LAJMI I FUNDIT:

Një studim i ri pohon: Kjo sjellje mund të jetë një shenjë e demencës te qeni juaj

Një studim i ri pohon: Kjo sjellje mund të jetë një shenjë e demencës te qeni juaj

Pronarët e qenve janë të vetëdijshëm për faktin e trishtuar, por realist që këlyshi i tyre i mrekullueshëm do të bëhet plak në vetëm pak vite

Këto janë javë rraskapitëse në të cilat ne i kushtojmë të gjithë vëmendjen dhe një pjesë të madhe të kohës këlyshit, i cili duhet të mësojë bazat e higjienës, sjelljen në shtëpi dhe marrëdhëniet me njerëzit dhe kafshët e tjera.


Por, duhet të pranojmë gjithashtu se vitet që kalojmë me një kafshë shtëpiake shtohen në mënyrë të pashmangshme dhe se ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm se sa shpejt kalojnë ato.

Kinologët thonë se qentë e vegjël plaken nga mosha 7 deri në 10 vjeç, ndërsa për racat më të mëdha është rreth moshës 6 vjeç. Ndërsa qimet në fytyrat e tyre zbardhen, mund të vërejmë gjithashtu se ata çorientohen dhe hutohen.

Hulumtimet e fundit nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut sugjerojnë se mosfunksionimi kognitiv nuk ndodh vetëm te njerëzit, por prek edhe miqtë tanë me katër këmbë. Ky hulumtim tregon për shumë ngjashmëri në shenjat e demencës tek njerëzit dhe qentë, transmeton Telegrafi.

Shenjat e demencës tek qentë

Ndryshimet në sjelljen e qenit tregojnë mosfunksionim kognitiv, nga bredhja pa qëllim deri te ngecja në qoshet e dhomave në shtëpi. Një nga treguesit e demencës, sipas studimit, është shpejtësia me të cilën ecin qentë e moshuar dhe kjo mund të lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e trurit të tyre.

Dr. Natasha Olby, autore e studimit, thotë se “shpejtësia e ecjes tek njerëzit lidhet me rënien njohëse”. Duke supozuar se e njëjta gjë ndodh tek qentë, studimi përfshiu matjen e shpejtësisë së ecjes së qenit jashtë zinxhirit te qentë e rritur, të cilët shërbenin si grup kontrolli, por edhe te qentë më të vjetër. Qentë më të vjetër iu nënshtruan testeve njohëse shtesë dhe pronarët e tyre plotësuan një pyetësor për vlerësimin kognitiv. Gjetjet zbuluan se qentë e moshuar, të cilët lëviznin më ngadalë, treguan rënie më të theksuar njohëse, siç u vlerësua përmes një pyetësori dhe testimi kognitiv.

Kujdesi ndaj qenve të moshuar
Lexo po ashtu Kujdesi ndaj qenve të moshuar

Matja e shpejtësisë së ecjes së qenit

Matja e shpejtësisë së ecjes së një qeni nuk është aq e thjeshtë sa duket, sepse qentë mbajnë ritmin me atë që i drejton. Kjo është arsyeja pse testet u kryen me qen, shpejtësia e ecjes së të cilëve u testua gjatë ecjes me zinxhir, dhe më pas pa të. U zbulua se një qen me zinxhir kontrollon shpejtësinë gjatë ecjes, por edhe se nuk ka shumë ndryshim kur është i lirë. Njohja e shpejtësisë së ecjes pa zinxhir bën të mundur të shihet se sa i aftë fizikisht dhe i motivuar mendërisht është një qen i moshuar për të shpejtuar ecjen kur ofrohet ushqim.

Është interesante se madhësia e qenit nuk ishte vendimtare për “përshpejtimin”, pra ecjen më të ngadaltë. Qentë e moshuar në tremujorin e fundit të jetëgjatësisë së tyre ishin më të ngadaltë se qentë e pjekur, pavarësisht nga madhësia e tyre. Kjo rënie është e ngjashme me atë të njerëzve që ngadalësojnë ecjen e tyre ndërsa i afrohen pjesës së fundit të jetës.

Shpejtësia e ecjes së qenve dhe rënia kognitive

Dr. Olby thekson lidhjen e thellë midis lëvizshmërisë dhe njohjes, dy pika kyçe që ndryshojnë me plakjen. Lëvizshmëria e reduktuar çon në një ndikim të reduktuar në sistemin nervor, duke demonstruar kështu lidhjen midis shpejtësisë së ecjes dhe demencës.

Përfundimi i këtij hulumtimi është i dyfishtë: korrelacioni i vendosur midis shpejtësisë së ecjes dhe demencës tek qentë pasqyron të njëjtën dukuri tek njerëzit dhe thjeshtësia e metodologjisë së testimit, e cila është e shkurtër dhe e motivuar nga ushqimi, shërben si një test bazë për zbulimin e plakjes në kafshët shtëpiake.

Prandaj, një ndryshim në shpejtësinë e ecjes së një qeni të plakur mund të jetë një shenjë e hershme e rënies njohëse. Konsultohuni me veterinerin tuaj për ndryshimet që do të përballet qeni juaj, në mënyrë që të jeni të përgatitur për t’i dhënë kujdesin dhe mbështetjen më të mirë në vitet e tij të arta. /Telegrafi/