LAJMI I FUNDIT:

Nga 6.4 milionë në 120 mijë euro, forma e re sjell zvogëlim të shumës për rimbursim të kuponëve fiskalë

Nga 6.4 milionë në 120 mijë euro, forma e re sjell zvogëlim të shumës për rimbursim të kuponëve fiskalë

Ndryshimi i Formës së rimbursimit nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për qytetarët që mbledhin kuponë fiskalë ka bërë që të bie ndjeshëm numri i kuponëve të dorëzuar.

Derisa në periudhën janar-shkurt-mars, ishin rimbursuar 6.4 milionë euro, shuma e rimbursimeve për periudhën prill-maj-qershor 2017 është vetëm 120 mijë e 249 euro.


Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi – Sefa ka thënë gjatë një prononcimi për Telegrafin se për tremujorin e parë të këtij viti kanë përfunduar të gjitha verifikimet e plikove me përjashtim të disa verifikimeve që duhet të bëhen.

Ajo ka bërë të ditur se numri i qytetarëve të rimbursuar për TM1 2017 është 342,677, ndërsa shuma e rimbursuar për këtë periudhë është 6.4 milionë euro.

“Duke pas parasysh se ka qenë periudha e parë pas ndërrimit të formës së rimbursimit, lirisht mund të themi se interesimi ka qenë i kënaqshëm, për TM2 2017 kanë aplikuar 136,462 qytetarëve. Që nëse e krahasojmë me periudhën e parë kur ka filluar kampanja kemi diku 4-5 herë më shumë aplikime. Interesimi besoj që do të shkon duke u rritur pasi që forma e re është shumë më praktike se ajo paraprake, pasi që qytetaret nuk kanë nevoja për të shpenzuar për dorëzimin e plikos, gjithashtu mundësi e përfitimit është shumë më e madhe”, ka thënë Bytyqi – Sefa.

Ajo ka bërë të ditur se për periudhën prill-maj qershor, janë verifikuar dhe janë përcjell për rimbursim të gjitha plikot e dorëzuara.

“Numri i pikove të cilat janë dorëzuar në ATK është 1,379, ndërsa numri i qytetarëve të cilët janë rimbursuar është 1,357. Vlera e rimbursuar është 120, 249 euro”, tha zëdhënësja e ATK-së.

Kampanja për nxitje të qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskalë, do të jetë aktuale për një kohë sa konsiderohet e nevojshme, por që sipas Valentina Bytyqit, ATK-ja do të punojë për përshtatshmërinë e kampanjës për qytetarët, në mënyrë që nxitja të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq Adea Salihu e cila në vazhdimësi kishte aplikuar për rimburism me kuponë fiskale ka thënë se me formën e re të ATK-së për rimbursim nuk do të aplikojë më.

“Me formën e vjetër të rimbursimit ka qenë më mire, me këtë formën e re kam aplikuar një herë dhe më nuk do të aplikojë pasi që forma siç është aktualisht më shumë është lotari”, tha Salihu. /Telegrafi/