Netanyahu: Britania mund të quhet “Republika e parë Islamike me armë bërthamore”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shkaktuar reagime me disa deklarata provokuese ndaj Britanisë së Madhe gjatë një interviste në studio, ku foli për zhvillimet demografike dhe politike në Evropë.
Në një ton më të relaksuar, ai bëri një koment sarkastik për shoqërinë britanike, duke thënë se Britania mund të quhet “Republika Islamike e Britanisë”.
“Dikush ka thënë se republika e parë islamike me armë bërthamore do të jetë Republika Islamike e Britanisë”, tha ai, duke iu referuar në mënyrë indirekte edhe arsenalit bërthamor britanik.
Megjithatë, deklaratat për Britaninë shërbyen si hyrje për mesazhin kryesor të Netanyahut, i cili ishte i drejtuar ndaj Iranit.
Duke iu referuar me sarkazëm arsenaleve bërthamore të Britanisë dhe Iranit, kryeministri izraelit tha “ne kujdesemi që të mos ketë edhe një tjetër, e dini, në Iran”.
Deklaratat e kryeministrit izraelit mund të shkaktojnë reagime diplomatike në Londër, veçanërisht për shkak të natyrës së tyre provokuese ndaj një prej aleatëve të Izraelit në Evropë.
Netanyahu ka qenë vazhdimisht i ashpër ndaj Iranit, të cilin Izraeli e konsideron një nga kërcënimet kryesore për sigurinë e tij. Komentet e fundit vijnë në një periudhë tensionesh të larta në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit. /Telegrafi/










































