Nё ditёn e tretё tё takimeve me pёrfaqёsues tё pёrhershёm tё akredituar pranё Organizatёs sё Kombeve tё Bashkuara në New York, ministri Hyseni ka takuar ambasadorin jordanez Mohammed F. Al-Allaf.

Ministri Hyseni – siç bën të ditur Ministria e Jashtme - ka falёnderuar ambasadorin jordanez pёr votёn nё mbёshtetje tё rezolutёs sё Organizatёs sё Konferencёs Islamike pёr Kosovёn. Ai, po ashtu ka ripёrsёritur thirrjen pёr njohje nga Mbretёria e Jordanit.

Ambasadori Al-Allaf, nga ana e tij – siç theksohet në komunikatë - ёshtё shprehur se çёshtja e njohjes ёshtё çёshtje kohe, dhe e ka siguruar ministrin Hyseni se, pavarёsia e Kosovёs “ёshtё duke u shqyrtuar seriozisht nga Qeveria e Jordanisë”.

Ministri Hyseni ka zhvilluar takime edhe me pёrfaqёsuesin e pёrhershёm tё Hondurasit nё Kombet e Bashkuara, pastaj atë të Bruneit, Butanit dhe të Surinamit. Në të gjitha këto takime, shefi i diplomacisë kosovare përpos se i ka njohur bashkëbiseduesit e vet me zhvillimet aktuale në Kosovë, me progresin që ka mbërritur Kosova në vitin e parë të pavarësisë, ka ripërsëritur gjithashtu kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/