LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhënie ryshfeti zyrtarit kufitar

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për dhënie ryshfeti zyrtarit kufitar
Foto: Ilustrim

I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj të pandehurit E.R, i dyshuar për dhënie të ryshfetit policit kufitar në Vërmicë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, “I pandehuri E.R., në mënyrë të drejtpërdrejt i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në mënyrë që ai person të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare”.

“Më datë 06 prill, në orët e pasdite, duke kaluar si pasagjer me automjet në pikën kufitare Shqipëri – Kosovë, në Vërmicë, pasi ndalohet automjeti në fjalë nga zyrtari policor, i pandehuri E.R., në lejen e qarkullimit të automjetit të tij e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro, dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se : “këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin”, thuhet në komunikatë.

Nën këto dyshime, gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 06.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 06.05.2021.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas i Shqipërisë, dhe me lënin në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë gjatë fazës së hetimit dhe në faza tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit, pasi që i njëjti është recidivist dhe kryerës i veprave tjera edhe në të shkuarën dhe për këtë arsye e ka pasur të ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës.

“Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, theksohet në fund të komunikatës. /Telegrafi/