“GDP-ja për vitin 2013, në prodhuesin më të madh të naftës në Afrikë ishte 80.22 trilionë naira, ose 509.9 miliardë dollarë”, deklaroi Zyra e Statistikave në Nigeri. Këto shifra kanë ulur edhe borxhin e Nigerisë në 11 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nga 19 për qind që ishte në vitin 2012. Sipas analistëve, potencialet e Nigerisë janë akoma më të mëdha, pasi pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, sektorë si e-commerce, telefonia e lëvizshme dhe industri të tjera të ngjashme, kontribuojnë me 1.4 për qind në Prodhimin e Përgjithshëm.

Rritja e vëmendjes nga investitorët e huaj, ka detyruar qeverinë në Nigeri ti përllogarisë më saktë statistikat, duke përfshirë edhe GDP-në.


Nigeria, vendi me popullsinë më të madhe në Afrikë me rreth 170 milionë banorë, ka regjistruar rritje të konsiderueshme ekonomike, pasi është kthyer në një destinacion i investimeve të huaja, për shkak të madhësisë së tregut konsumator dhe rritjes së tregut të kapitaleve. Të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, e rendisin Nigerinë si ekonomia e 26 më e madhe në botë, nga e 33 që ishte përpara publikimit të raportit.

Ministri Nigerian i Financave deklaroi për Reuters se miliarda dollarë investime të huaja dhe të brendshme parashikohet gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe 1.5 miliardë dollarë për bujqësinë, që është një sektor shumë pak i zhvilluar. /Telegrafi/