Liverpooli po përjeton momentin më të vështirë në më shumë se një dekadë, pas katër humbjeve radhazi, një ecuri që nuk ishte parë që nga viti 2014, kur ekipi drejtohej nga Brendan Rodgers.

Trajneri i ri, Arne Slot, po përballet me sfidën më të madhe që nga marrja e drejtimit të skuadrës, me presionin që po rritet ndjeshëm pas një fillimi premtues të sezonit.


Pas pesë fitoreve të para që e panë Liverpoolin në krye të tabelës, forma ka rënë ndjeshëm. Skuadra tani ndodhet në vendin e katërt, me Manchester Cityn dhe Arsenalin që kanë kaluar përpara, ndërsa humbja në Anfield ndaj Manchester United vetëm sa ka thelluar krizën.

Ndryshe nga fillimi i sezonit, kur skuadra bënte gola të vonshëm që shpëtonin rezultatin, tashmë ato momente vendimtare mungojnë.

Mungesa e një identiteti të qartë në lojë është bërë evidente. Pavarësisht përforcimeve në afatin kalimtar, mesfusha vazhdon të mos ofrojë stabilitet, ndërsa mbrojtja ka treguar pasiguri të theksuara.

Slot ende nuk ka arritur të gjejë ekuilibrin e nevojshëm, duke lënë shumë hapësira për kundërshtarët dhe duke humbur kontrollin në fazat kyçe të ndeshjeve.

Një tjetër problem është varësia nga disa lojtarë, si Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, ndërkohë që mungon një kontribut i balancuar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Nëse këta lojtarë nuk janë në formën më të mirë, e gjithë skuadra ndikon negativisht. Kjo e bën Liverpoolin më të parashikueshëm dhe më të lehtë për t’u neutralizuar.

Me dy ndeshje të vështira përpara, në Ligën e Kampionëve ndaj Eintracht Frankfurt dhe më pas kundër Brentford në Ligën Premier, javët në vijim pritet të jenë vendimtare.

Arne Slot duhet të reagojë shpejt për të rikthyer besimin, qartësinë taktike dhe moralin e skuadrës, përndryshe rrezikon që sezoni të dalë jashtë kontrollit shumë herët. /Telegrafi/

telegrafi sport app