LAJMI I FUNDIT:

OAK, deputetëve: Votojeni Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ndryshe rrezikohen që 100 mijë punëtorë të largohen nga puna

OAK, deputetëve: Votojeni Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, ndryshe rrezikohen që 100 mijë punëtorë të largohen nga puna

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe të shqyrtojnë kërkesat e bizneseve dhe punëtorëve, me qëllim të ofrimit të përkrahjes për bizneset që kanë pësuar dëme të mëdha si pasojë e pandemisë në mënyrë që të mund të ndalet largimi i punëtorëve nga puna, si pasojë e rënies së qarkullimit apo mbylljes së bizneseve.

OAK thekson se të gjithë punëtorët e sektorit privat që mbesin pa punë, mbesin në mëshirën e rrugëve sepse qeveria nuk e mbështet asnjë punëtorë që ka punuar me vite dhe mbetet i pa punë.


“OAK shprehet tejet e shqetësuar për mos shqyrtimin e kërkesave të biznesit dhe mosvotimin ende të këtij Projektligji dhe kërkojmë përsëri nga deputetët që të veprojnë më shpejtë në kalimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është mëse i nevojshëm. Kjo shtyrje do të rrezikojë në humbjet e mëdha financiare dhe humbjet e vendeve të punës”, thuhet në njoftimin për media.

OAK thekson se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e parashtruara të bizneseve në këtë Projektligj, atëherë bizneset e Kosovës do të kenë të pamundur të funksionojnë, gjë e cila do të rezultojë me mbylljen e tyre e largimin e së paku 50.000 deri në 100.000 punëtorëve.

“Oda e Afarizmit të Kosovës bën thirrje deputetëve të reagojnë më shpejtë dhe të mos i neglizhojnë kërkesat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat sepse kemi mbetur shteti i fundit për krijimin e një alternative për mbrojtjen e ekonomisë pas pandemisë”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/