LAJMI I FUNDIT:

Oda e Afarizmit: Mos aplikimi i vendimeve po shkakton pakënaqësi tek bizneset

Oda e Afarizmit: Mos aplikimi i vendimeve po shkakton pakënaqësi tek bizneset

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon që vendimet e marra nga dy qeveritë të fillojnë zbatimin e tyre, ashtu që të eliminohen kostot e panevojshme dhe të krijohen lehtësira për bizneset.

Lehtësimet e dala në favor të bizneseve nga mbledhja e dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe mos aplikimi i tyre po shkakton pakënaqësi tek bizneset, e sidomos tek ato shpedituese dhe transportuese.

“Vendimet e marra gjatë mbledhjes së dy qeverive në takimin e fundit të realizuar në Pejë kanë reflektuar në punën dhe operimin e kompanive shpedituese dhe transportuese kosovare, pasi që me ndryshimet e reja kërkohet nga kompanitë shpedituese që transiti për mallin e shkarkuar në portin e Durrësit, e që ka për destinim Kosovën, të lajmërohet dhe të deklarohet nga ato. Duke pas parasysh që të gjitha procedurat transitore për importuesit kosovarë në portin e Durrësit duhet të realizohen nga kompanitë shpedituese dhe transportuese kosovare, obligohen bizneset kosovare që për mallin e Kosovës edhe me tutje të paguajnë 25€ skaner”, thuhet në njoftimin e OAK-ut.

“Nisur nga fakti që një shërbim që paguhet duhet edhe të merret, bizneset anëtare të Odës së Afarizmit të Kosovës të cilat po obligohen të paguaj për skanim raportojnë që deri më tani asnjëherë nuk e kanë bërë skanimin. Gjithashtu, për pagesën e skanerit të gjitha kompanitë shpedituese detyrohen të hapin llogari bankare në Shqipëri. Nga dy qeveritë, zyrtarisht është deklaruar për një lehtësim në relacionet tregtare dhe transportuese mes dy vendeve, por në realitet deri më tani nuk është parë ndonjë ndryshim, pasi që pagesat dhe formalitet nuk po reduktohen, por përkundrazi”, vijon njoftimi.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që vendimet e marra nga dy Qeveritë të fillojnë zbatimin e tyre, ashtu që të eleminohen kostot e tilla të panevojshme dhe të krijohen lehtësira për bizneset. /Telegrafi/