LAJMI I FUNDIT:

Numri i nxënëseve zvogëlohet, i mësimdhënësve rritet (Video)

Numri i nxënëseve zvogëlohet, i mësimdhënësve rritet (Video)

Migrimi është një ndër faktorët kyç që në Kosovë vetëm në dekadën e fundit, është zvogëluar numri i nxënësve për 20%. Përkundër që ka më shumë nxënës, mësimdhënës ka për 8% më shumë.

Përgjatë dhjetë viteve të fundit, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar është zvogëluar për 20%, ndërkaq numri i mësimdhënësve është rritur për 8%. Kështu po shprehet njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, sipas të cilit njëra ndër arsyet është edhe migrimi jashtë vendit.


“Prej vitit kur është shpall pavarësia e Kosovës, numri i nxënësve në arsimin para universitar në Kosovë është zvogëluar për 20%, qoftë për shkak të rënies së natalitetit apo edhe për shkak të shpërnguljeve jashtë vendit. Ndërkohë që numri i stafit mësimor është rritur për 8%. Pra këtu e kemi një diskrepancë të madhe”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dukagjin Pupovci.

Ky dallim në mes të nxënësve dhe mësimdhënësve, sipas tij vjen si rezultat  i “trendit të punësime” politike. Ngase çdo vit sipas tij pensionohen 500 deri 600 mësimdhënës.

“Çdo vit pensionohen 500 deri 600 mësimdhënës, pra ka mundur që edhe numri i mësimdhënësve ta përcjellë atë të nxënësve pa tronditur sistemin arsimor. Mirëpo si duket aty ka interesa të mbahet trendi i punësimeve pasi në komuna, mundësitë e punësimeve janë vetëm në arsim apo shëndetësi prandaj është e logjikshme që strukturat lokale t’i ruajnë këto vende”, deklaroi më tej Dukagjin Pupovci.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se punësimet e radhës, por edhe infrastruktura, në sektorin e arsimit duhet të bëhen në bazë të popullsisë.

“Punësimet në sektorin e arsimit të bëhen konform edhe projeksioneve të popullsisë, sikurse e njëjta të ndodh edhe me infrastrukturë shkollore”, deklaroi  Rinor Qehaja.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Arsimit, për vitin 2018/19 në sistemin parauniversitar, janë mbi 356 mijë nxënës, që prej tyre 52% bëjnë pjesë nëpër Gjimnaze.

Ndërkaq, raportet nxënës për mësimdhënës, në bazë të këtyre statistikave, në nivelin fillor del të jetë 14 me 3 kurse në atë të mesëm 15 me 4. /RTV Dukagjini/Telegrafi/