LAJMI I FUNDIT:

Një muaj paraburgim ndaj inspektorit të Shtimes për keqpërdorim të detyrës

Një muaj paraburgim ndaj inspektorit të Shtimes për keqpërdorim të detyrës

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit T.S shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I pandehuri dyshohet se gjatë muajit shtator të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018 në Shtime në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme pasurore për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër, tani të dëmtuarit H.Sh, në atë mënyrë që nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë, si dhe shumën prej 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që ta pajisë me leje ndërtimi duke i shkaktuar dëme në vlerë prej 1.080 euro dhe të njëjtin nuk e ka pajisur me leje ndërtimi, por e ka lejuar që ti ndërtonte dy shtëpi pa leje”, thuhet në njoftimin për media.


Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/