LAJMI I FUNDIT:

“Nuk e duroj dot atë njeri. Është i tmerrshëm, vërtetë i tmerrshëm”: Gafat e udhëheqësve botërorë me mikrofonin hapur

“Nuk e duroj dot atë njeri. Është i tmerrshëm, vërtetë i tmerrshëm”: Gafat e udhëheqësve botërorë me mikrofonin hapur

Për njerëzit e mësuar të jetojnë nën blicet e medias, është e habitshme se sa shpesh udhëheqësit botërorë harrojnë rregullin e artë të transmetimeve: Gjithmonë mendo që mikrofoni është ndezur.

Ja disa prej rasteve më të paharrueshme, kur gjërat kanë shkuar keq:


Obama, Sarkozy flasin keq për Netanjahun

Presidenti Barak Obama, si dhe homologu i tij i atëhershëm francez, Nikolas Sarkozi, u gjend nën zjarrin e kritikave në nëntor 2011, pasi u dëgjuan tek flisnin për Kryeministrin izraelit, Beniamin Netanjahu në samitin e G20-ës.

Sarkozi i tha Obamës: “Nuk e duroj dot, është gënjeshtar”, sipas faqes së internetit Arret sur Images. Thuhet se Obama u përgjigj: “Je lodhur prej tij; pa më pyet mua? Mua më duhet të merrem me të përditë”.

Gordon Braun për votuesen fanatike

Fushata e Kryeministrit të atëhershëm britanik, Gordon Braun nuk po shkonte shumë mirë, por ai as e kishte idenë se sa do të përkeqësohej, kur të ndalej dhe të bisedonte me një votuese në Rochdale, Angli, një javë para zgjedhjeve.

Xhillian Dafi, një pensioniste 66- vjeçare e qortoi Braunin, duke shpjeguar përse – pavarësisht se kishte mbështetur laburistët e tij gjithë jetën – tani kishte turp të pranonte përkatësinë politike.

Brauni vazhdoi me një bashkëbisedim të sjellshëm me të para kamerave, më pas u largua, pa e ditur që mikrofonin e kishte ende ndezur. Kur hyri në makinë, ai iu ankua këshilltarëve: “Kjo ishte katastrofë. Nuk duhej të më kishin vënë kurrë me atë grua… Qesharake… grua fanatike”. Më pas Brauni kërkoi ndjesë, por i humbi zgjedhjet.

Xhorxh Bush dhe Toni Bler

Paraardhësi i Braunit, Toni Bler ishte dëshmitar i një prej gafave më të mëdha me mikrofonin ndezur nga presidenti Bush, gjatë një dreke pune në samitin e G8- ës në Rusi. Bushi e përshëndeti Kryeministrin duke thirrur “Yo Blair!” dhe e falënderoi për një pulovër, që Bleri ia kishte dërguar së fundmi si dhuratë.

Më pas, ai nisi të diskutojë për situatën në Lindjen e Mesme, duke ofruar një zgjidhje jo dhe aq diplomatike për vështirësitë mes Sirisë dhe Izraelit. “Ajo që duhet të bëjnë”, i tha ai Blerit, “është ta detyrojnë Sirinë që të detyrojë Hezbollahun t’i japë fund këtij m…, dhe kështu e gjitha merr fund”.

Bushi për një gazetar

Presidenti i 43 i SHBA i kishte zakon gafat – për “Bushizmat” e tij të famshme janë shkruajtur libra të tërë – dhe ato u shfaqën edhe gjatë fushatës.

Në një ndalesë në Illinois në vitin 2000, Bushi u kap nga kamerat duke e quajtur Adam Klajmerin e Nju Jork Tajms një “trap të madh”, dhe Dik Çenej iu përgjigj aty për aty: “Oh po, shumë i madh”.

Më pas Bushi tha se i vinte keq që komentet e tij ishin dëgjuar. “Më vjen keq që komentet private u shfaqën në televizione”, tha ai. “Më vjen keq që njerëzit i dëgjuan”.

Princi Çarls për korrespondentin e Familjes Mbretërore

Bushi nuk është e vetmja figurë publike që ka shprehur zemërim dhe irritim ndaj mediave në një moment kur e kanë kapur pa dashje kamerat.

Princi Çarls u kap nga media britanike teksa pëshpëriste për një gazetar, me të bijtë, Uilliam dhe Herri, gjatë një seance fotografish kur ndodheshin me pushime për ski në Zvicër.

“Nuk e duroj dot atë njeri. Është i tmerrshëm, vërtetë i tmerrshëm”, tha ai për Nikolas Uitçuell, korrespondent i BBC për familjen mbretërore.

Komenti ndihmoi shumë pak për të rregulluar marrëdhënien e tij me median, dhe vërtetoi që gafat sërish mund të ofendojnë, edhe kur thuhen me gjuhë të sjellshme.

Xho Bajden dhe Obama

Zëvendës presidenti i SHBA, Xho Bajden është në një nivel vërtetë më vete. Në një prej gafave të tij më të famshme, ai u kap në kamera duke përdorur fjalën Fuck teksa përgëzonte Obamën për firmosjen e një ligji të shumëdiskutuar për ribërjen totale të kujdesit shëndetësor, në mars 2010.

Duke ia prezantuar presidentin mediave, ai u kthye të përqafojë Obamën, duke pëshpëritur: “This is a big fucking deal”.

Xhon Mejxhër për kolegët… dhe vetveten

Zgjedhjet janë gjithmonë një terren pjellor për gafa, teksa politikanët luftojnë për kohë televizive dhe tituj gazetash, por kryeministri i atëhershëm i Britanisë së Madhe, Xhon Mejxhër u gjend në telashe në vitin 1993, kur pranoi se nuk e kuptonte përse njerëzit vazhdonin ta votonin.

Një ditë pasi pjesëtarët e Partisë së tij Konservatore ishin rebeluar në Parlament, për shkak të planeve për zgjerimin e lidhjeve të Britanisë me Europën, Mejxhër që zakonisht ishte shumë i rezervuar, u dëgjua tek i quante “bastardë” ligjvënësit euroskeptikë, dhe kanosej që t’i “kryqëzonte”. Duke folur me një gazetar pas një interviste – kur mendonte se mikrofoni ishte fikur – Mejxhëri tha se “nuk e kuptoj përse një burracak si unë vazhdon të fitojë”.

Zhak Shirak për ushqimin britanik

Presidenti i Francës, Zhak Shirak gjithashtu është kapur pa dashje nga kamerat, duke kritikuar një komb të tërë.

Shiraku po luante një rol udhëheqës në përpjekjet e Parisit për të organizuar Olimpiadën e vitit 2012, kur u përpoq të bënte maksimumin me atë që e shihte si avantazh të qartë ndaj konkurrentit britanik: ushqimin. “E vetmja gjë që ata kanë bërë ndonjëherë për bujqësinë europiane, është sëmundja e lopës së çmendur”, i tha ai presidentit rus, Vladimir Putin dhe kancelarit të atëhershëm të Gjermanisë, Gerhard Shrëder. “Nuk mund t’u besosh njerëzve që kanë kuzhinë kaq të keqe”.

Komentet provokuan zemërimin e tabloidëve britanikë, por ata që qeshën të fundit ishin pikërisht britanikët, pasi fituan të drejtën për organizimin e Olimpiadës.

Ronald Regan për Rusinë

Një shaka e presidentit Ronald Regan në kulmin e Luftës së Ftohtë mund të kish patur pasoja vërtetë serioze.

Duke marrë pjesë në një kontroll të zërit pak përpara fjalimit të përjavshëm radiofonik në gusht 1984, Regani u tha dëgjuesve: “Bashkatdhetarët e mi amerikanë, jam i kënaqur t’ju shpall sot se kam firmosur ligje që e nxjerrin Rusinë të paligjshme, një herë e përgjithmonë”. /Bota.al/

Në trend Fun

Më shumë
Elefanti ia kthen këpucën vogëlushit që i ra në hapësirën e dedikuar për kafshën gjigante

Elefanti ia kthen këpucën vogëlushit që i ra në hapësirën e dedikuar për kafshën gjigante

Interesante
Reagimi i qenit pasi u braktis nga pronari i tij – pasi pamjet u bënë virale, dikush u kujdes që t'i gjente një 'shtëpi të re'

Reagimi i qenit pasi u braktis nga pronari i tij – pasi pamjet u bënë virale, dikush u kujdes që t'i gjente një 'shtëpi të re'

Interesante
Disa nga tatuazhet më të veçanta – që kanë një kuptim interesant, gjithashtu

Disa nga tatuazhet më të veçanta – që kanë një kuptim interesant, gjithashtu

Interesante
Demi hyn brenda një dyqani telefonash dhe shkakton dëme të konsiderueshme

Demi hyn brenda një dyqani telefonash dhe shkakton dëme të konsiderueshme

Interesante
Një turist  në Norvegji është gjobitur me rreth 1,000 euro për shkak se iu afrua shumë një “lope deti”

Një turist në Norvegji është gjobitur me rreth 1,000 euro për shkak se iu afrua shumë një “lope deti”

Interesante
Historia e konkurrentit të 'shfaqjes më mizore në botë' – e kuptoi se teksa po jetonte i zhveshur, po ndiqej nga miliona njerëz

Historia e konkurrentit të 'shfaqjes më mizore në botë' – e kuptoi se teksa po jetonte i zhveshur, po ndiqej nga miliona njerëz

Interesante
Kalo në kategori