LAJMI I FUNDIT:

“Një autograf për nipin tim – skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim – skllavin tuaj”!
Marilyn Monroe në premierën e filmit "East of Eden" (1955), ku kërkoi të jetë vullnetare e përcjelljes së mysafirëve deri te ulëset.

Përktheu dhe përgatiti: Telegrafi.com

John Steinbeck (1902–1968) – fitues i çmimit Nobel për Letërsi më 1962 – në vitin 1952 botoi veprën Në lindje të Edenit [East of Eden]. Libri pati sukses të madh dhe shpejt u bë bestseller dhe film më 1955. Steinbeck ishte shkrimtar i njohur, me shumë miq të famshëm – përfshirë disa yje të Holivudit. Një ditë mëson se Marilyn Monroe ishte një nga adhurueset e librit të sipërpërmendur. Thuhet se Marilyn ia kishte kërkuar një kopje të nënshkruar. Letra e mëposhtme ka disa vjet që qarkullon në internet dhe fillimisht nuk dihej nëse ishte përmbushur ose jo kërkesa e tij për një autograf për nipin. Letra doli në ankand më 2016. Nipi Jon ka thënë se nuk e ka pranuar fotografinë dhe se nënshkrimi i Steinbeckut ishte i falsifikuar. Po ashtu, shton se letrat i shkruante me laps e jo me makinë shkrimi. Pos kësaj, edhe analizat e nënshkrimit në fund të letrës bëjnë me dije për mashtrim. Megjithatë, letra ka marrë famë dhe interpretohet si mënyra më e mirë për të kërkuar diçka – një favor nga dikush tjetër me mundësitë për t’ia dalë mbanë. Letra e përfolur është si më poshtë:


E dashur Marilyn:

Në gjithë përvojën time s’e kam njohur kurrë dikën që kërkon autograf për veten. Autografi është gjithmonë për fëmijën ose një hallë të moshuar e cila bëhet shumë e mërzitshme, siç e dini këtë më mirë se unë. Prandaj, nuk më vjen mirë kur them se kam një nip që jeton në Ostin të Teksasit, emri i të cilit është Jon Atkinson. Posa ka hyrë në pubertet, por ky është vetëm një nga problemet e tij. Ju jeni tjetri.

E di se nuk jeni e krijuar nga eteri qiellor, por këtë ai s’e di. Do ta trondiste thellë sugjerimi se keni funksione normale, ndërsa unë nuk do të jem ai i cili këtë do t’ia thoshte atij.

Gjatë udhëtimit të fundit në Teksas, gruaja ime e bëri gabimin fatal duke i treguar Jonit se ju kisha takuar. Në të vërtetë, ai këtë nuk e beson, por respekti i tij ndaj meje është i madh madje edhe nëse për këtë e gënjej.

Tani më kërkohen disa favore të pakuptimta, kështu që nuk e kam asnjë hezitim që ta kërkoj një të tillë prej jush. A do t’i dërgonit atij, nën përgjegjësinë time, një fotografi tuajën, ndoshta në gjendjen shpirtërore të një vajze të zhytur në mendime, të cilën ia kushtoni atij me emër dhe ku bëni me dije jeni në dijeni të ekzistencës së tij. Ai tashmë është skllavi juaj. Kjo do ta bënte timin.

Nëse këtë e bëni, do t’jua dërgoj çelësin e hyrjeje së zonjave në dhomat e zemrave të mbyllura dhe, mbi të gjitha, do t’ju pëlqeja edhe më shumë.

Sinqerisht
John Steinbeck

/Telegrafi/