LAJMI I FUNDIT:

Nga kultivimi i fasules mbanë familjen

Nga kultivimi i fasules mbanë familjen

Kultivimi i perimeve në vendin tonë po tregohet mjaft produktiv dhe shumë i dobishëm për fermerët pasi që nga kultivimi i tyre po gjenerojnë të hyra për familjet e tyre. Në mesin e kulturave, të cilat po kultivohen në sipërfaqe më të mëdha viteve të fundit është edhe fasulja, e cila ka përdorim të gjerë në vend. E kultivuesit e këtyre perimeve, tashmë janë duke pritur ende përkrahjen e Qeverisë së Kosovës prej 300 euro për hektarë të kultivuar me perime.

Hazir Musaj, nga fshati Lebush i Komunës së Deçanit, kultivimin e fasules e ka traditë familjare deri sa para dy viteve ka filluar të kultivoj edhe për treg. Ai tregon se është i kënaqur me kultivimin e kësaj perime e cila ka përdorim të gjerë në ushqim. Ky fermer tregon se nga viti në vit ka synim më i rrit sipërfaqet kultivuese.


“Fasulen kam filluar ta kultivojë shumë herët kryesisht në shtaga, por para dy vitesh kam filluar të kultivojë fasule në sipërfaqe më të mëdha. Aktualisht kam 2.30 hektarë me fasule”, tha Musaj duke treguar se fasulen tash e kultivon me sistemin me tela.

Fermeri Hazir Musaj, thotë se këtë vit kanë pasur probleme të mëdha me kushtet klimatike. “Rendimentet e fasules varen shumë prej kushteve klimatike, këtë vit lagështia na ka bërë shumë dëme në rendimente, pasi në fazën e pjekjes së fasules ka pasur të reshura”, thekson Musaj.

Ai tregon se ka llogari të kultivohet fasulja, e po ashtu duhet mund e punë. “Vitin e kaluar e kam shitur të gjithë fasulen në shtëpi, kanë qenë katër tonë, çmimin e kam shitur 2.50 euro për kilogram. Edhe ketë vit ashtu janë rendimentet sikur vjet”, thotë fermeri Hazir Musaj nga fshati Lebush i Komunës së Deçanit. Ky fermerë tregon se janë duke pritur përkrahjen nga Qeveria e Kosovës në shumë prej 300 euro për hektarë.

Fermeri Musaj tregon se ka plane për rritjen e sipërfaqeve por fermerëve të cilët kultivojnë perime i duhet përkrahje më e madhe nga Qeveria apo organizatat ndërkombëtare që përkrahin zhvillimin e bujqësisë.

Sipas statistikave në Kosovë me fasule brenda vitit kultivohen mbi178 hektarë kurse rendimentet brenda vitit shkojnë në mbi 250 tonë brenda vitit.
Ndërsa me fasule e cila kultivohet së bashku me misër, janë mbi 2800 hektarë me një rendiment prej mbi 3500 tonëve brenda vitit./FermaIme/Telegrafi/