LAJMI I FUNDIT:

Nitaj për listën e përbashkët: 10 emra nga shoqëria civile

Nitaj për listën e përbashkët: 10 emra nga shoqëria civile

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i është kundëpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sipas të cilit aktualisht opozita po përballet me testin e saj kryesor, që është lista e përbashkët për zgjedhje.

“Sa i përket zërave për krijimin e një alternative eventuale politike, kjo është një ide, e cila nuk mund të bëhet shkel e shko, dhe mund t’i takojë një faze tjetër!”, ka shkruar Nitaj në faqen e tij në Facebook.


Nitaj po ashtu ka shkruar se AAK nuk e kushtëzon partneritetin opozitar me asgjë.

Ai ka thënë se AAK është e përcaktuar që ta kundërshtojë keqqeverisjen në vend që ta kushtëzojë opozitën.

Ky është postimi i plotë i Nitajt në rrjetin social:

“AAK nuk e kushtëzon partneritetin opozitar me asgjë AAK, është e përcaktuar që ta kundërshtojë keqqeverisjen në vend pa asnjë kushtëzim nga askush. Në këtë nivel të opozitarizmit, gjithë fokusi i veprimit do të jetë kundërshtimi i keqqeverisjës që ka kulmuar me marrëveshjet me të cilat është shkelur edhe kushtetuta edhe integriteti territorial. Ne jemi të bindur se kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin dhe nuk mund të vazhdojë më, dhe prandaj për të dalur nga kjo krizë politike, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtzakonshme.

Kundërshtimi dhe protestat kanë të bëjnë me arritjen e këtij objektivi dhe kush është i bindur për këtë, duhet të jetë pjesë e frontit të përbashkët. Ndërkaq sa i përket zërave për krijimin e një alternative eventuale politike, kjo është një ide, e cila nuk mund të bëhet shkel e shko, dhe mund t’i takojë një faze tjetër!

AAK, opozitarizmin e bënë në bazë të parimeve dhe të programit të vet. Ne jemi partner politikë në një kauzë të përbashkët me Vetëvendosjen dhe me Nismën. Nuk përjashtohet mundësia që të jemi partner edhe në faza të mëvonshme, nëse biem dakord për një gjë të tillë. Është opcionale edhe një listë e përbashkët, por kjo nuk varet vetëm nga AAK.

Ne e kemi bërë një propozim se si do të dukej lista e përbashkët dhe e kemi bërë të qartë se AAK, nuk do ta kushtëzojë partneritetin me asnjë dominim në këtë listë e as me kandidatin për kryeministër. Për më tepër e kemi bërë një propozim që në rast të dakordimit të një liste të përbashkët, të paktën 10 emra të jenë nga shoqëria civile”, (sic), ka shkruar Nitaj.