LAJMI I FUNDIT:

Ngjarjet kryesore që shënuan javën që lamë pas

Ngjarjet kryesore që shënuan javën që lamë pas

Në javën e kaluar në Kosovë janë shënuar disa ngjarje, duke filluar nga protesta e nxënësve dhe prindërve në Kamenicë, shkarkimi i këshilltarit të ministrit të Drejtësisë, dekreti për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku.

Në javën që lamë pas po ashtu për të gjashtën herë ka dështuar miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje ekonomike, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka njoftuar se është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurororët.


Kosovën javën e kaluar e ka vizituar komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi si ministri i Jashtëm i Greqisë.

Protesta e nxënësve dhe prindërve në Kamenicë

Të hënën, më 5 tetor rreth 150 persona përfshirë këtu nxënës dhe prindër kanë protestuar në Kamenicë, kundër reformave në arsim.

Gjatë kësaj proteste për një moment është shkaktuar një tollovi, ku është dashur të ndërhyjë policia.

“Fillimisht u krijua një tollovi por asnjë person nuk është arrestuar. Protesta në përgjithësi ka qenë e qetë. Kanë marrë pjesë rreth 150 persona, dhe protestuesit pastaj janë shpërndarë. Motivi i gjithë kësaj ka qenë dhe vazhdon të jetë për reformat në arsim”, zëdhënësi i policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Shkarkohet nga detyra këshilltari i Selimit, ishte hetuar për posedimin e 113 kg drogë

Të martën, më 6 tetor ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka njoftuar se ka liruar nga detyra e këshilltarit, Enis Qerkën, i cili ishte i arrestuar në vitin 2018 nën dyshimin se ishte kapur me 113 kilogramë narkotikë.

Selimi përmes një postimi në Facebook, vetëm pak kohë pasi e emëroi këshilltar Qerkën, njoftoi se po e liron nga detyra atë pas raportimit të medieve.

“Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, shkruan shkurt Selimi

Thaçi nënshkruan dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni në SHBA

Më 7 tetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dekretin që e ka siguruar Telegrafi, shkruan se Presidenti Thaçi më 2 tetor ka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në SHBA.

Ndërkaq më 24 shtator 2020, Çitaku përmes një letre kishte kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që ta lirojë nga detyra e ambasadores në SHBA.

Ambasada e SHBA-së tërhiqet nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurororët

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka njoftuar se është tërhequr nga monitorimi në zgjedhjet e anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe kryeprokurororët.

Në një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, ambasada thotë se tërheqja nga monitorimi është bërë për shkak se këto procese janë “prishur rrënjësisht”.

“Meqenëse përfshirja e mëtejshme e Ambasadës mund të interpretohet keq si miratim i këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet më tej.

Pas kësaj, zëdhënësja për media pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhivalj ka thënë se edhe BE-ja ka vendosur që të mos monitorojë këtë konkurs deri në kohën kur i tërë procesi të rishikohet.

Dështon për të gjashtën herë miratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike

Më 8 tetor, në seancën e Kuvendit të Kosovës për të gjashtën herë kishte dështuar miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje.

Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që ky Projektligj të miratohet sa më parë, pasi sipas tyre, ka rritje të shpenzimeve të familjeve dhe bizneseve.

Oliver Verhelyi  viziton Kosovën

Më 8 tetor Kosovën e vizitoi komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian.

Oliver Verhelyi pa dashur të flasë për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se këto negociata nuk janë të lehta.

“Nuk dua të deklarohem për këtë sepse kam diskutuar me kryeministrin Hoti dhe gjithashtu me presidentin Vuçiq. Shoh se ka përparim dhe angazhim, gjithashtu shoh se nuk janë të lehta negociatat që duhet t’i bëjnë, por është një momentum që ka filluar të zhvillohet. Z.Lajcak ka investuar shumë dhe gjithashtu partnerët amerikan janë të interesuar në këtë proces, kohët e fundit kemi parë marrëveshjen në Uashington, shumë elemente në Uashington do t’i gjeni gjithashtu në planin tonë ekonomik të investimeve, po shpresoj që mund të ia dalim në një të ardhme jo të largët”, tha ai.

Ndërsa për liberalizimin e vizave, komisioneri i BE-së përsëriti se Kosova i ka përmbushur kushtet por që duhet bindur vendet anëtare, që sipas tij, kjo nuk është e lehtë.

Presidenti Thaçi vizitë në SHBA

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas vizitës në Bruksel, ku kishte takuar ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është nisur për SHBA.

Thaçi shkon në Washington pas tre muajsh, kur ai ishte kthyer ende pa mbërritur atje, për shkak të publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ministri i Jashtëm grek, Dendias viziton Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj–Stublla, ka pritur të premten në takim homologun grek, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar tema të rëndësishme për raportet midis dy vendeve, domosdoshmërinë për forcimin dhe avancimin e tyre, sidomos në sferat e interesit të përbashkët, por edhe çështje politike me ndikim në rajon.

Ministrja Haradinaj tha se e kupton pozicionin e Greqisë ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është një arsye shtesë përse janë të interesuar në zhvillimin dhe avancimin e raporteve ekzistuese.

Ndërkaq, ministri Dendias po ashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë në jetësimin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe në përgjithësi për drejtimin Evropian të Kosovës.

Hoti raportoi në Kuvend

Të premten, më 9 tetor kryeministri i vendit, Avdullah Hoti në raportimin para deputetëve të Kuvendit për punën 100 ditëshe të qeverisë që udhëheq tha se gjatë kësaj periudhe kanë punuar në luftimin e pandemisë COVID-19, rivendosjen e miqësisë me vendet mike, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe marrjen e përgjegjësive për të çuar para procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti më tej tha se qeveria e tij është fokusuar në disa parime kryesore si fuqizimi i lirisë së shprehjes pa qenë të linçuar, avancimin e demokracisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe kthimin e normalitetit dhe sigurisë për qytetarët.

“Kemi rivendosur miqësinë e ndërtuar me dekada, e që ishin dëmtuar”, tha ai.

Aksioni i Policisë para ndërtesës së AKI-së

Një aksion i Policisë së Kosovës është zhvilluar të premten para ndërtesës së AKI-së.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se në veturën e personit të dyshuar afër Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është gjetur një granatë dore.

“Rreth orës 08:40 min, të gjitha njësitet relevante policore kanë përfunduar vendshiqimin dhe rruga është liruar për qarkullim. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në veturën e personit të dyshuar mashkull kosovar (E. B. 1993), është gjetur dhe konfiskuar një granat dore. Po ashtu vetura e dyshuar është konfiskuar nga Policia”, tha Policia.

Arrestohet kryetari i Istogut, Haki Rugova

Po të premten, në orët e pasdites është arrestuar kryetari i Istogut, Haki Rugova.

Përveç Rugovës, Policia ka arrestuar edhe disa zyrtarë tjerë të Komunës së Istogut. Të njëjtit janë ndaluar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe falsifikimit të dokumentit.

Hoti pezullon vendimin për refuzimin e leje qëndrimit të Tienmu Ma

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pezulluar vendimin për refuzimin e kërkesës së lejes së qëndrimit të përkohshëm për Tienmu Ma që ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku kryeministri Hoti thotë se pezullimi vlen deri në një hetim të plotë nga institucioni i Avokatit të Popullit, transmeton Telegrafi.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bazuar në fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, ka marrë vendim për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve A. Nr. 555/2020 me nr. prot A. nr. 1571/2020, të datës 01.10.2020, sipas kërkesës nga Avokati i Popullit.

Testi i Maturës

Për rreth 8300 nxënës që e kanë paraqitur testin e Maturës Shtetërore 2020 për afatin e dytë, kanë mbajtur të shtunën testin e Maturës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka bërë të gjitha përgatitjet që edhe afati i dytë i këtij testi, i cili këtë vit po mbahet në kushte të pandemisë COVID-19, të shkojë sipas planifikimit.

Hoti: Pritet rritje e numrit të infektimeve, do të ketë shtrëngim të masave

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se në javët e ardhshme mund të ketë një rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë dhe si rezultat i kësaj pritet edhe shtrëngimi i masave.

“Rreziku nga një valë re e Covid-19 në Kosovë është shumë i madh. Në dy javët e fundit, numri i të prekurve ka qenë në rënie, me rreth 30 raste aktive për çdo 100 mijë banorë. Por, parashikimet janë se ky numër shpejt mund të kalojë shifrën prej 50, dhe atëherë sipas protokolleve duhet shtrënguar masat, siç po ndodh në shumicën e vendeve të BE-së”, tha Hoti.

“Brenda javës së fundit është shtuar me 30% numri i hospitalizimeve. Në anën tjetër, nxënësit që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 si përqindje e numrit të nxënësve të testuar është i lartë, që është rrezik serioz i përhapjes së virusit. Prandaj, të gjithë duhet të kemi mirëkuptim për shtrëngimin e masave në javët në vijim, që përfshijnë ndërprerje të tubimeve të mbyllura, kufizime të çdo aktiviteti ku mblidhen qytetarë, kontroll rigoroz i shkollave për përmbushje të masave për mbrojtjen nga covid-19 dhe masa të tjera”, theksoi Hoti. /Telegrafi/