Një yll vietnamez i TikTok-ut arrestohet për shitjen e pilulave të rrezikshme për humbje peshe

Një yll i TikTok-ut nga Vietnami është arrestuar nën akuzën se ka shitur ilaçe të rreme për humbje peshe dhe produkte kozmetike që përmbajnë substanca të ndaluara dhe të rrezikshme për shëndetin, raporton LADbible.
Ekspertët shpesh paralajmërojnë se këshillat shëndetësore nuk duhet të kërkohen nga influencerët në rrjetet sociale. Qëllimi i tyre shpesh është vetëm të rrisin numrin e ndjekësve duke ndjekur trendet më të fundit dhe duke ofruar zgjidhje që pretendojnë të jenë “magjike”. Problemi është se këto zgjidhje jo vetëm që zakonisht nuk janë të dobishme, por mund të jenë edhe jashtëzakonisht të rrezikshme për jetën dhe shëndetin.
Rasti i yllit të TikTok-ut, Vo Thi Ngoc Ngan e konfirmon këtë shqetësim. Ajo u arrestua në Vietnamin më 13 tetor. Hetuesit zbuluan se nën markën e saj ZuBu Shop, e cila kontrollonte vetë, ajo prodhonte dhe shiste shtesa ushqimore të rreme për humbje peshe.
Sipas policisë, Ngan ka bashkëpunuar që nga viti 2021 me fabrika për prodhimin e shtesave që përfshinin “kapsula bimore me kolagjen” pa licencë. Për të shmangur ligjet, ajo i paketonte kapsulat si “dhurata falas” së bashku me produktet që shiste. Gjatë hetimeve, policia raporton se ajo “nuk ishte e sinqertë, jepte deklarata shmangëse dhe i atribuonte fajin të tjerëve për të shmangur përgjegjësinë”.
Paketat e saj shiteshin me çmime midis 28 dhe 35 euro, duke i siguruar fitime të konsiderueshme. Megjithatë, testimet mbi kapsulat e kontestuara zbuluan se ato përmbanin substanca të ndaluara, përfshirë sibutramin dhe fenolftaleinë. Të dyja përdoren në produktet për humbje peshe, por janë të ndaluara në shumë vende për shkak të rreziqeve serioze shëndetësore.
Efektet anësore potenciale përfshijnë probleme kardiovaskulare, tension të lartë të gjakut, shqetësime tretëse dhe rritje të rrezikut për kancer. Pavarësisht këtyre rreziqeve, Ngan promovonte produktet e saj në rrjetet sociale, duke pretenduar se përdoruesit mund të humbnin nga 4 deri në 15 kilogramë. Paratë nga shitja supozohej se derdheshin në llogaritë e familjarëve dhe punonjësve të saj, para se të përfundonin tek ajo.
Policia e Ho Chi Minh-ut ka njoftuar se do të zgjerojë hetimin për të zbuluar se kush tjetër ishte i përfshirë në këtë operacion të paligjshëm. Ngan do të përballet me akuza për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore të falsifikuara.
Ky rast shërben si një kujtesë tjetër mbi paralajmërimet e mjekëve për rreziqet e blerjes së produkteve të rreme për humbje peshe dhe përdorimin e shtesave që nuk janë miratuar nga profesionistë të shëndetit. Popullariteti i trajtimeve për humbje peshe ka njohur rritje vitet e fundit, dhe me të ka rritur edhe numri i mashtruesve që përpiqen të shfrytëzojnë situatën. Përveçse shpesh nuk funksionojnë, këto produkte të rreme mund të përmbajnë substanca që kërcënojnë seriozisht shëndetin. /Telegrafi/




























































