Netanyahu pranon "mosmarrëveshje taktike" me Trump për Iranin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka pranuar se ekzistojnë “mosmarrëveshje taktike” me presidentin amerikan, Donald Trump, ndonëse sipas tij të dy liderët ndajnë të njëjtin qëndrim për çështjet kryesore lidhur me Iranin.
Duke folur për mediat amerikane, Netanyahu iu referua edhe raportimeve për një telefonatë të fundit me Trump, i cili kishte deklaruar për New York Post se e kishte quajtur atë “të çmendur”. Megjithatë, Netanyahu theksoi se bashkëpunimi mes tyre mbetet i ngushtë.
Sipas tij, të dy palët janë të pajtueshme në objektivat strategjike, por mund të kenë dallime në qasje dhe mënyra veprimi.
Në një intervistë për CNBC, Netanyahu deklaroi se “lufta në Iran nuk ka përfunduar”, por shtoi se Teherani është dobësuar ndjeshëm. Ai tha gjithashtu se forcat izraelite dhe amerikane mbeten të gatshme për veprim të mundshëm, nëse do të jetë e nevojshme.
Megjithatë, kryeministri izraelit theksoi se çdo vendim për përshkallëzim ushtarak do t’i lihet presidentit amerikan. Ai shtoi se komunikimi mes tyre është i rregullt, duke pohuar se dy liderët flasin çdo dy ditë.
Netanyahu nënvizoi gjithashtu se, pavarësisht presionit në rritje ndaj Iranit, ende nuk është arritur një marrëveshje për heqjen e materialit bërthamor nga vendi.
Deklaratat vijnë pak pasi Trump kishte pohuar më herët se Irani tashmë ka “pranuar se nuk do të ketë armë bërthamore”. /Telegrafi/

































