LAJMI I FUNDIT:

Ngritët 100 për qind numri i ankesave të konsumatorëve në MTI, trajtohen vetëm gjysma e tyre

Ngritët 100 për qind numri i ankesave të konsumatorëve në MTI, trajtohen vetëm gjysma e tyre
Foto: Ilustrim

Sfidues mbetet mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, të cilët përballen me pa siguri në ushqim, mashtrim me zbritjet dhe fryrja e çmimeve veçanërisht në pandemi të produkteve bazike dhe farmaceutike.

Vetëm gjatë vitit 2020 ankesat e konsumatorëve në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) janë rritur për 100 për qind, ku gjysma e tyre prej 1 mijë e 17 sosh nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse.


Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Konferencën për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit në Kosovë me temën “Mbrojtja e Konsumatorit gjatë Pandemisë”.

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, Dardan Abazi nga INDEP tha se për fatin tonë të keq ende diskursi politik-bërës dhe institucionet përkatëse lënë mbrapa të drejtat e konsumatorit veçanërisht në kohën e pandemisë.

“Ne çdo ditë po marrim ankesa sa i përket të drejtave të konsumatorëve, që ndërlidhen me zbritjet, me blerjet online, me sigurinë e ushqimit dhe çështje të tjera”, tha ai.

Ndërsa, Helen Leurent përfaqësuese nga Customer International, e cila u inkuadrua nga Zvicra ngriti çështjen e ndotjes nga plastika

“Shqetësimet tona për janë për ndotjen plastike, përdorimi i plastikës një përdorimesh. Të zëvendësohen ato dhe të zvogëlohen ato qese të plastikës. 12 milionë tonë të plastikës përfundon në oqean çdo vit. Bizneset, prodhuesit duhet të jenë të vetëdijshëm për nevojën e konsumatorëve”, tha Leurent.

Udhëheqësi i departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve në MTI, Nijazi Shala tha se kjo ministri është zotuar të përmirësoi pozitën e konsumatorit përmes legjislacionit në fuqi.

Numri i lartë i ankesave, siç tha ai as gjysma nuk janë trajtuar nga institucionet.

“Numri i ankesave nga konsumatorët është ngritë për më shumë se 100 për qind. Numri i tyre është 1017 ankesa përgjatë vitit 2020, si për fryrje të çmimeve farmaceutike dhe atyre bazike, sidomos në pandemi”, tha ai.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi theksoi se në periudhën e fundit kanë qenë vigjilent dhe siç tha ai është rritur volumi i punëve në AUV dhe kontrolleve për produktet ushqimore dhe zbatimin e masave kundër COVID-19.

Thaçi ka përmendur edhe numrin e ankesave të adresuar dhe trajtuar nga AUV.

“Gjatë gjithë kohës kemi pranuar edhe ankesa nga konsumatorët të cilat edhe janë trajtuar me kujdes. E gjitha që është kërkuar nga konsumatorët, që të dërgojnë dëshmi, sepse ne përballemi me gjykatat”, tha Thaçi.

Ai ka kërkuar nga konsumatorët që të raportojnë për çdo parregullsi që hasin ata në produktet ushqimore. /KP/