LAJMI I FUNDIT:

Një “dans” në muret e shtëpisë

Një “dans” në muret e shtëpisë

Luan Rama

Sa herë e shoh këtë tablo varur në murin e shtëpisë, ndjej një lloj gëzimi nga kjo dhuratë e hershme dhe origjinale që do ta quaja: Homazh për Matissen. Artistët bëjnë homazhe për njëri-tjetrin, madje pikturojnë të njëjtat subjekte, siç bënte Van Gogh kur pikturonte aq ndryshe tablotë e Milletit, Becon të El Grecos, Picasso e Cezannes etj.


Në vitin 1999 ajo erdhi në Paris për të hapur një ekspozitë në sallonet e ambasadës dhe shumë miq të mi francezë, miq të Shqipërisë, erdhën dhe gjetën ballë tyre një piktore mjaft origjinale dhe koloriste, me kompozime që spikasnin një piktore që vinte nga një vend që sapo kishte dalë nga totalitarizmi dhe që në demokracinë e re vuante kaosin e viteve 1997-1998. Më kujtohen elozhet e Norma Bosquetit apo shkrimtares dhe poetes Venus Khury Ghata… Ajo e vuri re që kjo tablo më pëlqeu dhe kur ekspozita u mbyll, ajo ma dhuroi me shumë dashuri.

Parisi me muzeumet dhe galeritë e panumërta që vizitoi, e pushtoi shpirtin e saj dhe kthimi padyshim ishte i mbarsur me një ngazëllim piktural për të ardhmen. Dhe, kuptohet gjithashtu, gëzimi im. Një dans i bukur që nga larg të kujtonte tablonë emblematike të Matisses të vitit 1910 me titullin “La Danse”. Por, ky dans kapur dorë për dorë, të cilin Matisse e kishte parë në kabarenë Moulin de la La Gallette, ishte gjithashtu dhe një traditë shqiptare, siç e shohim dhe në tablonë e mrekullueshme të Abdurrahim Buzës. Matisse në tablonë e tij përdor vetëm tri ngjyra: jeshilen, blunë dhe të kuqen. Madje, ngjyrat e tij janë të papërziera, siç kanë dalë nga tubetet, disi të forta, me një kontrast të thekshëm, pasi kjo tablo u krijua në kulmin e “fovizmit”. Edhe seksi i tyre është disi anonim. “Dansin” e saj Natasha Bega e ka pikturuar me një dinamikë tjetër e veçanërisht me ngjyra të tjera, të cilat kanë një lloj inkadeshence, ngjyra që të kujtojnë “puantilizmin” francez e që përsëri nuk është ajo, por diçka e saj, thua se ajo është harruar aty në morinë e ngjyrave pa i vendosur në kontrast, pa i përplasur me njëra-tjetrën. Një valle, ku dy figura të tjera kanë dëshirë të hyjnë në të për të vallëzuar…

Ja pra kjo tablo e piktores që ka në vetvete gjurmët e një miqësie të hershme. Kështu, në një vend intim tablotë të ngjajnë si stacione të kohës efemere për t’u prehur e soditur, për të medituar gjithashtu për jetën, artin, njeriun…