LAJMI I FUNDIT:

Një letër e humbur që e bëri miliarder në teknologji australianin

Një letër e humbur që e bëri miliarder në teknologji australianin

Scott Farquhar një ndërmarrës australian donte t’i bashkohej një prej institucioneve më të mira ushtarake të vendit pasi mbaroi shkollën e mesme. Por letra nga Akademia e Forcave të Mbrojtjes së Australisë që i ofronte atij një vend në radhët e tyre humbi gjatë postimit. Në kohën kur ajo arriti në shtëpinë e Scott pas rreth dy muajsh, ai ishte regjistruar në universitet.

Ajo letër e humbur e bëri atë dhe partnerin e tij në biznes Mike Cannon-Brookes miliarderët e parë australianë në fushën e teknologjisë

“Nëse letra do të kishte ardhur më parë, historia ime mund të kishte marrë tjetër rrjedhë”, thotë Scott.

Me një kartë krediti dhe asgjë më shumë, ortakët themeluan kompaninë softwerike Atlassian në vitin 2002. Firma e radhitur në Indeksin e NASDAQ tashmë vlen 25 miliardë dollarë dhe dy ortakët kanë një pasuri prej shtatë miliardë dollarësh secili.

Të rritur mes një shtrese punëtore në periferi të Sidnejit, Scott thotë se gjithmonë ka pasur një pasion për kompjuterët.

“Më kujtohet që qaja gjatë natës sepse shoku im kishte kompjuter dhe unë e doja një të tillë”, thotë ai, përcjell Telegrafi.

Prindërit e tij i blenë një kompjuter të përdorur dhe ai kaloi rreth një vit duke u përpjekur që ta vërë në punë. Ndërsa më vonë ai filloi të programonte.

Scott u njoh me Mike teksa të dy po studionin për shkenca kompjuterike dhe biznes në Universitetin e New South Wales në Sidnej. Të dy miqtë e mbaruan shkollën dhe donin të punonin për veten e tyre. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë, të mos bënin një jetë luksoze dhe të fitonin më shumë se 35 mijë dollarë amerikanë në vit. Ajo ishte afërsisht paga që të diplomuarve të tjerë u ofrohej nga bankat e mëdha dhe firmat llogaritare.

“Në atë fazë, unë po jetoja në një shtëpi të përbashkët në universitet dhe po haja makarona të konservuara çdo ditë. Nuk kishim shumë për të humbur”, thotë Scott.

Një prekje magjike ishte mënyra se si një kompani “e tmerrshme” e ndihmës teknike u kthye në një kompani programesh. Klientët ishin të vështirë për t’u fituar si fillim dhe ishin përgjithësisht njerëz që ata i njihnin.

Pastaj një ditë në 2003, mbërriti një faks. Ishte një porositje nga American Airlines. Ai faks akoma qëndron i varur jashtë zyrës së Scottit në bazën e kompanisë në Sidnej. Ishte fundi i asaj çfarë ai e përshkruan si një lloj beteje “dorë më dorë” për të gjetur klientë. Tashmë ata po ndërtonin Atlassianin e vërtetë.

“Ajo ishte pika e kthesës kur ne e kuptuam që po ia dilnim mbanë”, thotë ai.

Scott ia atribuon rritjen që pësoi kompania pjesërisht modelit të saj të shitjeve. Duke i bërë produktet e tyre të gatshëm online, ata i bënë softwaret e tyre të biznesit drejtpërdrejt të arritshëm nga klientët. Kjo do të thotë që Atlassian, e cila vitin e kaluar arriti një miliard dollarë të ardhura, mund të kishte qasje në tregje të cilat nuk mund t’i përballonte me mënyrat tradicionale të shitjeve. Në ditët e sotme, Coca-Cola, Twitter dhe Visa janë në mesin e mijëra firmave që përdorin produktet e tyre.

Teksa biznesi rritej, siguroi një investim të jashtëm prej 60 milionë dollarësh në 2010. Atlassian, i emërtuar sipas perëndisë greke Atlasit, lundroi në tregun e aksioneve të New York, NASDAQ në 2015. Scott ishte aty për të dhënë lajmin bashkë me Mike dhe kolegët e tjerë, teksa mbërritja surprizë e gruas dhe tre fëmijëve të tij e bëri atë të fshinte lotët e gëzimit. Të gjithë festuan në Times Square me pica dhe shampanjë të lirë.

“Nuk patëm menduar aspak për pjesën e festimeve”, thotë Scott, përcjell Telegrafi.

Është një histori suksesi që dukej relativisht e paqartë. Një ide e paqartë, e ndjekur me pak kapital, që shpërtheu duke u shndërruar në një nga eksportet më të çmuar të teknologjisë në Australi. Por Scott është i bindur se udhëtimi nuk ka shkuar gjithmonë vaj.

“Kanë kaluar 17 vjet e gjysmë. Ne kemi bërë gabime gjatë rrugës. Ne kemi publikuar produkte shumë vonë, kohët e fundit na u desh të tërhiqnim një produkt që nuk ia doli në treg”, thotë ai, duke theksuar se firma nuk është një “sukses brenda natës”.

Por nuk ka asnjë dyshim për angazhimin e Scott ndaj biznesit. Teksa ishte në muajin e tij të mjaltit në Afrikë ai fluturoi përsëri në Sidnej për t’u marrë me një problem në punë.

“M’u deshën disa vite për t’ia shlyer gruas time”, thotë ai.

Analisti i teknologjisë Ray Wang i Constellation Research thotë se miqësia e ngushtë e Scott dhe Mike është një faktor kryesor pas suksesit të Atlassian.

“Njerëzit shpesh shikojnë Atlassian dhe thonë… kjo histori është aq e mirë. Kjo për shkak se ata kanë qenë miq për kaq shumë kohë. Ata janë njerëz të qëndrueshëm, normalë. Ata janë pragmatikë dhe ata e dinë që ishin me fat”, thotë Wang.

Scott thotë se ai dhe Mike, i cili është moshatar me të dhe ka titullin e drejtorit ekzekutiv, “plotësojnë” njëri-tjetrin.

Si dhe duke drejtuar kompaninë me 3000 punonjës, ata janë gjithashtu fqinj në dy shtëpitë më të shtrenjta të Australisë. Një vrimë në gardhin midis banesave të tyre në Sidnej i kushtoi Scott-it më shumë se 70 milionë dollarë australianë, vetëm që të mundësojë që fëmijët e tyre të zvarriten nëpër të, për të luajtur së bashku.

Duke parë drejt së ardhmes, Wang thotë se beteja më e madhe e dyshes do të jetë luftimi i ofertave të padëshiruara.

“Nëse dikush do të bënte një ofertë për ta me rreth 50 miliardë dollarë, a do t’i rezistonin?”, thotë ai, duke përmendur Microsoft, Oracle dhe IBM si blerës të mundshëm.

Scott thotë se sfida e tij më e madhe në të ardhmen është sigurimi i më shumë punonjësve me aftësitë që i duhen kompanisë. Për ta ndihmuar me këtë, ai po punon me qeverinë australiane se si të sjellë më shumë talent nga jashtë. Ai gjithashtu dëshiron të ndërtojë një zonë të re teknologjike në Sidnej, një qendër që ai shpreson se do të veprojë si “far” për të tërhequr njerëz në Australi. /Telegrafi/