LAJMI I FUNDIT:

Një kujtim fëmijërie, në një lagje të Tiranës

Një kujtim fëmijërie, në një lagje të Tiranës

Nga: Artan Fuga

Fëmijë u rrita në një lagje tiranase, me njerëz shumë të mirë, shumica e shtëpive me qerpiç që edhe sot nuk ka tërmet që i tund ato pak që kanë mbetur; rrugicë e shtruar me kalldrëm, me shtylla elektriku prej druri.


Plot ngjarje të bukura dhe të hidhura në jetën e asaj kohe. Plot edhe mistere, mbresa që nuk shlyhen kurrë.

Po kujtoj një prej tyre sepse tani që shkruhet historia nga e para, ka vend të paraqiten në dritë të qartë dhe ritet madhore:

Synetlliku: Për ne të tjerët, shoku që bëhej synet kishte një status krejt të veçantë. Ndodhte që e merrnin vesh disa ditë përpara që filani do të bëhet synet. Përfytyronim berberin e lagjes me një biçak të gjatë që i afrohej bilbilushit të vogël të shokut tonë që dridhej ndofta nga frika e tmerri. Sigurisht nuk kishte gjë të tillë; nuk kishte biçak sepse shoku më vonë na fliste për një brisk të hollë që e therte një fije vetëtime pa i dhënë kohë as ta ndjente dhimbjen.

Një lloj gijotine, thoshte ai.

Mirëpo, ai që do të bëhej synet shihej me shumë vëmendje. Nuk di përse bëhej i heshtur, na dukej i bardhë në fytyrë, nuk qeshte, nuk lozte, dhe të gjithë e mbanin me shumë të mira dhe kujdesje.

Atë ditë të synetllikut nuk dukej fare në mëngjes për të luajtur si ngahera. Ne të tjerët takoheshim, rrinim të heshtur. Nuk e përmendnim atë që po ndodhte, por të gjithë mendjen e kishim atje. Gjak, lëkura të varura imagjinonim, shihnim rrugicës mos vinte berberi i lagjes me një çantë të madhe në dorë.

Shumica prej nesh nuk e dinin fare se çfarë ishte synetlliku dhe e përfytyronim si tredhje, si kastrim. Diçka na dhimbte edhe neve duke përfytyruar shokun tonë shtrirë në krevat, mbërthyer me duart e forta të babës dhe xhaxhallarëve, dhe berberin me biçak në dorë.

Imagjinata jonë shkonte në maja të paarritshme ditë tjera.

Nuk pipëtinte asgjë në rrugicën tonë. Te porta e atij që do të bëhej synet, mbledhur gra e burra, kushërinj, fis, miq, komshinj. Ata kishin pamje të gëzuar, veshur si për festë, dhe matanë prisnin sazexhinjtë që rrinin të heshtur. Pamja e festës që po afronte na e lehtësonte pak imagjinatën ku të gjithë përfytyronim veten me tmerr si me një gjë të prerë në dorë.

Në një moment hareja shpërthente. Urime! – bërtisnin festuesit te dera, dhe familjarët shpërndanin ëmbëlsira për këdo që ndodhej atje. Tani, shoku ynë i bërë synet ishte i parë me shumë zili. Gjithë ato dhurata që mbushnin duart e kushërinjve që prisnin te dera do të kalonin në zotërim të shokut tonë. Sazet nisnin harenë e tyre. Mbaj mend më bënte përshtypje sidomos gërneta që ngrihej lart, drejt qiellit, dhe nxirrte tinguj si ulurima xhirafash. Sikur thoshte: Mua nuk ma prisni dot!

Festuesit këndonin në oborr. Rakia lumë. Kënga dhe vallja shpërthente dhe deri në drekë e gjithë lagjja tundej. Pastaj shtroheshin me të ngrëna e të pira. Fusnim kokën ndonjëherë te oborri për të parë se ku ndodhej miku ynë, por ai nuk gjendej askund. Ishte në dhomë. Ata festonin për të, kurse ai me diçka të prerë ishte sebepi i festës.

Pas nja tre ditësh shoku ynë shfaqej mes nesh. Por, këtë radhë veshur me një si fustan të bardhë. Na shpjegonte se kështu duhej që pantallonat ose brekët mos e infektonin plagën dhe t’i shkaktonin dhimbje.

Me fustan të bardhë ai ishte si një nuse mes nesh. Ishte si një dervish rrotullues. Një ëngjëll. Dukej sikur kishte ndryshuar seks. Por, ai tanimë ishte burrëruar dhe ne na shihte si kalamaqër. Zërin e kishte si më të trashë. I ati kur vinte ta thërriste, i fliste shumë më seriozisht se më parë.

Ai, ai – thuhej sa herë vinte mes njerëzish, ashtu i veshur me fustan të bardhë, pa të mbathura. Të gjithë ishin të kujdesshëm mos e lëndonin. I hapnin rrugë.

Ai ishte tanimë i pastërti. Ai ishte gati për t’u martuar – na thoshin më të rriturit, pa kuptuar se çfarë donte të thoshte kjo gjë. Dikush prej nesh tha një ditë, e dini si është, sikur mprehim lapsin me brisk!

Mbi të gjitha ai kishte lekë në duar. Hante gjithçka që donte. Na qiraste. E kishin mbuluar me kartëmonedha sapo berberi kishte kryer aktin e madh ndarës mes fëmijërisë dhe fillimit të burrërisë.

Ai ishte një lloj bankieri për të gjitha uritë dhe dëshirat tona të vogla; kishte parà. Kjo vazhdonte disa muaj. Dalëngadalë ai hynte në rrjedhën tonë të zakonshme. Nuk ishte me lider. Hiqte fustanin dhe vishte pantallonat e shkurtra. Vishte mbathjet si të gjithë të tjerët. Nuk kishte më lekë nëpër duar; zëri i hollohej përsëri, babai kur bënte faj edhe ia shkulte veshin në sytë tanë.

Magjia e tij kishte mbaruar. Pas një kohe harruar derisa dikush e pyeste: Ore je bërë synet ti?

Por, njerëzit tanimë kuptoheshin si grupe të veçuara. Ndarja e parë, ishte bërë, midis atyre që bëheshin synet dhe atyre që nuk bëheshin synet.

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kalo në kategori