LAJMI I FUNDIT:

Nikolin Ivanaj, një piktor i udhëve njerëzore

Nikolin Ivanaj, një piktor i udhëve njerëzore

Luan Rama

Rikrijimi i natyrës në një tablo besoj se duhet të jetë në vetvete një lloj ekstaze, çka nuk e kam provuar. Ndryshe, të gjithë piktorët e përjetojnë atë, pasi me penelat e tyre ata kërkojnë të depërtojnë brenda natyrës, të bëhen pjesë e saj, të jenë shiu, dielli, vetë ajri që vibron, të jesh aty ku gëlon e gjelbërta e barit apo shpërthimet e shegëve me njëmijë të kuqet e tyre. Piktori ngazëllehet kur arrin të japë ndjesinë e flladit, furinë e erës, rrebeshin që afrohet e vërtitet nga qielli duke goditur tokën. Ç’mrekulli. Ja pse Nikolin Ivanaj i adhuron peizazhet e Van Gogh pasi ato janë dinamike, me një energji të brendëshme, trallisëse, dhe në mëndje padyshim përballë tablosë së gjeniut ne dëgjojmë ende krakëllimat e korbave që vërtiten në qiell.


Vështroj disa peizazhe të Ivanajt të pikturuara në Lezhë, vështroj lagunën, kallamishtet, përkuljen e fierit dhe e ndjen natyrën sikur të jesh aty, duke e harruar atelierin e piktorit. Ky piktor është realist dhe e pëlqen shkollën realiste, ku shumë piktorë të mëdhenj botërorë janë tronditës me tablotë e tyre realiste: ata i kanë besuar realizmit dhe janë përshëndetur për këtë. E megjithatë, Ivanaj pëlqen po aq shumë dhe impresionizmin, në veçanti Monet, pasi nga realizmi, Monet kaloi në impresionizëm duke u përpjekur të kapë një impresion të çastit dhe shumë domethënës. Kur e pyes Ivanajn se kur është koha më e përshtatshme për të pikturuar një peizazh ai menjëherë më përgjigjet : “Në çdo moment!” Kjo përgjigje përmbledh në vetve një filozofi pikturale dhe një eksperiencë, pasi piktori i peizazheve, përballë natyrës, e ka gjetur veten në shumë momente.

Ai përgjigjet kështu pasi i beson gjithnjë natyrës, dritës që lëviz në çdo çast, vesës së mëngjesit apo brymës së mbrëmjes. Bisedojmë për peizazhistët anglezë veçanërisht Tourner apo Uistler, duke të treguar gjendjet e tij kur pikturonte para disa vitesh ballë një kishe të vjetër të Londrës. Sigurisht, në rininë e tij nuk e kishte imagjinuar të vihej për të pikturuar brymën e Londrës, çka e kishte parë veç në riprodhimet e këqija të atyre autorëve në revistat e pakta që u shfaqën për një çast të shkurtër në Shqipëri deri në vitin 1974. Kështu formoheshin piktorët shqiptarë, ndërkohë kur shekuj me rradhë, mjeshtrit e mëdhenj të Europës shkonin detyrimisht në Itali për të parë në muzeume dhe galeri koleksionistësh gjithë traditën pikturale të Renesancës italiane duke filluar me kryeveprat e “Quatroçento” dhe “Cinquecento”…

Nikolini është vazhdimisht në lëvizje. I pranishëm në ekspozitat Pranverore të Tiranës, në “kolonitë” e ndryshme të piktorëve, në ekspeditat drejt jugut e veriut, çka të kujton traditën e “Shkollës së Barbizonit” me në krye mjeshtrin e madh Millet (që Van Gogh e adhuronte e ku madje tentoi të rikrijonte tablo të tij, që padyshim ishin me një ekspresivitet ndryshe nga qetësia e Millet – (“Djaloshi në mullarin e barit”) apo dhe grupin e impresionistëve që grumbulloheshin në brigjet e Senës jashtë Parisit, drejt Poissy. Në atelier, peizazhet e tij pasqyrojnë vende të Ballkanit, në Prizren, Ulqin, Guci apo në Machia, Frasineto, Cassano të Italisë së jugut, tek “gjaku ynë e shprishur” tablo që janë befasuese dhe me vlerë. Shoh shtëpinë e De Radës në Machia, portën, kambanoren tutje, gurin ku ngjitej për ti hipur gomarit dhe dalë nga qyteza… mjedise historike të kthyer në tablo arti.

Kam parasysh një thënie të Ismail Lulanit që për krijimet e Ivanajt thoshte: “Tablotë e tua i njoh njëqind metra larg”. Dhe kjo kishte domethënie, pasi që në dhjetëvjeçarin e parë pas studimeve në Artet e Bukura në Tiranë, Nikolini krijoi individualitetin e tij. Portreti për të është si “kali i betejës” siç thonë latinët, pasi ajo është e parapëlqyer e tij dhe ku pikas mjeshtërinë tashmë të konsoliduar. Është portreti që filloi me njerëzit e familjes, pastaj me miqtë e tij e ku me pas hynë punëtorët, fshatarët, figurat e jetës së përditëshme, duke hyrë kështu në “lumin e madh njerëzor”, pasi të gjesh karaktere dhe rikrijosh ata, mund ti gjesh veçse ne jetën e përditshme që vërshon përreth. “Ja pse më pëlqen Rembrandt, – thotë ai, – pasi portretet e tij dinë ta mbërthejnë figurën njerëzore, ta japin të trazuar në thellësitë e tij… kështu është dhe me Goya, apo Tiziano, ndoshta portretisti më i madh, si dhe Velaskez që më pëlqen shumë, apo Corot… “ Dhe vërtet është interesante se në disa portrete grash të ulura, me kostumet e tyre karakteristike, na kujtojnë nga larg punën e piktorit francez Corot që punonte me aq finesë portretin me dritëhijet e tij por dhe detajin e kostumeve. “Nëse në fillim paleta jonë e ngjyrave ishte disi e kufizuar, me ngjyra të kursyera dhe jo shpërthyese, sot ngjyrat janë më të gjalla, më dinamike dhe vibruese…”

Duke parë portretet e ndryshme “si “Lokja”, “Mixha dhe kulla”, “Portret mirditoreje”, “Nusja zadrimore” etj., spikat dëshira e tij për të kapur figura të jetës fshatare, kostumet e mirditoreve, lezhjaneve, veçanërisht femra, portrete të mrekullueshme që nganjëherë (me vajzën me tabaka) na risjellin nga larg në një formë sigurisht më realiste Buzën e madh… Por në portretet e tij spikat ajo që kemi nevojë të shohim në një pikturë, në një portret, ajo që quhet ndjeshmëri, sensibilitet. Ne flasim bashkarisht për këtë dhe ai më kujton Modilianin, tek i cili gjeje një sensibilitet të jashtëzakonshëm e që ndoshta ia jepte përkatësia e tij italiane, ndoshta vetë Boticelli…

Një nga portretet që spikat është padyshim “Mixha dhe kulla” çka të jep dëshirën ti shohësh portretet e tij jo vetëm në atelier dhe sfonde inerte por në sfonde natyrore. Ky portret që mbart peshë historike dhe ku mund të lexosh një histori popullore plot drama, derte, përpjekje e sfida të prototipit shqiptar, duket frymëzues dhe ndoshta shtytës për autorin për të krijuar portrete të tjera ku portreti të ngjizet me natyrën, mjedisin jetësor.

Nga portreti tek peizazhi, një ndalesë, një intermezzo siç mund ta quaj, me ëndjen për tu ndalur me një ndjesi shlodhëse që gjithashtu kërkon mjeshtëri, art, pasi je përballë bukurisë së krijimit natyror : frutave. Nga Raffaello tek Caravaggio, duke vazhduar me mjeshtrat flamandë e spanjollë, për të ardhur më vonë tek francezët, nga Chardin tek Cezanne, fruti në tavolinë, shporta, fruti personazh me ekuivoke erotike çka është e dukshme mirë tek Caravaggio, ka qenë gjithnjë objekt kundrimi e krijimi në atelierët e piktorëve : shega, rrushi, mollët, pjeprat, fiqtë e kumbullat në pjatancë, apo thjeshtë mbi një napë. Sekush ka mënyrën e tij, stilin e tij, frutat e parapëlqyera të tij : tek Nikolini gjejmë shegët e vendlindjes së tij, kumbullat, fiqtë, dhe kjo lloj “nature morte” është e dashur jo vetem për të por dhe për publikun. Kushdo do kishte dëshirë të kishte “fruta” të tilla në muret e tij, që sigurisht nuk mund ti kafshosh…

“Të bëj pikturë, të krijoj, është një nevojë e brëndëshme”, thotë Ivanaj duke përsëritur kështu thënien e gjithkohëshme të artistit, i cili zgjohet, jeton, fle dhe ëndërron me pikturën dhe ku brenda pikturës, në atë paletë ngjyrash ku trazohen jo vetëm ngjyrat por dhe dilemat e tij, vërtitet gjithë jeta dhe dashuritë e tij, fizike e shpirtërore. Ai është gjithnjë në udhë, shtegtim, në kërkim të një portreti, imazhi, për ta bërë të tijën dhe tonën njëkohësisht.

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori