Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, kërcënoi se Varshava mund të rishqyrtojë pagesën vjetore prej 50 milionë dollarësh për rrjetin Starlink të Elon Muskut, për shkak të kufizimeve të reja të roamingut që në fund të këtij muaji do të prekin përdoruesit polakë.

“Elon, ndalo së diskriminuari përdoruesit polakë të Starlinkut, përndryshe mund të rishqyrtojmë pagesën prej 50 milionë dollarësh në vit për shërbimet e tua”, shkroi Sikorski në X.


Zemërimi i ministrit të Jashtëm erdhi pas vendimit të Starlinkut për ta përjashtuar Poloninë nga zona e përbashkët evropiane e roamingut, e cila përfshin më shumë se 30 shtete, ndër to Gjermaninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Lituaninë.

Përdoruesit brenda kësaj zone mund t’i transportojnë terminalet e tyre përtej kufijve pa aktivizuar kufizimet për përdorimin ndërkombëtar. Megjithatë, përdoruesit polakë tani do të përballen me kufizime shtesë gjatë udhëtimeve.

Edhe ministri polak për Çështjet Digjitale, Krzysztof Gawkowski, e kritikoi Muskun, duke akuzuar kompaninë mëmë të Starlinkut, SpaceX, se po i trajton polakët si përdorues të dorës së dytë dhe duke kërkuar shpjegime për bazën rregullatore të këtij ndryshimi.

“Polonia nuk është treg i dorës së dytë. Përdoruesit polakë nuk janë përdorues të dorës së dytë”, shkroi Gawkowski në X.

Rregullat e reja zbatohen për përdoruesit e rinj që janë regjistruar në Starlink nga 14 korriku 2026, ndërsa nga 17 gushti do të zbatohen edhe për përdoruesit ekzistues polakë.

Kjo nuk është hera e parë që Sikorski dhe Musk përplasen për çështjen e Starlinkut. Vitin e kaluar, Musk i tha ministrit polak që të “heshtë”, pasi Sikorski paralajmëroi se Varshava mund të kërkonte ofrues alternativë të shërbimeve satelitore që Polonia financon për Ukrainën. /Telegrafi/