LAJMI I FUNDIT:

Nuk punojnë aty ku u shkelen të drejtat (Video)

Nuk punojnë aty ku u shkelen të drejtat (Video)

Të rinjtë në Kosovë thonë se pa përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagave në sektorin privat me theks në atë të ndërtimtarisë, bujqësisë dhe tregtisë nuk do të punonin për asnjë kompani.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, disa nga këta të rinj thonë se kushtet që po ofrojnë punëdhënësit në sektorin privat nuk janë të pranueshme për ta.


Kompanitë ndërtimore, tregtare dhe prodhuese ankohen se nuk po gjejnë punëtorë. Papunësia në vend llogaritet se arrin normën deri 30 për qind.

Studenti, Osan Dula, thotë se kushtet për punë nuk janë të volitshme.

“Pikë së pari nuk janë kushtet e volitshme për punë, e dyta orari nuk është i saktë. Kur e bënë orarin për punë, punëdhënësi të thotë se orarin e ke tetë orë, e pastaj orari të zgjatet, nuk ke pushime brenda vitit. Pastaj, rrogat nuk janë shumë të mëdha për standardin jetësor të Kosovës, çmimet janë të shtrenjta dhe mendoj se këto janë disa nga aspektet që njerëzit përtojnë të hyjnë në punë private”, thotë studenti Dula.

Rilind Zogu, tregon se ka shumë pak siguri në vendet e punës.

“Pse mos me punu, nuk kisha qëndru aspak. Veç shkaku i sigurisë është pak keq, se po shohim se po ndodhin shumë raste të vdekjeve, kështu që pak më shumë siguri”, thotë Zogu.

Ndërsa, studentja Mahire Halili, thotë se me këto kushte të punës nuk do të kishte punuar.

“Do të kisha punuar po të kishin qenë rrogat më të mëdha. Nuk janë kushtet adekuate për të punuar, fakulteti për të kryer punë, kështu që nuk kisha punuar me këto kushte”, shprehet studentja Halili.

Sektori privat në Kosovë nuk preferohet për punësim, për shkak të ankesave, për shkelje të Ligjit të Punës dhe të drejtat e punëtorëve.

Mesatarja e pagës bruto në sektorin privat është 350 euro. /REL /Telegrafi/