Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një intervistë për i24 ka thënë se ndien se është në një "mision historik dhe shpirtëror" dhe se është "shumë" i lidhur me vizionin e Izraelit të Madh, që përfshin territore të parashikuara për një shtet të ardhshëm palestinez, dhe ndoshta edhe zona që sot janë pjesë e Jordanisë dhe Egjiptit.

Gazetari Sharon Gal, i cili për një kohë të shkurtër ishte deputet i krahut të djathtë në Knesset, i dhuroi Netanyahut atë që e quan një amuletë me "hartën e Tokës së Premtuar".


Ai u tall duke thënë se nuk dëshiron të "përfshihet më tej" në çështjen gjyqësore kundër kryeministrit, që lidhet me dyshimet për marrjen e bizhuterive dhe mallrave të tjera luksoze nga disa biznesmenë për të dhe bashkëshorten e tij, Sara.

Kur u pyet nëse ndien lidhje me "këtë vizion" të Izraelit të Madh, Netanyahu u përgjigj "shumë", raporton timesofisrael.

Termi "Izraeli i Madh" u përdor pas Luftës Gjashtëditore në qershor të vitit 1967 për të përshkruar Izraelin dhe territoret që ai sapo kishte pushtuar – Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Gadishullin e Sinait dhe Lartësitë Golan.

Ky term është përdorur edhe nga disa sionistë të hershëm, përfshirë Ze’ev Jabotinsky-n, pararendës i partisë Likud të Netanyahut, për t’iu referuar Izraelit të sotëm, Gazës dhe Bregut Perëndimor, si dhe Jordanisë së sotme.

Pyetja e Galit për Izraelin e Madh erdhi pasi e pyeti kryeministrin nëse ndjen se është në një mision në emër të popullit hebre.

Netanyahu u përgjigj se është "në një mision të brezave - ka breza hebrenjsh që kanë ëndërruar të vijnë këtu dhe breza që do të vijnë pas nesh. Pra, nëse më pyesni nëse ndiej një ndjenjë misioni, historik dhe shpirtëror, përgjigjja është po". /Telegrafi/