Një i lënduar nga zjarri që përfshiu ndërtesën në "Kodrën e Diellit" - policia jep detajet

Një banesë është përfshirë nga zjarri sot në orët e mëngjesit në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë.
Fillimisht, lajmi është konfirmuar nga drejtori i zjarrfikësve, Malë Gashi, i cili bëri të ditur se ekipet kanë intervenuar menjëherë pas raportimit të rastit.
Sipas informacionit fillestar, ende nuk dihet nëse ka dëme të mëdha materiale, ndërsa detajet e plota pritet të konfirmohen pas përfundimit të intervenimit.
Në një prononcim për Telegrafin, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se një person ka marrë trajtim mjekësor si pasojë e incidentit.
“Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në lagjen ‘Bregu i diellit’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një banesë. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse një person ka pranuar tretman mjekësor. Aktualisht policia dhe zjarrfikësit janë duke u marrë me rastin”, tha Pllana.
Ekipet e emergjencës po vazhdojnë punën për të lokalizuar plotësisht zjarrin dhe për të përcaktuar shkaktarin e mundshëm të tij. /Telegrafi/

















































