LAJMI I FUNDIT:

Nuk kemi kujtim e as përkujtim për viktimat e luftës

Nuk kemi kujtim e as përkujtim për viktimat e luftës

Më 6 maj u bënë 20 vjet nga sulmi i makinerisë serbe ndaj familjes Murtezaj.

Nga ky sulm vriten: gjyshi im, Imer Murtezaj – 85 vjeç (vdes pas disa ditësh nga plagët); gjyshja ime, Hatmane Murtezaj – 83 vjeçare (vdes në vend); dhe çika e dajës, Merita Murtezaj – 21 vjeçare (vdes në vend), si dhe plagosen nëntë vetë nga familja dhe mysafirët.


Sot – dhe gjithmonë – kujtojmë plojën në familjen Murtezaj.

Dikush mund të thotë: dy dekada kaluan, mjaft më me këto kujtime e përkujtime!

Unë them: Ne ende nuk kemi filluar as kujtimin e as përkujtimin e duhur për viktimat e luftës.

Pse, do të thoni?

Sepse, kujtimi dhe përkujtimi bëhet për të mos i harruar ata dhe për të mos u përsëritur historia.

A ia kemi arritur kësaj?

Jo, jo dhe jo!

Gjithë çfarë kemi bërë si shoqëri është se kemi përsëritur statistika.

Viti, data, ora, numri i të vrarëve, numri i të plagosurve… (a i keni parë kronikat tona televizive: sot u përkujtua filan masakra, viti, kaq të vdekur… dikush nga paria lexon fjalime të jashtëkohshme që ia ka shkruar dikush tjetër… dhe kaq!)

A mund ta ruajmë kujtimin e viktimave të luftës me këto statistika?!

Jo. Gjenerata që nuk e ka jetuar këtë kohë, pas pak do t’i merr këto si statistika të thata, do t’i krahasojë me kushedi çfarë statistikash tjera dhe kaq. Kaq!

A do ta kuptojnë ata plojën e dhimbjen e familjes Murtezaj nga Klina e Poshtme e Skënderajt?

Jo.

Sepse…

….kjo shoqëri e ka harruar frikën, tmerrin, dhimbjen, urinë, etjen, të ftohtit, shiun, borën, baltën dhe sidomos lotin…

Dhe këto e ndihmojnë dhe formojnë kujtimin dhe përkujtimin.

Jo statistikat dhe fjalimet e parisë sonë…

Qysh me ia tregu përmasën e tmerrit që ka përjetuar familja Murtezaj gjeneratës së re?

Ja një përpjekje: Kur më 6 maj 1999, serbët kishin sulmuar këtë familje – pa asnjë provokim, pa asnjë faj dhe pa qenë zonë lufte – anëtarët e familjes që kishin shpëtuar pa plagë, kishin vrapuar t’u ndihmonin nëntë të plagosurve (sepse Merita dhe gjyshja tashmë nuk kishin asnjë nevojë për këtë botë mjerane). Kishin nxituar e kishin lidhur plagë, kishin ndalur gjakderdhje, me frikë, me tmerr, me lot, me gjak. Ia kishin lidhur edhe disa plagë gjyshit dhe kishin vrapuar tek të tjerët pa e ditur se a po shpëton dikush a jo.

Nën një tmerr e kaos të papërshkruar me fjalë, kishin kaluar gati dy ditë. Pastaj reja e kishte parë se vjehrri i saj, Imeri (85 vjeç), ishte zbehur sikur kufomat që po i përcillnin. Kur reja e pyeti, ai i tha se nuk e ndjente dorën. Kur ia shpaluan, panë se ai e kishte edhe krahun ‘blozhë’, por duke e ditur se Merita ishte vrarë, nuk iu kishte treguar për plagët që nuk i shiheshin. U kishte treguar për plagët që po kullonin gjak, por jo për të tjerat, që në atë lemeri nuk po i shiheshin.

A po e kuptoni tmerrin?

A po e kuptoni lemerinë?

A po e kuptoni se çfarë kishte ndodhur në familjen Murtezaj?

Kishte ndodhur një aso tragjedie sa gjyshi im (që kishte vdekur pas disa ditësh), nuk po tregonte disa nga plagët e tij deri te nesërmen.

A po e kuptoni plojën tani?

Nuk është puna të përkujtojmë data e përvjetorë dhe të kthehemi te shtëpia.

Nuk është mjaft!

Ne duhet ta kuptojmë përmasën e plojës dhe tragjedisë që ka ndodhur në familjen Murtezaj dhe në mijëra familje të Kosovës.

Tek atëherë do të sigurohemi se historia nuk do të përsëritet.

Jo, duke kujtuar statistika, por duke kujtuar frikën, tmerrin, dhimbjen, urinë, etjen, të ftohtit, shiun, borën, baltën e lotin.

Sidomos lotin!