LAJMI I FUNDIT:

​OAK paraqet problemet e bizneseve para ministres Hajdari

​OAK paraqet problemet e bizneseve para ministres Hajdari

Vështirësitë me të cilat po përballen bizneset si rezultat i pandemisë, ofrimi i përkrahjes nga ana e institucioneve të vendit, krijimi i ofertave për bizneset e bashkëpunimi i ndërsjellë ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

OAK uroi ministren për pranimin e detyrës dhe falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, duke i ofruar përkrahje sa i përket trajtimit të çështjeve të sektorit privat, duke theksuar se OAK duhet të konsiderohet si një partner kredibil.


“Gjatë këtij takimi u theksuan: problemet e bizneseve të Kosovës gjatë tranzitit të mallrave në Serbi, rëndësia e implementimit të Ligjit për Tregti të Brendshme, Ligjit për Falimentim, krijimi i ofertave për biznesin, largimi i Kosovës nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikohet si Republikë e Kosovës, kompletimi i të gjitha parqeve industriale me infrastrukturë si dhe Institucionet të përkrahin më shumë prodhimin vendor”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga OAK.

Ministrja Hajdari, nga ana e saj, theksoi që industria do të trajtohet me prioritet nga ky dikaster, duke potencuar që do të jetë e hapur për bashkëpunim jo vetëm me odat por edhe bizneset individualisht për konsultime sa i përket sektorit privat.

“Andaj, me bashkëpunim të ndërsjellë do të tejkalohen barrierat të cilat shfaqen gjatë të bërit biznes”, citohet të ketë thënë Hajdari. /Telegrafi/