LAJMI I FUNDIT:

Nisin hetimet për menaxhimin e mbeturinave me përbërje azbesti

Nisin hetimet për menaxhimin e mbeturinave me përbërje azbesti

Avokati i Popullit, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar hetimet Ex Officio (sipas detyrës zyrtare), lidhur me ndotjen e mjedisit nga materialet dhe mbeturinat e patrajtuara me përbërje të asbestit.

“Depërtimi i lehtë i fibrave të asbestit në organizimin e njeriut nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe kontaminimi që këto fibra krijojnë në organizimin e njeriut, duke shkaktuar një varg sëmundjesh kancerogjene dhe të organeve të frymëmarrjes, e bën jashtëzakonisht shqetësues rrezikun e vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e njeriut nga materialet me përbërje asbesti”, thuhet në komunikatë.

Theksohet se standardet ndërkombëtare, ashtu si edhe Ligji Nr. 04/L-060 për Mbeturina, dhe Udhëzimi Administrativ Nr. 22/2015, për Menaxhimin e Mbeturinave që Përmbajnë Asbest, me qëllim të parandalimit të lirimit të fibrave të asbestit, në ajër dhe ujë, përcaktojnë masa, teknika dhe standarde për trajtimin dhe deponimin e produkteve me asbest.

“Megjithatë, pavarësisht ndikimit në mjedis, në tërë territorin e vendit mund të vërehen mbeturina të asbestit, të pa trajtuara dhe të paambalazhuara. Për më tepër vërehet edhe mungesa e informimit të publikut lidhur me rrezikun e këtij produkti, si dhe mënyrat e trajtimit të mbeturinave nga asbesti, si obligim pozitiv i shtetit dhe parim themelor për rspektimin e së drejtës për mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm”, thuhet tutje në komunikatë. /KP/Telegrafi/