu’, i cili dominohet nga muzika e vjetër shqiptare, e kombinuar me muzikën moderne, por do të ketë edhe pika muzikore në disa gjuhë të ndryshme.

Për rrugëtimin e këtij kuarteti, ndiqni intervistën me njërin nga themeluesit, baritonin Ergin Oda, dhënë portalit tonë.

Ztr.Oda, kuarteti tashmë ka bërë emër në një metropol sikurse është New Yorku, ku ka diversitete të mëdha. Si jeni pritur?

Oda Quartet është themeluar në qytetin më të madh të kulturës në Amerikë, krahas Kalifornisë, siç është New Yorku dhe jo rastësisht, sepse një kuartet si ky me këtë ‘background’, me këtë filozofi të muzikës dhe me këtë ngjyrim si harmoni, besoj ndodhet në vendin dhe në kohën e duhur. Fati i mirë që neve individualisht e njohim këtë treg ngaqë secili kemi edhe karrierat tona individuale prej kur ndodhemi këtu duke pasur suksese vazhdimisht. Mendojmë se ky është tregu më leverdisës dhe me këtë ide që ne kemi ardhur ku në albumet tona të përfshihen këngë shqipe, romanca spanjolle, romanca italiane, shansona franceze, e ‘musical’, është paksa e rrallë ngaqë jo të gjithë këngëtarët apo artistët arrijnë të kenë material të mjaftueshëm për të interpretuar në gjuhë të ndryshme, mendoj për të pasur theksin e duhur për gjuhët përkatëse, repertori i së cilave këndohet apo interpretohet nga ne. Ne jemi pritur shumë mirë që në vitin 2019 sepse atëherë kishim një paraqitje në Nju Jork, në një teatër dhe aty e kuptuam se publiku diçka si kjo do ta pëlqente dhe një kuartet si ky, i shkrirë në një ombrellë të vetme, do të jetë mjaftueshëm i dëshirueshëm nga të gjitha gjeneratat.

Kur është themeluar dhe nga kush përbëhet?

Kuarteti zyrtarisht është themeluar në dhjetor të vitit 2020, sepse neve atëherë arritëm një marrëveshje dhe ju futëm studios për të realizuar këngët që do të përfshiheshin në albumin tonë të parë. Siç e thamë edhe më parë, ne kishim një paraqitje në vitin 2019 te Scandinavia House dhe aty e pamë që publiku na deshi ashtu siç ishim të katër neve, edhepse kishim edhe një mysafir kitarist, emri i së cilit është shumë i njohur në New York, Sean Harkness, por, ne meqë kemi këtë filozofi apo jemi të ndërtuar nën petkun e muzikës klasike, të gjithë anëtarët kanë këtë ‘background’, vendosëm me shumë kënaqësi që të bëhemi bashkë dhe të veprojmë si një trupë e vetme. Atëherë, kuarteti përbëhet nga Ergin Oda – bariton dhe tekstshkrues e kompozitor, Gjilberta Lucaj Cohen – violonçeliste e kuartetit dhe ‘backing vocalists’ e kuartetit, Joana Kaimi – violiniste, Yasuhiko Fukuoka, është pianisti i kuartetit, është aranzhuesi, kompozitori dhe producenti i të gjitha këngëve. Unë, Ergin Oda jam me prejardhje nga Mitrovica, mësimet e para në muzikë i kam marrë në vendlindje. Joana Kaimi është nga Tirana dhe ka lënë një karrierë të suksesshme atje duke punuar për pjesën e RTSH dhe duke qenë e ftuar nga tetari i Operas shumë herë. Gjilberta Lucaj ka ardhur në moshë të vogël këtu dhe është me origjinë nga Shkodra, ka studiuar dhe ka bërë një karrierë të shkëlqyeshme duke luajtur në orkestra në Kinë, Kore, Karaibe, Evropë dhe gjithandej, poashtu në shumë koncerte të veçuara në Nju Jork. Yasuhiko Fukuoka, pianist, është me prejardhje nga Fukuoka e Japonisë, është kompozitori i muzikës së filmit, ka përfunduar në një nga Kolegjet më të njohura në Boston dhe që nga ajo kohë, ai ka realizuar muzikë për shumë filma të njohur, filma të cilët janë shpërblyer poashtu në Festivale të ndryshme dhe i shërben kuartetit si kompozitor i këngëve origjinale që ne do të kemi. të albumit të dytë.

Në New York ka një komunitet të madh shqiptar, si jeni pritur nga ata?

Për të qenë shumë të sinqertë, komuniteti shqiptar këtu, na do shumë, na ka përqafuar që në fillimet tona, na mbështet, e dëgjojnë muzikën tonë, na komplimentojnë, vazhdimisht e kanë atë kureshtje se a do të sjellim diçka të re dhe a do të jemi aktiv siç jemi tani. Por ne, këtij komuniteti, këtë mbështetje e dashamirësi dhe përqafim të ngrohtë që gëzojmë nga ata, do ua kthejmë me muzikë të bukur duke i ruajtur vlerat tona, duke e plasuar melosin në piedestalin më të madh të mundshëm, duke i ruajtur ngjyrat e folklorit, të traditës e kulturës shqiptare. Sa herë ne të realizojmë një album, një videopklip apo gjë tjetër do të mundohemi që këto tradita t’i pasqyrojmë në mënyrën më të mirë që të jemi kështu një kartë të vogël identiteti për Shqipërinë e Kosovën për aq sa jemi në Amerikë dhe performojmë në Evropë apo Amerikën Latine.

Kuarteti tashmë ka edituar albumin e parë ‘Muzgu’. Pse Muzgu, e jo Agimi?

Albumi tashmë ka dalë dhe ne pse e kemi titulluar ’Muzgu’ dhe jo ‘Agimi’, për arsye se Agimi asocion në emra njerëzish që janë shumë prezentë dhe ne nuk donim një titull të përdorur më parë, një titull që nuk përkon me atë çka përmban albumi. Menduam që kjo muzikë që ndodhet brenda albumit, kjo shtrirje nga muzika e filmit tek këngët tona folklorike të vjetra dhe ato tango klasike, menduam që të gjitha këto këngë për nga karakteri janë edhe sikur vetë muzgu dhe ngjyrat e këtyre këngëve pasqyrojnë atë qetësinë e muzgut. Mendojmë që ky album të jep një qetësi sikur edhe muzgu, të bën të kthehesh te zona Zen, ndoshta edhe për ta kuptuar ekzistencën e së bukurës, jetës, e gjërave të thjeshta. Muzika se si është kënduar dhe interpretuar në këtë album është e thjeshtë, e ndërlikuar, e sinqertë dhe pasqyron atë qetësinë definitive të muzgut.

Ju kultivoni muzikë të vjetër shqiptare, gërshetuar me atë klasike dhe moderne. Është ky një eksperiment sfidues. Besoni se do t’ia dilni?

Neve kultivojmë muzikën e vjetër shqiptare, sepse njëra nga arsyet e themelimit të këtij kuarteti ishte kjo që të bëjmë më të mirën e mundshme me aq forcë sa kemi, me aq vullnet e pasion sa kemi, që atë thesar siç është muzika jonë e pasur, ta plasojmë kudo që ne do të interpretojmë. Dhe, ku ka më bukur se të risjellësh muzikën tonë të vjetër, atë muzikë që shqiptarët e kanë thurur me sinqeritet të plotë, me djersë, me ato ngjyrat e bukura tona të folklorit, këngë të cilat u këndojnë dashurisë në mënyrën më të pastër, këngë të cilat u këndojnë vuajtjes në mënyrën më të pastër dhe këngë që janë ndërtuar në bazë të asaj duke qenë të kthjellëta, të bukura e të kristalta ashtu si edhe loti. Tani gërshetuar me muzikën klasike dhe moderne, sepse baza e kuartetit është muzika klasike, ne të gjithë vijmë nga shkollat e muzikës klasike, nga Akademi e lice dhe nuk mund të dalim nga baza, sepse ajo baza e ka ndërtuar atë që jemi sot dhe ta gërshetosh muzikën e vjetër shqiptare me atë klasike duke i dhënë finesa të modernes është definitivisht një shkrirje aq e bukur sa për veshin nganjëherë të krijon përshtypjen se je duke dëgjuar një arie nga një opera apo sikur je duke dëgjuar një këngë të natyrës ‘new age’ apo ‘world’, të kënduara nga grupet sikur Sigur Rós apo këngëtar si Bocelli, etj. Ky gërshetim i jep një elegancë të veçantë këngëve të orkestruara nga Yasuhiko Fukuoka. Tani mund të them se ky nuk është një eksperiment sfidues ngaqë neve kështu bëjmë që kur ndodhemi në Amerikë, gjithmonë kemi kënduar këngët tona shqipe, duke i dhënë atë bazën e muzikës klasike për t’i bërë të tingëllojnë më serioze, më të veçanta, më të sofistikuara dhe më me shije.

Albumi do të dominohet, kryesisht nga këngët shqipe, por do të ketë edhe këngë në shumë gjuhë të tjera. Edhe kjo është një sfidë, meqë çdo komb e ka kulturën dhe specifikat e veta?

Albumi kryesisht do të dominohet nga muzika shqipe, sepse ka vetëm dy këngë në spanjisht dhe gjithçka tjetër është shqip. Por mos të harrojmë se ky album ka tre pika solo, një pikë solo për piano, interpretuar nga Sokuoka, është një pikë solo për violinë ekzekutuara nga Joana Kaimi që quhet ‘Në shtëpinë tonë’ me kompozitorin tonë të madh Aleksandër Peçi, pastaj ka edhe një pikë solo për violonçel që quhet ‘Fjalët e qiriri, një vepër e të të madhit Dizdari, të ekzekutuar nga Gjilberta Lucaj. Siç ka edhe dy këngë tona emblemë, ‘Margjelo’ e të madhit Prenk Jakova dhe ‘Dashuro’ e kompozitorit shumë të njohur e të respektuar Severin Kajtazi dhe kjo këngë është kënduar nga e madhja Nexhmije Pagarusha. Meqë ishte një nga këngët e saj që nuk është riinterpretuar nga artistët tjerë, ne vendosëm ta rikthejmë, sepse sikur kishim frikën se e ka mbuluar pluhuri dhe kjo këngë ka nevojë për t’u kthyer sërish në jetë. Dhe, jemi shumë të kënaqur që është pjesë e albumit.
Albumi do të këtë edhe këngë tjera. Momentalisht albumi nuk është i plotë. Publiku këtë duhet ta dijë, ne e kemi hedhur një mini-album pasi që kishim kërkesa të mëdha nga njerëzit që donin të na dëgjonin. Ky album do të vijë i kompletuar në tetor dhe do të ketë këngë frëngjisht, shansoana në këtë rast, ‘broadway’ apo ‘muzical’, do të ketë romanca italiane dhe dy këngë të reja shqipe. Pastaj për vitin që vjen, ne planifikojmë një album me këngë tona origjinale, me kompozitorë, të shkruara nga ne, kuarteti.
Është definitivisht shumë sfiduese të këndosh apo të ndërrosh karakter nga gjuha shqipe në atë spanjolle, nga spanjollja në atë italiane, nga italiania në atë frënge e angleze, sepse çdo muzikë edhe komb ka kulturën dhe specifikat e veta. Kjo pjesë na merr kohë. Unë kur vendos para vetes një tekst, dua të mëshirohem mirë e mirë njëherë me tekstin e këngës, përmbajtjen, çfarë thotë ajo këngë, kujt i këndon dhe pastaj unë e vesh me këtë interpretimin tim për t’i dhënë autenticitetin dhe për ta përvetësuar si këngë, por asnjëherë duke mos ia humbur vlerat dhe virtytet këngës origjinale, pavarësisht materialit të cilin vendosim ta këndojmë.

A mund të themi se ‘Oda’ (shqiptare), po bëhet një odë e muzikës ndërkombëtare?

Faktikisht po. Ne edhe jo rastësisht e emëruam këtë kuartet “Oda” sepse donim që përmes këtij albumi, përmes këtij kuarteti dhe këtij emri, t’i themi botës, asaj botës sado e vogël apo e madhe të jetë, sepse të ardhmes nuk i dihet, se kurrë njeriu nuk e din se sa i madh do të bëhet, apo edhe e kundërta. Ne deshëm t’i tregojmë botës se jemi një odë e gëzimit, siç ka thënë edhe Bethoveni, që jemi një odë me shumë ngjyra, që duan vërtetë t’u sjellin njerëzve gëzim në jetë, t’i bëjmë të lumtur përmes muzikës sonë, të jemi aty kur ata ndodhen vetëm, të jemi aty kur ata ndodhen të vrarë, të jemi aty kur ata ndodhen si të pambrojtur dhe të pandihmuar. Deshëm që të jemi një odë që përçon gëzim dhe hare dhe është me njerëzit kur e do koha dhe kur e do vendi.

Si ka rrjedhur emri i grupit. Ndoshta nga mbiemri juaj, apo nga oda shqiptare?

Edhe mbiemri im ka të bëjë me traditën tonë shqiptare dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt që mbart me vete një mbiemër si ky, sepse për këtë arsye edhe kam zgjedhur që të jetë një prezantim shumë i mirë prej nga vij, të jam vërtetë krenar për atë që jam, të jam krenar për traditën, kulturën, sa të vjetër jemi dhe sa me vlerë jemi, sa shumë pasuri kombëtare kemi dhe sa të larmishëm jemi si komb. Mu për këtë arsye vendosëm që kuartetit t’ia lëmë emrin Oda. Së pari, tingëllon shumë bukur, edhe për internacionalët nuk do të jetë fare vështirë ta theksojnë.

Ju synoni të shtriheni në mbarë globin. Cilat janë pritshmëritë?

Ne, interpretojmë në gjuhë të ndryshme dhe ndodhemi në qytetin ku ndodhen popujt e kulturat e gjithë botës. Ku ka më mirë se kjo që të këndojmë dhe shtrihemi në tërë globin. Ne mendojmë që të organizojmë koncerte jo vetëm në Nju Jork e shtete të tjera të Amerikës. Synimet tona janë shumë të mëdha. Mendoj se do të ketë prurje vazhdimisht dhe kështu neve sa e kemi filluar këtë hap. Në mënyrë graduale do të shtrihemi në tërë globin duke kënduar këngë edhe në gjuhë të tjera.

Ju jeni një grup profesionist që keni bërë art individual, por tash që jeni bërë kuartet, jeni adaptuar të punoni në grup?

Ata që kanë studiuar për muzikë klasike, ata gjithmonë kanë funksionuar në grup. Por, se si të adaptohemi ne si grup, ka qenë akoma më e thjeshtë, për arsye se neve njihemi prej shumë kohësh e bashkëpunojmë prej shumë kohësh, dhe ngaqë ishin kështu organikisht të lidhur si miq, por edhe muzikalisht, vendosëm që ky kuartet të jetë bashkë, sepse menduam që këta njerëz kanë për të funksionuar shumë mirë në grup dhe kanë për ta sjellur muzikën ashtu sikur lidhja organike që kemi.

Thuhet se jeta pa muzikë është e kotë. Çka është muzika për ju?

Të them të vërtetën, kjo pyetje është bukur e gjerë sepse nuk kam një definicion ose një frazë të vetme që arrij ta shpjegoj këtë çështjen e muzikës dhe çka është muzika për mua. Muzika për mua, definitivisht është edhe religjioni dhe këtë e them zëshëm dhe me shumë mburrje që unë jam edhe sikur muzika, unë jam i shkrirë në atë harmoni që është edhe gjuha më e bukur që vjen nga Universi. Gjithçka që ndodh rreth nesh është muzikë, madje edhe ajo sjellja e planetëve është muzikë, ajri që thithim…Unë, mendoj se jeta pa muzikë do të ishte e kotë, do të ishte totalisht e panevojshme, do të ishte si një trup i ngurtë që nuk përçon asgjë.

Duket se synoni që përmes grupit ta mbani gjallë edhe identitetin shqiptar, kur dihet se New Yorku, pothuajse është i populluar me shqiptarë?

Njëra ndër arsyet që ky kuartet është formuar apo edhe ekziston është që brezat që vijnë por edhe ky komuniteti prezent, të ushqehen me melosin tonë të pasur, që të dihet se çfarë është e jona dhe çfarë nuk është e jona. Mendoj se një kuartet si ky është totalisht i nevojshëm dhe do të duhej të ekzistonte akoma edhe shumë më herët sepse ky komunitet vazhdimisht duhet ushqyer me art dhe me muzikë cilësore shqiptare, në mënyrë që mos ta humbim traditën. Mendoj se kontributi ynë do të jetë solid dhe do ta ketë efektin e ve. Shpresoj që ne të shtrihemi sa më gjerë që ky efekt të jetë më i madh.

A planifikoni të keni ndonjë turne nëpër Evropë? Po në Shqipëri dhe Kosovë?

Ky është plani më i afërt që ne kemi, po presim që kjo pandemi të venitet dhe me vaksinimin t’i kthehemi normales sa më shpejt dhe të frymojmë ashtu siç kemi frymuar dikur, në mënyrë që edhe ne t’i kthehemi performancës dhe koncerteve. Plani i kuartetit është që në periudhën e dhjetorit ta fillojmë një mini-turne në Shqipëri, të vazhdojmë në Shkup, pastaj Prishtinën do ta kemi si ‘qershi mbi tortë’. Do të bëjmë një pauzë të vogël, pastaj do të vazhdojmë me koncerte në Stamboll dhe në Paris.

Sigurisht bashkëpunoni edhe me maestron e fotografisë Fadil Berishën, të cilin unë e quaj Gjon Mili i dytë. Në SHBA ka shumë figura të shquara, duke filluar nga Belushi, Dushku etj. A mban kontakte me ndonjërin prej tyre?

Unë mbaj kontakte me shumë figura të ndritura shqiptare në Amerikë, jo vetëm me fotografin ikonë që neve e kemi këtu dhe është inspirim për të gjitha gjeneratat dhe ata që vijnë në Amerikë. Fadil Berisha është inspirimi ynë më i madh që kemi dhe atë respekt meriton, sepse ka bërë shumë për çështjen kombëtare, ka dhënë shumë për gjithçka shqiptare, e mos të flasim për atë magjinë e tij që e gëzon në fotografi. Ne jemi shumë të kënaqur që neve këtë sukses po e fillojmë duke bashkëpunuar me një fotograf siç është Fadil Berisha dhe jemi shumë falënderues për gatishmërinë e tij që t’i ndodhet pranë kuartetit sa herë që është nevoja. Eliza Dushkun e kam takuar dy herë, madje ka qenë prezente në performancën tonë dhe na ka falënderuar e uruar. Belushin nuk e kam takuar asnjëherë, por kam takuar figura tjera të ndritura siç janë DioGuardi, Engel, pastaj aktorë të tjerë që ende janë rrugës së suksesit në Los Angeles apo Hollywood dhe me të gjithë artistët tjerë që ndodhen këtu në New York jemi në kontakt dhe i njohim mirë.

Ju, tashmë jeni stabilizuar atje. A iu mungon vendlindja?

Për këtë pyetje mund të flas me mijëra vjet, sepse malli për vendlindjen është shumë i madh. Sa herë flasim për vendlindjen është si një oqean i hapur në shpirt që të tundon kudo që ndodhesh. Edhe nëse ke jetën më të bukur në planet dhe nëse je në qiellin e shtatë, nëse nuk je nën qiellin e Kosovës dhe Shqipërisë, jeta gjithmonë është e zbrazët. Tani, fatmirësisht që jemi artistë dhe e plotësojmë këtë pjesë me art, muzikë e këngë e me krijimtari, se mos ta kishim këtë pjesë do të ishte shumë, shumë e vështirë. Nuk e di se si është për ata njerëz që nuk janë në fushën artistike, por malli për vendlindjen është shumë i madh dhe mendon se duke kënduar kështu shqip, në njëfarë mënyre po e largojmë atë mallin për vendlindjen. Muzika të lidhë ngushtë, është si një gjuhë fantastike që të lidhë me gjuhën e nanës dhe me atë djepin që ne jemi përkundur, me atë djepin e shqiptarisë.

Çka i porositni të rinjtë për ‘ëndrrën amerikane’?

Unë do u referohesha të gjithë të rinjve kudo ku ndodhen, sidomos atyre shqiptarë, jo vetëm për ëndrrën amerikane, dua t’ju them vetëm një gjë: pavarësisht sa e vështirë është rruga, pavarësisht se në çfarë do ecësh e në çfarë do kalosh gjatë rrugës, sepse kjo rruga e artit është sikur ajo rruga e qelqit të thyer, të gjakos ndonjëherë, të gërvisht ndonjëherë edhe të mbështet për muri ndonjëherë. Pavarësisht këtyre sfidave, ëndrrat janë më të rëndësishme se sfidat. Tani nuk ka arritur askush të realizojë asnjë ëndërr të mundshme pa kaluar nëpër sfida. Është e njëjtë edhe me ëndrrat. Për të arritur tek caku, duhet sakrifica, duhet edhe këtë pjesën shpirtërore ta shtrydhim dhe mos t’ia vëmë fort veshin, për arsye se njeriun në jetë e mbajnë ëndrrat, jemi të tillë dhe shpresojmë për një ditë më të mirë dhe zgjohemi të nesërmen me vullnetin e fortë, sepse na zgjojnë ëndrrat për jetën, na zgjon pasioni për jetën, na zgjojnë dëshirat, qëllimet që i kemi dhënë vetes si synim që në vegjëli. Kështuqë, gjeneratave të reja do u thoja që nëse keni një ëndërr amerikane, pavarësisht çfarë u thuhet, pavarësisht atyre lajmeve që qarkullojnë se Amerika është një ëndërr e largët, Amerika është shumë e madhe dhe Amerika është një kafshatë që nuk kapërdihet – mos i mendoni ato. Sepse, kur ia ka dalur dikush si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max, Eliza Dushku, Bekim Fehmiu, e shumë e shumtë të tjerë, sepse lista është e pafundme, edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Për hirë të kombit, për hirë që jemi një popull i vogël që ka nevojë për shumë marketing dhe ka nevojë të njihet në botë shumë e më shumë, të gjithë ne, sidomos gjenerata e re për të cilën kemi aq shumë shpresa dhe jemi sy e vesh drejt tyre, sakrifikoni, realizoni ëndrrat tuaja, sepse duke realizuar ëndrrat tuaja do të realizoni ëndrrat e Kosovës e Shqipërisë për një shtet më dinjitoz, më të njohur në botë dhe kësisoj do të pasqyroni edhe vlerat tuaja. Vazhdoni drejt ëndrrave me hapin më të madh të mundshëm duke bërë krenar veten, familjen dhe, mbi të gjitha – kombin. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

A u vodh Barcelona në El Clasico? Cafu deklarohet shkurt dhe qartë

La Liga
Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Dëshmitarja që pa vrasjen e gazetares britanike në vitin 1999, pretendon se pas këtij akti qëndron serbi i njohur si Legia

Evropa

"Ish-gjyqtari më i pasur në botë", është pronari i dy super bizneseve dhe ka pasuri neto më shumë se Mike Tyson

Ndërkombëtare
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga

"O Bes Kallaku", reagimi epik i Xhensilës kur fansat i përmendin ish-partnerin në koncert

Magazina
Kalo në kategori