Në rajonin e Saratovit në Rusi, mëngjesin e sotëm është kryer një atentat ndaj një oficeri ushtarak, i cili komandonte sulmin me raketa ndaj spitalit të fëmijëve Ohmatdit në Kiev në korrik të vitit 2024.

Sipas informacioneve të disponueshme, oficeri ndodhet në gjendje kritike, shkruan Pravda.


Kanali në Telegram “Dosje e Spiunëve” raportoi se rreth orës shtatë të mëngjesit është qëlluar gjeneral-majori Nikolai Varpakhovich, komandant i Divizionit të 22-të të bombarduesve të rëndë të Forcave Ajrore dhe Hapësinore të Rusisë. I njëjti burim thotë se Varpahoviq ndodhet në gjendje kritike.

Sipas informacioneve të kanalit Mash, sulmuesi ka mbërritur pranë shtëpisë së tij në fshatin Probuzhdeniye me motoçikletë, me helmetë në kokë, dhe ka hapur zjarr. Një plumb e ka goditur Varpahoviqin në trup, ndërsa një tjetër në fytyrë.

I plagosur ka mbetur edhe shoferi i tij, i cili ka arritur të largohet, të fshihet dhe më pas të thërrasë ambulancën. Mjekët i kanë nxjerrë plumbat Varpakhovichit dhe po përgatiten ta transportojnë me një fluturim të posaçëm drejt Moskës. Media ruse Astra shkruan se fshati Probuzhdeniye figuron si një nga adresat e Varpahoviqit.

Sulmuesi ende nuk është arrestuar. Komiteti Hetimor rajonal i Rusisë ka nisur procedurë penale për tentativë vrasjeje të një zyrtari ushtarak, gjë që është konfirmuar edhe nga agjencia shtetërore ruse TASS.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SSU) njoftoi më 31 gusht se Varpakhovichi, së bashku me një tjetër oficer rus, është shpallur në mungesë i dyshuar për pjesëmarrje në sulmet me raketa ndaj gazetarëve të Reuters në rajonin e Donetskut dhe ndaj spitalit të fëmijëve Ohmatdit.

Hetimi ukrainas ka përcaktuar se pikërisht Varpakhovichi kishte dhënë urdhrin luftarak për sulmin ndaj spitalit më 8 korrik 2024. Njësitë nën komandën e tij kryen një goditje të drejtpërdrejtë me raketë lundruese Kh-101, e cila u lëshua nga bombarduesi strategjik rus Tu-95MS.

Në kohën e sulmit ndaj Ohmatdit, në spital ndodheshin më shumë se 600 pacientë. Dy persona u vranë, mes tyre edhe një mjeke, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Raketa shkatërroi plotësisht ndërtesën e toksikologjisë dhe dëmtoi edhe katër ndërtesa të tjera ku kryheshin ndërhyrje kirurgjikale dhe trajtoheshin fëmijë me sëmundje të rënda.

Kjo tentativë atentati ndodhi pak kohë pas shpërthimit, më 27 gusht, të një automjeti të një ushtari rus në Shën Petersburg. Emri i tij ndodhet në bazën e të dhënave Mirotvorec, ndërsa njësia ku ai shërbente ishte akuzuar për sulme ndaj civilëve ukrainas. /Telegrafi/