LAJMI I FUNDIT:

Nis mbledhja e fondeve për mbështetjen e plaftormës “Libra me zë”

Nis mbledhja e fondeve për mbështetjen e plaftormës “Libra me zë”

Grupi i vullnetarëve të platformës “Libra me zë”, kanë nisur kampanjën për mbledhjen e fondeve për të mbështetur këtë platformë.

Sipas njoftimit për media platforma “Libra me zë” është inciuar me qëllimin e leximit dhe incizimit të librave, ku më pas mund t’i dëgjojnë personat e verbër, ata me shikim të dobësuar si dhe personat që kanë vështirësi në lexim.

Në njoftim thuhet se vullnetaret mrapa uebfaqes www.librameze.com, deri më tash kanë vetëfinancuar të gjitha shpenzimet e platformës. Mirëpo, ky grup i njerëzve të vullnetit të mirë tashmë synojnë që uebfaqen ta kthejnë në një bibliotekë online e cila vazhdimisht do të pasurohet me libra, të cilat mund t’i dëgjoni kur udhëtoni, pushoni apo kur dëshironi të mësoni diçka të re.

E që kjo të jetë e mundur, nevojiten mjete financiare, andaj në përpjekje për të mbledhur këto mjete, vullnetarët kanë nisur një kampanjë online.

Sipas një postimi të krijuesve të platformës në KosovoIdeas, mjetet e mbledhura do të shpenzohen për audio editimin e librave të incizuar, marrjen e të drejtës autoriale për libra, avansimin e ueb platformës, mbulimin e shpenzime të vullnetarëve, si dhe për zhvillimin e aplikacionit për smartphone.

“Komuniteti i fëmijëve me të parë të dëmtuar është grupi ynë kryesor i synuar. Librameze.com do të jetë gjithëpërfshirës, pa u kufizuar vetëm për komunitetin me shikim të dobësuar, por edhe për fëmijët, të rriturit që kanë vështirësi në lexim, ata që dëshirojnë të lexojnë, por për shkak të situatës socio-ekonomike nuk mund të përballojnë të kenë libra sa të duan, pastaj komunitetet tjera që kanë vështirësi në kuptimin e gjuhës shqipe do të kenë mundësinë të dëgjojnë dhe në këtë mënyrë të ofrohet një audio-libër në gjuhën shqip,” thuhet në thirrjen për të kontribuar.

Të gjithë ata që duan të kontribuojnë financiarisht për këtë platformë mund ta bëjnë përmes këtij linku: https://kosovaideas.com/campaign/detail/535.

Në njoftim thuhet se donatorët kanë mundësi të komentojnë, si dhe të zgjedhin nëse duan të mbesin anonimë, apo të kontribuojnë me emër. Shuma nuk është e caktuar, secili mund të kontribuojë sipas mundësive./Telegrafi/