LAJMI I FUNDIT:

Konjufca: Kuvendi do të duhej ta rrëzonte demarkacionin nesër

Konjufca: Kuvendi do të duhej ta rrëzonte demarkacionin nesër

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të hidhet në votim Demarkacioni me Malin e Zi, do të mbahet gjatë ditës së nesërme në orën 11:00.

Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur sot.


Këtë e ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca. Konjufca ka thënë se VV vazhdon të jetë kundër.

“Në këtë mbledhje erdhi propozimi qeverisë për ratifikimin e demarkacionit, fatkeqësisht ky propozim kaloi. VV e kundërshton krejtësisht këtë marrëveshje me të cilën cenohet integriteti territorial i Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndër të tjera Konjufca ka theksuar se të gjeturat e komisionit shtetëror janë të sakta, duke thënë se raporti shtetëror do të duhej të rrëzohej nesër në seancën plenare.

“Kjo është kërkesë e kryeministrit, i cili ka të drejtë të bëj një gjë të tillë. Nesër do të kërkohet ratifikimi i marrëveshjes që kërkon minimumi 80 vota.  Vetëvendosje e kundërshton ardhjen e marrëveshjes në kuvend, ne konsiderojmë se të gjeturat e komisionit shtetëror janë të sakta, që na kanë bërë të ditur se kemi të bëjmë me gabime themelore. Ky raport shtetëror do të duhej të rrëzohej nesër në seancën plenare”, tha ai.

Ndërkaq shefi i GP-së të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se e rikonfirmuan qëndrimin e tyre pro Demarkacionit.

“E rikonfirmuam sërish qëndrimin tonë për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, do ta votojmë nesër në seancë këtë marrëveshje”, ka thënë Krasniqi, duke theksuar se shpreson që votimi të kryhet nesër.

Kurse shefi i GP-së të AAK-së, Ahmet Isufi theksoi se u vendos që të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit.

“Votat do të shihen nesër në Kuvendin e Kosovës, dhe besoj që do të kalojë si marrëveshje që i korrigjon gabimet e bëra nga komisioni Meha”, ka thënë Isufi, duke thënë se si AAK do ta votojnë këtë marrëveshje./Telegrafi/