Lincoln duket se po përgatitet të hyjë në një nga segmentet më të nxehta të tregut të automjeteve luksoze: SUV-të të fuqishëm, të aftë për terrene të vështira dhe me pamje karakteristike.

Sipas raportimeve të fundit, marka luksoze e Ford-it po zhvillon një SUV të ri të bazuar në Ford Bronco, me synimin për të rivalizuar modele si Mercedes-Benz G-Class dhe Land Rover Defender.


Lincoln ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht projektin, por informacionet e publikuara sugjerojnë se prodhimi mund të nisë rreth fundit të kësaj dekade në Michigan Assembly Plant, uzina ku aktualisht prodhohet Bronco.

Modeli i ri pritet të përdorë të njëjtën platformë body-on-frame si Bronco, duke përfituar nga aftësitë e tij jashtë rruge, por me një qasje dukshëm më luksoze dhe komode, transmeton Telegrafi.

Në dizajn, Lincoln pritet të largohet nga pamja agresive e Bronco-s. SUV-i mund të ketë një karroceri më elegante, pjesë të reja të përparme, fenerë dhe kapak motori të ridizajnuar, ndërsa zgjerimet masive të krahëve dhe elementet tipike të Bronco-s do të zëvendësohen me linja më të rafinuara.

Ndryshe nga Bronco, çatia nuk pritet të jetë e çmontueshme. Kjo do t’i mundësonte Lincoln-it të krijojë një kabinë më të izoluar dhe luksoze, në përputhje me rivalët evropianë.

Brenda, pritet një nivel dukshëm më i lartë komoditeti, me materiale premium, lëkurë, dekorime ekskluzive dhe teknologji të avancuar, në stilin e modeleve të tjera të Lincoln.

Sa i përket motorëve, një nga kandidatët kryesorë mund të jetë motori V6 twin-turbo, me rreth 400 kuaj fuqi. Një tjetër mundësi është sistemi hibrid me motor 2.0-litërsh, i cili në Nautilus zhvillon rreth 310 kuaj fuqi.

Nëse Lincoln synon vërtet të sfidojë G-Class-in në nivelet më të larta të performancës, marka mund të zhvillojë edhe një version më të fuqishëm. Një tjetër skenar është një variant elektrik me autonomi të zgjatur, teknologji që Ford po e zhvillon aktualisht.

Por një nga aspektet më interesante është çmimi. Raportimet sugjerojnë se SUV-i i ri mund të nisë rreth 70 mijë dollarë, duke e vendosur më pranë Land Rover Defender sesa Mercedes-Benz G-Class. Për krahasim, Navigator-i i vitit 2027 pritet të nisë nga rreth 92,890 dollarë, ndërsa G-Class është në një kategori dukshëm më të shtrenjtë.

Nëse planet aktuale realizohen, prodhimi mund të nisë në verën e vitit 2029, ndërsa prezantimi i modelit mund të ndodhë gjatë vitit 2028.

Emri mbetet ende një mister. Lincoln nuk ka dhënë asnjë sinjal zyrtar, por duke pasur parasysh prirjen e markës për emra që lidhen me eksplorimin, edhe SUV-i i ri pritet të ndjekë të njëjtën filozofi.

Nëse projekti realizohet, Lincoln do të hyjë në një territor ku Mercedes-Benz G-Class tashmë është kthyer në standard, ndërsa Defender po fiton gjithnjë e më shumë terren: një SUV luksoz që kombinon aftësitë e off-road me komoditetin premium. /Telegrafi/