LAJMI I FUNDIT:

Një fellne e Bugatti Veyron kushton 25 mijë dollarë – e kështu duket nga brenda goma e veçantë nga Michellin

Një fellne e Bugatti Veyron kushton 25 mijë dollarë – e kështu duket nga brenda goma e veçantë nga Michellin

Bugatti Veyron është një veturë jashtëzakonisht e shtrenjtë. Në kanalin Waterjet në YouTube, është realizuar prerja e gomës së kësaj veture sportive që gjithashtu është shumë e shtrenjtë.

Fellnia e re për Veyron kushton 25 mijë dollarë, e në të është e vendosur goma e prodhuar enkas në Michellin, çmimi i saj rritet në rreth 35 mijë dollarë, transmeton Telegrafi.


Goma që është prerë për realizimin e videos nuk është re – madje shihet se është prodhuar në javën e 37 të vitit 2016, kurse në video pretendohet se gomat e Veyron duhet ndërruar çdo pesë vite – pavarësisht kilometrazhës së kaluar.

Edhe pse nuk është e re, duket se fellnia është në gjendje të mirë, por në video gjithashtu theksohet se në Bugatti janë shumë strikt kur bëhet fjalë për fellnet që realizohen përmes rëntgenografisë me rastin e ndërrimit të gomave – më qëllim që të konstatohet nëse ka pasur krisje në fellnet e aluminit.

Tërë rrota është prerë që të dëshmohet se goma e Veyron dallon nga gomat e zakonshme të veturave tjera. Por vazhdon të jetë “vetëm” një fellne alumini, megjithatë me disa karakteristika interesante.

Ekziston një unazë e brendshme që shërben si mbështetje për gomën, në rast të çarjes apo shpuarjes. Fellnet prodhohen nga kompania OZ Racing, e sipas videos, gomat janë të ngjitura në fellne.

Motor Trend shkruan se Bugatti lejon ndërrimin e vetëm dy seteve të gomave të reja para se të ndodh blerja e “obligueshme” e setit të ri të fellneve.

Duke marrë parasysh se seti i ri i fellneve dhe gomave për Veyron mund të kushtojë mbi 100 mijë dollarë – është e qartë që kostoja e mirëmbajtjes është shumë e lartë. /Telegrafi/