LAJMI I FUNDIT:

Një gjysmë-tregim nga autobusi

Një gjysmë-tregim nga autobusi

Kush janë njerëzit që i shohim përditë e nuk i njohim? Në vendet e vogla, siç është Kosova apo Shqipëria me qytete të vogla, gjithmonë gjendet dikush që di diçka për këta njerëz. Por, në qytetet e mëdha, siç është Londra, enigma është e madhe sikur edhe vet qyteti, dhe nuk ke gjasa t’i njohësh këta njerëz. Për këto vende vlen maksima që thotë se sa më i madh qyteti, pra sa më shumë që ka njerëz, njohja mes tyre është më e vogël. Në vendet me shumë njerëz, vetmia është e madhe. Kjo gjë duket se është karakteristikë për Londrën ku anglezët nuk preferojnë të njihen dhe bisedojnë me njëri-tjetrin në mjetet e transportit publik.

Një kohë ia bëja këto pyetje vetes kur udhëtoja rregullisht me autobus për të shkuar në punë. Në stacione i takon pothuajse të njëjtit njerëz dhe formon njohje vizuele me ta. Por, jo që nuk bisedon, por as nuk përshëndetesh me ta. Në këto raste sheh se si njerëzit tentojnë që gjithmonë të ulen në karrige të njëjta dhe të krijojnë shprehi tjera që ua imponon rutina e udhëtimit. Kur udhëtoni me tren apo autobus në Londër, shihni njerëz të llojllojshëm. Duket se tërë bota ka dërguar përfaqësues për të jetuar në këtë qytet.


Kanë qenë katër persona që më kishin rënë në sy gjatë udhëtimit dhe të cilët i vrojtoja më shumë se tjerët. I pari ishte një plak i cili ulej në ato karriget e rezervuara për pleq, invalidë ose nëna me fëmijë pas të cilave ulesha unë. Plaku dukej që lahej shumë rrallë dhe nuk i ndërronte as rrobat. Trupi i tij lëshonte një kutërbim të rëndë dhe unë, për këtë arsye vazhdova të ulesha kah fundi i autobusit. Dëshiroja ta dija pse nuk lahet ky njeri pasi që dukej se kishte forcë dhe mundësi. Por, nuk kisha dëshirë ta njihja. Tekefundit, kush dëshiron të njihet me pleq!?

Pasi ulesha kah fundi, pas dy apo tri stacioneve, vinte një femër e moshës 30-35 vjeçare dhe ulej një apo dy rreshta para meje dhe e mbushte autobusin me një aromë të këndshme që vinte nga parfumosja e saj. Por, arsyeja kryesore që kjo grua më binte në sy ishte veshja e saj me stil tërheqës. Kjo ishte një gjë pak si e çuditshme, pasi në Angli gratë nuk janë të njohura për shkak se vishen bukur. Në ditët e ngrohta të verës, ajo vishte fustane tërheqës që ia tregonin trupin e saj të hollë dhe të bukur. Edhe dimrit ishte njësoj. I dukej trupi i bukur edhe pse i mbuluar me rroba të trasha dhe pallto të gjatë. Kishte fytyrë pak si të gjatë, por simetrike dhe të pastër, pa asnjë grim. Nga fytyra vërehej se kishte karakter të qetë dhe kjo shihej edhe në sytë e saj të kaltër që i mbante përdhe ose në drejtim të shikimit horizontal kur hipte në autobus dhe dëshironte ta shihte hapësirën deri te vendi ku ulej zakonisht. Kur ulej, nga pozita ime shiheshin flokët e saja të drejta, jo shumë të dendura. Flokët i mbante të shkurtuara deri në një nivel që nuk ia preknin supet. Edhe ulur qëndronte drejt si ndonjë ushtarake. Ishte e bukur sipas çdo kriteri që caktojnë meshkujt për femra.

Në stacionin e fundit zbritnim të gjithë dhe aty ndaheshim pasi që autobusët tashti i kishim të ndryshëm. Por, kush ishte kjo femër? Ku shkonte? Çfarë pune bënte? Cila ishte, siç thotë një fjalë, gjendja e saj familjare?

Në autobusin e dytë vendi im i zakonshëm ishte në karrigen e rendit të parë në katin e sipërm, aty ku vertikalisht qëndroja mbi shoferin. Ulesha në atë vend për shkak se më mundësonte shijim të papenguar të pamjes që ka kjo pjesë e bukur e qytetit. Pastaj, hapësira e autobusit pas meje vërshohej nga 10 deri 15 vajza të reja dhe të zhurmshme të cilat zbritnin pas katër stacioneve ku ishte një shkollë private që shkonin ato. Vajzat ishin në moshë minore dhe rendi e do që të mos këqyren nga meshkujt madhorë. Këtë unë nuk mund ta bëja edhe sikur të dëshiroja pasi që ato qëndronin pas shpinës time. Megjithatë, i dëgjoja bisedat e tyre me vëmendje. Nga të folurit shihej se i takonin shtresës së mesme apo të lartë të shoqërisë. Në Angli është lehtë ta diktosh se ku e kanë njerëzit vendin në hierarkinë shoqërore. Nivelin shoqëror e tregon edhe gjuha apo mënyra e të folurit.

Tri apo katër stacione më vonë hipte një djalosh i moshës 11-13-vjeçare i cili shkonte në shkollë. Ai vinte në katin e dytë dhe ulej në karriget e para që gjendeshin në anën time të majtë. Kishte pamje aziatike (me siguri origjinë indiane), lëvizje të gjalla dhe fytyrë të qeshur. Uniforma e shkollës i vinte pak e madhe dhe i jepte pamje interesante. Sapo e lëshonte çantën në anën e tij të majtë, i cingëronte telefoni që për ‘ringtone’ kishte një melodi të muzikës tradicionale induse. Në këtë moment ai e sillte kokën në shenjë habie, kurse fytyra i merrte një qeshje sikur që dëshironte të thoshte se duhej t’i përgjigjej një thirrjeje të panevojshme. E thërriste nëna që të mësonte se ku ishte në atë moment apo nëse kishte hipur në autobus dhe deri ku kishte mbërri. Nëna, në anën tjetër të telefonit, merakosej si çdo nënë, por këtij i dukej se ishte rritur dhe se më nuk kishte nevojë për kujdes të nënës.

Me të kishim vendosur një lloj kontakti verbal. Përshëndeteshim vetëm me nga një ‘morning’ që ia kthenim njëri-tjetrit. Vetëm një herë kemi ndërruar fjalë më shumë se përshëndetjen. Aziatikët në Angli janë kryesisht të sjellshëm dhe të vyeshëm, çfarë me siguri ishte edhe ky djalosh. Një mëngjesi të kthjellët që premtonte mot të mirë, ai erdhi më i ‘eksituar’ dhe më i gëzuar se zakonisht. Dukej sikur që i kishte ndodhur ndonjë gjë e mirë apo priste që do t’i ndodhte gjatë ditës. ‘Wow’, më tha dhe vazhdoi: ’Sot do të jetë dita më e nxehtë në histori’. ‘Mos iu beso shumë televizioneve, gazetave dhe mediave sociale se mund edhe të mos jetë e vërtetë’ – i thashë. Këtë këshillë ai e mori me habi, por nuk e komentoi.

Kur kthehesha në mbrëmje, me të njëjtin autobus dhe në të njëjtën karrige, në vendin e djaloshit ulej një vajzë diku rreth 20-vjeçare. Ajo vinte duke folur në telefon dhe ashtu e lija edhe kur zbritja nga autobusi. Biseda e saj në telefon ishte gjithmonë e njëjtë, monotone por më shume irrituese. Gjithmonë fliste me dikën të cilit i lavdërohej pa turp. Tregonte se si është shumë e bukur, punëtore dhe se e vazhdonte një kurs të anglishtes, të cilën gjuhë shpejt do ta fliste në mënyrë të përsosur dhe se do të gjente një punë me pagesë të lartë. Biseda e saj më krijonte një situatë sureale që i ngjante një ëndrre apo filmi fantastik ku përsëriten gjërat në mënyrë serike. Ishin edhe dy gjëra që më krijonin habi. E para, kush ishte ai apo ajo që kishte nerva ta dëgjonte një bisedë të pakuptimtë dhe të gjatë – pa kufi? E dyta, si ka mundësi që njeriu ta lavdërojë veten deri në atë masë?

Vajza ishte polake dhe ndoshta do t’i realizonte synimet që kishte, por e bukur nuk ishte siç thoshte. Për vajzat duket se pamja (bukuria) është problem i madh pasi që është fakt që nuk mund të fshihet. Vajza ishte e kundërta e asaj që unë mendoj për polakët si popull i kulturuar, sidomos për gratë e tyre. Polaket janë të bukura, punëtore, shtëpiake të mira dhe të afta për çdo punë. Këtë përshtypje timen një herë ia kisha thënë Marekut, një polakut që e njihja. ‘Është e vërtetë’ – më pat thënë ai. ‘Por, gratë tona e kanë një të keqe: janë kurva’ – më pat thënë Mareku me hidhërim e dëshpërim. Ai me siguri e vërejti se unë u habita nga përgjegja e tij dhe vazhdoi: ’Po, po, menjëherë i çojnë këmbët nëse u pëlqen ndonjë mashkull dhe hiç nuk e kanë dert nëse janë të martuara, kanë fëmijë apo …’ Në fakt, Mareku ishte i bindur se në Angli më të zotët, më të suksesshmit dhe më të moralshmit janë shqiptarët. Mareku, i cili në Poloni ka qenë profesor i Edukatës Fizike, jetonte në një pjesë të Londrës ku kishte më shumë shqiptarë se të tjerë nga të huajt. Përfundimi i tij për shqiptarët ishte i bazuar mbi ata që i njihte. Pra, unë dhe Mareku dalloheshim nga ajo se si e shihnim popullin e njëri-tjetrit.

Sidoqoftë, erdhi një kohë që unë e ndryshova udhëtimin. Por, pas një viti më rastisi që të merrja këtë rrugë sërish. Në fillim u ndjeva mirë pasi që, me shpresë, do t’i takoja këto personazhe dhe do t’i vëzhgoja edhe një herë me interesim edhe më të madh e ndoshta edhe do ta shfrytëzoja rastin që të ndërroja ndonjë fjalë me ta. Dhe, në këtë mënyrë do të kisha ‘material’ dhe arsye më të madhe për të shkruar një tregim për ta. Madje, në mendjen time, do të shkruaja një tregim të bukur pasi që për t’i shpjeguar karakteret dhe veprimet e këtyre njerëzve, do të huazoja disa fjalë dhe shprehje nga Orwelli, Eco, Markezi e ndonjë shkrimtar tjetër i madh.

Por, në Londër, gjasat për t’i takuar njerëzit rastësisht apo pa caktuar takim (appointment) me ta, pothuajse nuk ekzistojnë. Nuk i pashë kurrë më këta njerëz dhe tregimi i plotë mbeti i pashkruar. Ndoshta disa gjëra është më mirë që të mos i dimë dhe disa njerëz të mos i njohim aq sa dëshirojmë.

Sidoqoftë, mendoj që më mirë është të shkruhet diçka se asgjë. Besoj që edhe për ju është më mirë që e lexuat këtë gjysmë tregim se sa asnjë të plotë. /Telegrafi/