LAJMI I FUNDIT:

Njohësit e ekonomisë: Nëse nuk votohet buxheti, pasojat janë të mëdha (Video)

Njohësit e ekonomisë: Nëse nuk votohet buxheti, pasojat janë të mëdha (Video)

Nesër  do të mbahet  seanca  për votimin e projektligjit për pagat si dhe të buxhetit për këtë vit. Ky buxhet po kundërshtohet nga dy partitë opozitare.  Ndërkaq, njohësit e ekonomisë tregojnë pasojat në rast  se nuk kalon projektligji për buxhetin.

Lëvizja vetëvendosje ka paralajmëruar se nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2019 në seancën e nesërme. Deputetja Arbërie Nagavci thotë se ky projektbuxhet nuk ndikon në mirëqenien e qytetarëve


“Projektligji për buxhetin nuk është buxhet që përmirëson jetën e qytetarëve…Për një varg arsyesh ne nuk do ta votojmë këtë buxhet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arbërie Nagavci.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur rezervat e saj për projektbuxhetin për vitin 2019. Mirëpo nëse buxheti nuk kalon, pasojat do të jenë të mëdha, thotë profesori i ekonomisë Sejdi Rexhepi. Thekson se pasojat vërehen  edhe në projektet  e mëdha shtetërore.

“Vonesa e aprovimit të buxhetit do të ketë pasoja në vonesën e përfundimit të suksesshëm të projekteve. Këto pasoj do të barten në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve”, deklaroi Sejdi Rexhepi.

Gjithashtu, Rexhepi tregon një mundësi të funksionimit në rast se nuk kalon projektligji për buxhetin.

“Ekziston edhe një opsion tjetër ligjor që mund të merr Kuvendi i Kosovës. Të merr një vendim për zgjatjen e kësaj periudhe të jashtëzakonshme të financimit edhe për dy muaj. Por edhe ky vendim duhet të merret me një vendim të veçantë të Kuvendit”, deklaroi profesori Sejdi Rexhepi.

Buxheti miratohet me  61 vota të deputetëve  të Kuvendit./Telegrafi/