LAJMI I FUNDIT:

Nuk ishte puç, ndoshta ishte revolucion

Nuk ishte puç, ndoshta ishte revolucion

Arbër Vokrri

Kam nja dy fjalë lidhur me ju:


– Liberalë që aplaudoni grusht shtete të përgjakshme,

– institucionalistë që nuk duroni as hedhje gurësh drejt ndërtesës së qeverisë jolegjitime e tradhtare por që arsyetoni bombardim të Parlamentit me legjitimitet të plotë demokratik, të konfirmuar edhe “ndërkombëtarisht”,

– turbo-patriotë që thirreni në popull e që duartrokisni shkeljen e popullit liridashës me tanke,

– fetarë që e mallkoni një imam të një sekti për betejën e tij kundër nxënësit “heretik” e pushtetmbajtës,

– media që vajtoni për lirinë e fjalës e njëkohësisht edhe për dështimin e pushtimit ushtarak të mediave simotra,

– romantikë të vonuar që hakërrini për mungesën e shkollave kombëtare tuajat në Turqi, por që preferoni juntën ushtarake e cila e ka mirëmbajtur atë gjendje ,

– “humanistë” që pikëlloheni nga pamjet e “rambove” të arrestuar nga populli, por që s’bëzani për qindra viktima civile që këta ia shkaktuan të njëjtit popull pak orë më parë,

– ish refugjatë që shpresoni për shpartallimin e shtetit i cili aktualisht strehon tre milionë refugjatë vetëm nga Siria,

– revolucionarë “wanna be” që predikoni emancipim popullor, por që e mbështesni prapakthimin në orët policore dhe terrorin ushtarak po mbi popull,

– majtistë progresistë që përkrahni prapakthimin e shoqërisë në diktatura ushtarake,

– proletarë që e përkëdhelni me fjalë atë formë regjimi e cila për dekada e shtypi me hekur e gjak lëvizjen sindikaliste në Turqi,

– të brengosur për të drejtat e kurdëve, por që dilni kundër qëndrimeve të partisë pro-kurde,

– sekularistë që në emër të laicitetit e lavdëroni “puçin” e rrjetit fetar-konservator,

– mbrojtjes së republikanizmit që dilni kundër qëndrimeve të partisë republikane të vetë Ataturkut ,

– intelektualë e letrarë që pretendoni se dini më mirë ta këshilloni oponencën e establishmentit të një vendi se sa nobelistët disidentë të përndjekur,

– priftërinj katolikë që kurrë s’shfaqët keqardhje për qindra viktimat e terrorit në Turqi, siç shfaqni pikëllim për çdo lëndim të të sulmuarve në Perëndim, por që kësaj radhe s’prani së vajtuari për ushtarët turq që vranë me qindra qytetarë e zyrtarë gjatë tentim-puçit.

– Nolistë të kthyer brenda nate në zogistë…

LËNGATË?

Nevojitet shumë kondicion mental për ta përballuar falsitetin e pothuajse një shoqërie të tërë dhe shumë kurajo për ta diagnostifikuar një kolektiv relativisht të madh me personalitete të dyzuara e me kompleks mesianik. Protagonistë të një shoqërie dje silleshin si profetë dhe sa të pavarur, sa të varur, na predikonin se çka është Shqiptaria dhe shqiptari i mirë, qytetaria dhe kosovari i mirë, ndershmëria dhe besimtari i mirë.

Pasi e kënaqën këtë punë deri në pikën kur e futën një popull të tërë në gjendje kronike hutie, tani me trimërinë që i karakterizon u dëftojnë edhe turqve e Turqisë se kah duhet t’ia mbajë. Reagimi i tyre refleksiv dëfton për një automatizëm që e anashkalon analizën. Shpërthimi i tyre paroksizmal tregon për një kompleks psiko-somatik të skalitur përfundi korës trunore, duke ua pamundësuar shtihimin dhe menaxhimin e traumës në formë sociologjikisht të pranueshme. Preken “në tel” dhe e shfaqin personalitetin e vërtetë.

Po të doja ta arsyetoja një sjellje të këtillë, do thosha se kemi të bëjmë me njerëz të akomoduar me jetën nën juntën ushtarake e cila me atentate e kurthe e uzurpoi komandën në një fraksion të rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi. 17 vjet pajtim e nënshtrim e transformojnë si mënyrën ashtu edhe kapacitetin e të menduarit.

Por, nuk sqarohet e tëra me kaq.

Kam miq të cilët për kaq shumë vite janë lidhur me ishujt e shëndoshë të të menduarit politik, e që befasuan me opinione, duke sharruar në llumin e komenteve skandaloze. Pak janë, por me afinitetin e tyre politik rrezikojnë për ta njollosur një organizatë të tërë, siç po vërehet me sytë e popullit dhe po gjykohet siç din të gjykojë ai.

KOORDINATAT KARSHI R.T.E.

Si qytetar që mundohem të kem mendim politik, besoj se mund të rreshtohem pa fije dyshimi në mesin e kritikuesve më të rregullt e më të zëshëm të politikave të R.T. Erdoganit. Madje kam dëmtuar e edhe humbur shumë miqësi mu për këtë arsye.

Nuk jam një që miratoj manipulimin e masave me frazeologji fetare, as thellimin e pabarazisë sociale, as eliminimin e krijuesve të “mrekullisë” politike Erdogan nga vetë ai, as transferin dhe përqendrimin e pushtetit – sidomos të atij ekonomik – nga konstituentët e demokracisë në duart e bijve dhe dhëndurve. Fund e krye e urrej qasjen e parafinuar imperialiste dhe kujdesin e pamjaftueshëm ndaj interesave të popullit shqiptar (në ç’gjë kontributor i paepur janë edhe klasa e jonë politike), duke vazhduar kështu tutje me një listë goxha të gjatë të defekteve serioze, në shumë dimensione, të politikës erdoaniste, të cilat precipitojnë në një atribut: autoritarizëm i theksuar.

Me këto vërejtje i abonohem asaj gjysme të shtetasve të Turqisë që nuk e votuan Erdoanin, megjithëse nuk nisem krejt nga të njëjtat motive politike. Njëkohësisht, bindjen që po e shpërfaqin të gjithë shqiptarët, pa përjashtim e pa hamendje, edhepse jo secilën herë shprehimisht, se fati i kombit tim është i lidhur me atë të Turqisë, po e ndaj edhe unë, dhe ky është një pozicion më komod se sa t’i takosh një 50 përqindëshi. Natyrisht, e preferoj që fati ynë të mos duhej të ishte i lidhur me asnjë shtet joshqiptar. Këto pikëpamje përkojnë me qëndrimin zyrtar të kamotshëm të subjektit politik në të cilin kontribuoj që më tepër se një dekadë.

Për këtë dhe qëndrime tjera të ngjashme jemi cilësuar shpesh nga llumi i qelbur mediatik shqipfolës si islamistë, flirtues me fundamentalizmin, mbrojtës të terroristëve e epitete tjera të kësaj linje. Por, është e vështirë që të ruhet pastërtia ishullore e një seti vlerash politike në llucën e ndytë të propagandës sistematike që na rrethon. Edhe nëse nuk ngulfatesh në të, do të spërkasin idetë e sistemit!

ME MITE KUNDËR MITEVE

Në botën oruelliane të Luftës së Ftohtë, sidomos pas prishjes së Republikës Popullore të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët e ish-Jugosllavisë e shihnin gjithnjë e më tepër Shqipërinë si “Tokë e Premtuar” dhe shtet amë në vend të Turqisë, e Enver Hoxhën si “baba” mbrojtës. Në botën e sotme huntingtoniane, prapë po kthehet imazhi i Turqisë si mbrojtëse e myslimanëve të periferisë së Evropës, dhe “baba” është Erdoani. Se sa i qëlluar ka qenë dikur dhe sa është i qëlluar sot ky lloj përjetimi, ka më pak relevancë kundrejt faktit se ai është real, se bartë ngarkesë emocionale, ka funksion mobilizues. Gati si një mit. E, kur disa trima e “profetë” marrin guximin ta luftojnë një të tillë, në vend se të përdorin qasje racionale, ata shërbehen me mite tjera e rrjedhimisht në vend të roitl përndritës ata bëjnë vetëm militantin e një kryqëzate të radhës që sall provokon e hasë në rezistencë.

Por, jo vetëm kaq. Me një qasje të këtillë korruptohet ideja burimore dhe humb filli i logjikës, duke shpënë në këtë fenomenin e kontradiktave që i vargova në fillim të këtij shkrimi.

ELEFANTI NË DHOMË

E si mund të ndodhë që gjithë këta alamet intelektualë të tregohen kaq të pakujdesshëm për paraqitjen e tyre publike, ta davarisin imazhin e personit të pjekur dhe të veprimtarit (gazetarit, analistit, shkrimtarit, klerikut, politikanit etj) të besueshëm?

Ndoshta shpjegimi qëndron në mentalitetin e tyre që i udhëheq drejt cakut përfundimtar. Ky mentalitet duket të jetë “qëllimi i arsyeton mjetet”. Është i frikshëm. Aq sa të bën të ndruajtur nëse do ta zbulosh qëllimin.

E si të gjendet ky farë qëllimi? Duke shikuar në retrospektivë dhe duke i lidhur pikat e nxehta, fitohet trajektorja që projektohet në perspektivë. Duke e analizuar përmbajtjen e shkrepjeve pasionante publike, e gjen emëruesin e përbashkët. Në retrospektivë e gjen që përderisa po na kanoset një luftë e re me fqinjët dhe vendi rënkon nën gjithë atë barrë problemesh nga regjim i korruptuar dhe shtet i kapur, ne jemi të zënë duke u përlarë për ngjarjet në Turqi, para kësaj për pamjen e botës virtuale e reale gjatë Ramazanit, para kësaj për Betejën e Kosovës, para kësaj për karakterin e Lidhjes së Prizrenit, para kësaj për shkrimet e shtypit botëror për Kosovën, para kësaj dhe përherë për përfshirjen e disa shqiptarëve në luftërat e Lindjes së Mesme, e kështu me radhë.

Kur e këqyr përmbajtjen e kacafytjeve, gjen se një grup rreshtohet në anën e “puçistëve”, në anën e kulturës beogradase, në anën e Car Llazarit, në anën e idesë pansllaviste “Ballkani-Ballkanasve!”, në anën e propagandës serbe në rrafshin ndërkombëtar për shqiptarët, në anën e Assadit e kështu me radhë, duke shkelur mbi secilin parim të cilin e proklamojnë nacionalizmin, qytetarinë, humanitetin dhe paanësinë.

Këta janë përfaqësues të standardit zyrtar të historiografisë, politikës dhe gazetarisë së hapësirës shqiptare. Kundrejt tyre në mënyrë stihike rreshtohet një grumbull I paorganizuar njerëzish që më rehat ndihen kur janë:

– në anën e vullnetit popullor, qoftë të jetë ai edhe populli turk,

– në anën e kulturës popullore shqiptare, në anën e armikut të Car Llazarit, Sulltan Muratit,

– në anën e themeluesve të nacionalizmit shqiptar në Lidhjen e Prizrenit, kundër motos “Ballkani-Ballkanasve!”,

– në anën e disidencës së vërtetë shqiptare dhe luftës së saj ndaj propagandës serbofile botërore, qoftë edhe duke mbajtur nostalgji për nallet e nënave tetovare

– në anën e kryengritësve anti-Assad etj.

Gardianët e standardit zyrtar duke tentuar të vishen me petk moralizues formojnë figura groteske. E huqin çdo definicion, e shtrembojnë çdo koncept sepse duan ta shmangin vëmendjen nga elefanti i tyre në dhomë: Islamofobia.

Islamofobia është emëruesi i përbashkët i diskursit standard-zyrtar në agorën shqiptare dhe s’besoj se ka nevojë për thellim analitik për ta argumentuar këtë konstatim.

HUQJE KONCEPTUALE

Në cirkun grotesk të profetëve dhe gardianëve të paradigmit zyrtar të instaluar në hapësirën shqiptare, shfaqja e fundit shpërfaqi edhe dy gabime konceptuale, të lidhura me nocionet “grusht-shtet” (puç) dhe “diktaturë”. Grusht-shtet është akti i një grupi ushtarakësh pa larushi partiake që vendosin ta shfuqizojnë rendin politik civil brenda shtetit të tyre, për ta zëvendësuar me administrim ushtarak.

Në rastin e fundit në Turqi, nuk ishte ashtu. Pati një organizatë me prapavijë fetare me shtrirje të gjithanshme nëpër institucione, e që ushtarakët e saj tentuan ta imponojnë vullnetin e tyre politik mbi kolegët dhe mbi tërë shtetin, organizatë e cila funksiononte si një qeveri nën hije brenda qeverisë dhe që për marrje të pushtetit nuk zgjedh mënyra (i kombinuar me gjakderdhje, akti i tyre nuk përbën grusht-shtet, por së paku subversion me primesa terrori).

Cilësimi i modelit qeverisës të presidentit aktual R.T. Erdoan si diktaturë, sipas mendimit tim, nuk qëndron. Ai i ka fituar deri më tani një sërë zgjedhjesh demokratike nën vëzhgim të organizatave kredibile ndërkombëtare dhe sistemi pluralist turk funksionoi tërë kohën e qeverisjes së tij. Unë e besoj se fjala është për një autoritarizëm, mbase edhe të theksuar, por prapë nuk qëndron krahasimi i tij me Putinin. Ky i fundit nuk ka hezituar t’i vrasë një numër të konsiderueshëm gazetarësh e kundërshtarësh politikë, t’i burgosë liderët e opozitës dhe këtu është një dallim i madh me politikën e Erdoganit.

Ajo që po i mungon tërë kësaj tollovie opinionesh është fjala “Revolucion”.

Një ideologji apo doktrinë politike e cila arrin të pranohet nga një masë kritike në popull dhe që synon ta ndërrojë sistemin politik, zhvillohet deri në një moment kur fuqia e saj arrin ta rrëzojë barrierën politike të sistemit dhe populli i emancipuar i vërshon sheshet dhe institucionet e vendit duke mos iu trembur flijimit si dhe duke e siguruar vijimësinë e idealeve të tij përmes institucioneve.

Pikërisht këtë e pamë të ndodhte në fundjavën e kaluar në Turqi, e që nuk mund të mos e krahasojmë me revoltën e Shqipërisë së 1997-ës.Në Turqi nuk u plaçkit asnjë pronë, e madje nuk u vandalizua asnjë institucion.

Turqia e traktatit të Lozanës deri tevona funksionoi si Juntë ushtarake, me improvizime defektoze të demokracisë dhe me proces të vesternizimit goxha të dhunshëm. Me ardhjen në pushtet të AKP-së, rendi politik filloi të zhvendosej nga hija e Juntës dhe t’i përngjajë demokracive evropiane. Madje, gjatë qeverisjes së Erdoanit ndodhi revolta e parë masive qytetare kundër një qeverie qysh nga vitet ’70, por që u shtyp me dhunë pasi në javën e tretë doli nga kontrolli dhe nuk pati ndonjë platformë politike duke degraduar në vandalizëm banal.

Kjo dëfton për një ambient krejt tjetër politik të krijuar nga qeverisja e AKP-së. Për ta krijuar këtë ambient demokratik, populli i Turqisë i përdori të gjithë mekanizmat legalë, me qëllim për ta zbatuar vullnetin e tij, vullnet që kërkon edhe kontroll popullor (demokratik) të Ushtrisë. Pas ngjarjeve të këtij mesi korriku, duket se kërcënimi i regjimeve ushtarake mori fund. Kjo përvojë duhet ta bëjë secilin kritik të Erdoanit ta rimendojë pozicionimin e mëtejmë karshi tij, sidomos makiavelistët që besojnë se qëllimi i arsyeton mjetet.

Ka edhe një dimension tjetër për ta përforcuar këtë pohim. E kemi parë që ka patur qërime hesapesh edhe përbrenda AKP-së për një kohë të gjatë, e që kulmuan me largimin e ideologut kryesor të partisë, Ahmet Davutogllu. Projektuesi i idesë së etiketuar si “neo-otomanizëm”, Davutogllu ishte ithtar angazhimit të vendosur të Turqisë nëpër shtetet që janë krijuar pas rënies së Perandorisë Osmane. Me largimin e tij, duket se Turqia nga ambicia perandorake po i rikthehet përfundimisht idesë së shtetit-komb. Nëse ky spekulim vërtetohet, atëherë me këtë mënyrë që e pamë të konfirmimit të autoritetit të Erdoanit, kemi të bëjmë me zhvendosje “tektonike” të gjeopolitikës.

POZICIONIMET BRENDASHQIPTARE, SIKUR NË BOSNË DHE HERCEGOVINËN E VITEVE ‘80

Pozicionimet tona kundrejt fenomenit “Erdoan” janë shprehje e pozicionimeve ndaj kulturës sonë, ndaj identitetit, ndaj objektivave politike dhe botëkuptimeve që gëlojnë brenda shoqërisë shumëfish të fragmetuar shqiptare. Vërehet qartë se fragmentimi i lëshon vend polarizimit sa herë që tema përherë aktuale e Islamit ngelet e parivalizuar nga aktualitetet tjera.

Gardianët dhe profetët e sistemit në njërën anë dhe “underground”-I amorf në tjetrën. Diskursi I sistemit dhe reagimet stihike që ngjall të kujtojnë përplasjet ideologjike në Bosnjën e viteve ’80. Një popull me gjuhë të njëjtë, me territor e histori të përbashkët, me amalgamë të ngjashme prejardhjeje, me kulturë të ngjashme, por me fe të ndryshme. Me dobësimin e sistemit monist, sikur u hoqën frerët e shovinizmit serbomadh, por edhe të atij kroat, duke e provokuar reaksionin zinxhiror në tërë ish-Jugosllavinë. Kasaphana që pasoi e goditi më së shumti “kopshtin e vëllazërim-bashkimit” – Bosnjën, ku edhe familjarët kryenin krime ndaj njëri-tjetrit, sipas luajaliteteve etno-fetare. Shënjestra kryesore ishin populli shumicë i atjeshëm, myslimanët. Pakti i Karagjorgjevës ishte vetëm miratim politik i krejt ligjërimit të deriatëhershëm të qarqeve intelektuale serbe e kroate, duke filluar së paku një dekadë më parë, kurse gjenocidi që pasoi ishte veç rrjedhë e logjikës fashiste të toleruar në kohë paqeje.

Paralelet e tërhequra mes atij konteksti dhe këtij të tanishëm shqiptar duken ogurzeza, por le ta kujtojmë thënien se i mençuri mëson nga gabimet e tjetrit, budallai nga të vetat. Sa s’është bërë vonë.