LAJMI I FUNDIT:

Nexhmije Pagarusha: Kënga popullore shqiptare jo vetëm që po dëmtohet, por nuk njihet ma

Nexhmije Pagarusha: Kënga popullore shqiptare jo vetëm që po dëmtohet, por nuk njihet ma

Ajo quhet ndryshe edhe Primadona e Melosit Popullor, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Ema Sumak shqiptare, Madam Baterflay, zëri i kristaltë. Mjafton të shqiptosh një nga këto epitete dhe sinonimi i tyre është vetëm një yll, Nexhmije Pagarusha. Në intervistën e mëposhtme, ka zbuluar jetën dhe rrugën e saj si artiste, por edhe historitë e brengat që ka përjetuar nga ndarja e kufirit dhe diktatura komuniste…

Keni ardhur ju në vitet e diktaturës për koncerte dhe spektakle në Shqipëri?

– Kam ardhur dhe me shumë dëshirë, sepse ne ju kemi dashur shumë. Unë ju kam dashur shumë, por dhe ju më keni dashur shumë, edhe kur s’kemi mund me iu pa, edhe kur s’na kanë lejuar të takohemi, dashuria ka qenë. Po duhet një kohë e gjatë me fol për ato vite…

Më thatë se duhet një kohë e gjatë për të folur për vitet e diktaturës. Ju kuptoj drejt, le ta nisin me kujtimet e para. Si e kujtoni konkretisht ardhjen tuaj të parë në Shqipëri para viteve ‘90?

– Ëndërroja të vija në Shqipëri dhe po rrija me shpresën se mos po më dërgon dikush nga Kosova, por nuk u bë. Ishte një ëndërr që unë e dëshiroja shumë, por… të bëhej ky udhëtim i atyre kolegëve të mi dhe imi kemi pritur shumë vjet. Ëndrra e të gjithë neve ka qenë të shkojmë në shtetin amë. Kam pasur emocione të mëdha, kue erdha herën e parë.

Për ç’vite bëhet fjalë?

– Kjo ka qenë në vitin 1973, kur ka ardhur në Kosovë një grup artistësh nga Shqipëria; kur kanë ardhur në Kosovë Sandër Prosi, Edi Luarasi dhe drejtori i filmit shqiptar. Edhe unë atë ditë kam qenë e lumtur për këtë takim. Ka qenë dita e pranverës. Unë u kam pas kënduar këngën e “Bozhureve”, një këngë që e pëlqenim shumë ne atje. Atje në hotel, ku i pritëm, ua kam pas kënduar këtë këngë.

E keni fjalën për këngën “Kur çelin bozhuret“…, “Bozhur në fushë, bozhur në mal” të kompozuar nga Limos Dizdari?

– Po. Një këngë shumë e bukur. Dhe pastaj nisa të këndoja një këngë hebreje “Hava Nagila”, sepse e pëlqenin shumë në atë kohë të gjithë atë këngë… Me pa dikë prej Shqipërie në atë kohë, “çmendeshim”. Ndërkohë vjen dhe dikush tjetër, dhe unë po kujtoja se ai ishte artist, por jo. “Pse s’po shkon në Shqipëri dhe ti Nexhmije”, më thotë. “Unë shumë dua me shku, por kush po më çon”, i them. “Po a do me shku?”. “Kush, unë, si nuk po dua më shku?!”. “Nama dorën”, thotë ai dhe ma zgjat. Ma jep dorën sepse unë të bëj të shkosh”. “Po”, i them dhe i jap dorën. “Unë dua e para të shkoj”. Kjo ishte biseda dhe mësova se ai kishte kenë ambasadori i Shqipërisë në Beograd.

Pasi më premtoi tha se ke me shku me shokun Zef që jetonte në Durrës. Zefi ka pas qenë një shok i babës, që prej 30 vitesh ishte i vendosur në Durrës. Dhe u nisëm me frikë një fije. Erdhëm, e mezi e gjetëm Tiranën, se kurrgja nuk njifshim. E gjetëm edhe Hotel “Dajtin”. Aty ramë me fjet, e të nesërmen u çuam e thirrëm kamerierin se doja të rregulloja lekët shqiptarë për me pasë me vete e me ble ndonjë gjë prej Shqipërie.

Vjen të na takojë një femër, ishte e gjatë sa unë, me flokë kaçurrela, që punonte udhëheqëse e gruas në Komitet të Partisë dhe në radio. “Si paske ardhur dhe ne nuk e dime”, më thanë. “Pse?”, u thashë, “çfarë ka pse ne erdhëm?” “Por ishte mirë me na tregu se ne donin të bënim gatitjet me ju prit”, na tha ajo. Dhe unë i them: “Ne nuk kemi ardhur këtu për ftesë, s’kemi ardhur zyrtarisht, erdhëm për dëshirën tonë. Dhe po do ta bësh një gjë, unë kam ardhur thjesht për dy ditë. A po do me na lanë 15 ditë”, i thamë.

Dhe çfarë ndodhi pas këtij takimi?

– Po pastaj kaluam shumë mirë, plus që bëra edhe koncertin. Salla ishte plot dhe kam kënduar dy këngë të mira që kurrë në jetë s’kam me harru se sa mirë shkuan e sa mirë u pritën.

Më kujtohet “Kënga e Rexhës”. Se unë e këndoj këngën e Rexhës pa ritëm. E kam recituar si artiste teatri. Shpesh kur kthehesha nga publiku e këndoja vargjet “Çou Rexho, çou djalo”, publiku ka qarë”. Pastaj këndova këngën “Bukuroshe” që e këndonin në Tiranë të gjithë. Pastaj na kanë çuar edhe nëpër fabrika. Ato ditë më mbeten në mendje.

E ndjeje që të donin në Shqipëri?

– Po dukej gjithandej që shumë më donin dhe këndonin këngët e mia.

Gjatë këtyre ditëve me cilët artistë u takove?

– Ah sa vështirë ishte me taku artistët e me qëndru me ta. Takova David Tukiçin, Avni Mulën, Vaçe Zelën…

A keni qëndruar gjatë bashkë, keni provuar që të këndoni në kohë të lirë së bashku, çfarë keni biseduar?

– Jo, kush të linte. Kryesorja që më ka mbetur në mend është se ambasadorin shqiptar në Beograd e kanë heq prej punës: “Pse nuk na tregove që dërgove këta në Shqipëri?”, i thanë. Por, nga ana tjetër na kanë bërë një pritje fantastike në fabrika. Por, që të takoheshe gjatë më artistët nuk na lanë.

Po kur erdhën artistët me Vaçe Zelën aty pas viteve ‘70 në Kosovë, ishit më të lirë për t’i takuar?

– Ardhjet shkonin edhe për këtej edhe andej, por këta artistë nuk guxofshin me ndejt me ne kur vinin këtej, sikur edhe ne nuk guxonim të flisnin shumë kur vinin këtu. Më kujtohet që kur kam ardhur herën tjetër në Shqipëri, kur vdiq Hysni Kapo (1979), u thashë atyre që na shoqëronin: “S’po shoh asnjë koleg timin këtu, dhe ta dini se kurrë më s’kam me ardh”. “Jo ti do të vish”, më thanë sa herë. “A duhet me u ruajt mes vetit, pse të mos lejohemi të flasim me njëri-tjetrin?”, u thashë.

Dhe, si thashë kështu më thirrën brenda dhe më takuan me Avni Mulën e të tjerë. Erdhën të gjithë artistët që kishin caktuar. E kemi kaluar një natë të bukur deri në orën 12.00.

Në botën shqiptare ne kemi pasur dy ikona të këngës, juve në Kosovë dhe Vaçe Zelën në Tiranë. Kur e keni takuar për herë të fundit?

– Vaçe Zelën e kam takuar herën e fundit në Zvicër, kur ka qenë e sëmurë. Por, edhe atëherë shumë e bukur m’u ka dukur. Ajo e donte Kosovën, sepse ka kërkuar me ardh nga Kosova trupi me arkivolin e saj për homazhet në Shqipëri.

Si e keni nisur ju vetë karrierën si këngëtare?

– Nuk e di si ta them. Këngën ma ka dhënë Zoti si dhunti. Më së pari hyra në shkollë të lartë për operë në shkollë të muzikës në Beograd dhe atje kam pasur paraqitjen e parë para publikut. Mirëpo, e lashë shkollën pas dy vitesh, sepse të këndoja për kanto nuk më pëlqente ajo frymëmarrja e thellë. Më pengonte. Unë kisha mënyrën time të të kënduarit, atë që më kishte falur natyra. Këtë zë të gjithë ma pëlqenin, edhe pse ishte një zë i impostuar. Dhe, u ktheva në shtëpi, pa mbaruar shkollën. Por, për mua mentori i parë ka qenë babai im dhe shumë artistë që më kanë ndihmuar e mbështetur, si Skënder Gjinali, i ndjeri Ismet Mula, Lorenc Antoni etj. Ata punuan shumë me të gjithë ata që kanë kryer Akademinë e Muzikës në Beograd dhe i zhvilluan talentet. Prej punës së tyre unë edhe ariet operistike të Betovenit, të Puçiinit, të Verdit i kam kënduar.

Duke kujtuar “Bareshën” e kënduar nga ju që është bërë hit, mund të më jepni një opinion: kënga popullore që kemi trashëguar po vijon të lëvrohet duke u bërë më moderne apo po dëmtohet nga riinterpretimet më të fundit?

– Jo vetëm që po damtohet, por ma nuk njihet. Unë gjithmonë kam thënë dhe kam thënë të vërtetën se nuk e kam popullarizuar këngën unë në botë, por ajo më ka popullarizuar mua; se kënga është më e mira, nëse është ajo e vërteta. Ajo shkrihet gjithkund. Kënga popullore shihet kur është origjinale. Unë në kohën e komunizmit këndoja edhe në Beograd, dhe krejt Jugosllavia e pëlqente këngën popullore. Më këngën kam udhëtuar shumë dhe me këngën kam folur me gjuhën e popullit tim. Kënga popullore shqipe është vërtet e bukur. Populli ynë ka një kulturë të lashtë. Ata kompozitorë pa emër kanë krijuar dhe i kanë dhënë emër këngës. Shumë na e lakmojnë këngën tonë. Është një këngë plot shpirt. Të rinjtë le ta këndojnë, por t’i japin shpirtin e popullit ku ka burimin kënga. /Dhurata Hamzai/Shqiptarja/