LAJMI I FUNDIT:

Nuk ka fitore historike, por moment për ndryshim historik

Nuk ka fitore historike, por moment për ndryshim historik
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Tash pothuajse është i qartë rezultati i votimeve të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje (VV) i ka fituar zgjedhjet me një përqindje të ngushtë. Pavarësisht diferencës mes dy partive të para, duket që sovrani ka vendosur t’i japë një mundësi – që mund të jetë historike – një force politike që asnjëherë nuk është provuar në qeverisjen qendrore.

Dikush mund të mos pajtohet më pikëpamjen time, por mua personalisht nuk më pëlqeu mënyra se si u perceptua ky rezultat zgjedhor. Shumë e quajnë fitore historike. Madje, një personalitet publik fitoren e VV-së e lidh me lirinë, një kualifikim ky pretencioz dhe infantil. Përveç kësaj, më është dukur si shfaqje e protagonizmit paksa të theksuar nga fituesi i zgjedhjeve. Jo vetëm për shkak të fitores tepër të ngushtë, por edhe për shkaqe tjera.


Nuk e ndaj mendimin e shumicës kur thonë se ndryshimi ka ndodhur, apo se rezultati i zgjedhjeve është historik. Përse ta quajmë historik? Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur. Është një rezultat që si duket do të na mundësojë të heqim qafe një kastë politike që për 12-13 vite ka keqqeverisur. Vota jonë ka hequr përkohësisht nga skena një grup njerëzish që vetëm në shërbim të popullit nuk kanë qenë.

Pse mendoj që rezultati i zgjedhjeve nuk është historik?

E para, ky s’është automatikisht një ndryshim politik. Rezultati i zgjedhjeve e determinon veç ndryshimin e nomenklaturës politike që do ta qeverisë Kosovën në katër vitet e ardhshme. Se a do jetë qeverisje historike apo jo, mbetet të shihet. Ky s’është gjë tjetër përpos një shans, një mundësi që këtë rast i është dhënë VV-së për t’u prirë ndryshimeve. Për më tepër, ky është një verdikt i popullit që përcakton mandatarin për kryeministër.

E dyta, ndryshimi historik nuk është një akt, është një proces. Ndryshimi nënkupton transformimin rrënjësor të shoqërisë. Procesi kërkon angazhimin e njerëzve të veçantë që dinë ta bëjnë ndryshimin. Krijimi i një qeverie me njerëz të këtillë nuk është fare i lehtë. Kjo sepse vet rezultati i zgjedhjeve e ka determinuar domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni politik. Ndërkaq, mandatari (të cilin tashmë e dimë se kush do të jetë), nuk ka shumë alternativa. Rezultati i zgjedhjeve duket ia ka determinuar shokun apo shoqen e rrugëtimit qeverisës. E, kjo është LDK.

Po të isha në pozitën e mandatarit, unë do t’i gëzohesha këtij fakti, sepse në LDK ka profesionistë të vërtetë. Brenda kësaj partie ka burra dhe gra shumë të zotët që e kanë ekspertizën e nevojshme për qeverisje. E kanë atë që në gjuhën e biznesit e quajmë ‘know-how’. Nuk dua të sjell emra këtu, por ky është fakt. Po ashtu është fakt që VV nuk e ka mjaftueshëm këtë aset brenda vetes. Nëse VV mendon që do ta bëjë ‘ndryshimin historik’, siç po pretendojnë, vetëm me entuziazëm, me militantizëm, pa mendje, pa racionalitet, pa njerëz që i kanë atributet e sipërpërmendura, do ta bëjë gabimin e njëjtë që e kanë bërë paraardhësit e saj.

Shtrohet pyetja, sa do arrijë mandatari të shfaq aftësitë dhe kapacitetin politik për të sjell brenda qeverisë së tij ekspertët e LDK-së? Nuk besoj që mandatari do arrijë të mobilizoj ekspertin, intelektualin e sinqertë nëse shfaq mendësi autoritare e që te shqiptarët këtë ves si duket e kemi në gjene. Ashtu siç e thotë Kadare, deliri i madhështisë që secili nga ne e bartim me vete, është armiku me i madh i shqiptarëve.

Andaj, dua ta ritheksoj. Ndryshimi historik nuk ndodhi, por mund të vjen. Neve si popull na është shfaqur vetëm perspektiva për ta ndryshuar të ardhmen tonë. Kjo është në dorën e atyre që do të na qeverisin. Se a do ta bëjnë këtë, kjo mbetet të shihet në të ardhmen.