LAJMI I FUNDIT:

Nesër në Kuvend votohet buxheti për vitin 2017, s’ka prishje të koalicionit

Nesër në Kuvend votohet buxheti për vitin 2017, s’ka prishje të koalicionit

Kuvendi i Kosovës në seancën e nesërme plenare do të shqyrtojë projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëherësh edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani.


Osmani ka thënë se kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit, që nesër në rend dite të jetë edhe buxheti për vitin 2017.

“Kryesia ka paraparë që nesër të jetë në Kuvend dhe shpresoj që deputetët të jenë vëmendshëm dhe ti paraqesin pikëpamjet e tyre lidhur me kërkesat e ndryshme buxhetore”, ka thënë Osmani.

Mosmarrëveshjet rreth buxhetit mund ta ‘prishin’ koalicionin
Lexo po ashtu Mosmarrëveshjet rreth buxhetit mund ta ‘prishin’ koalicionin

Ai ka theksuar se është e natyrshme që buxheti të votohet në lexim të parë.

“Pas leximit të parë duhet të bëhet harmonizimi i kërkesave të parashtruara, dhe nuk ndodh mos me kalua në lexim të parë, nuk njihet që nuk është votuar buxheti të paktën në leximin e parë”, u shpreh Osmani.

Deputeti i LDK-së, më tej shoti se buxheti duhet të aprovohet para festave të fundvitit, dhe se shpreson që një gjë e tillë të arrihet nesër.

“Duke marrë parasysh që viti 2017 është vit elektoral për zgjedhjet lokale ka kërkesa të shumta , deri më tash janë diku mbi 50 kërkesa të agjencioneve të pavarura të komunave, institucioneve qeveritare dhe të shohim se çfarë mund të inkoperohet në ndryshim të ligjit dhe pastaj të procedojmë menjëherë me leximin e dytë në mënyrë që para festave ta kemi buxhetin e aprovuar”, tha Osmani për Telegrafin.

I pyetur rreth mospajtimeve që kanë pasur me Partinë Demokratike të Kosovës sa i përket ndarjes së linjave buxhetore, Naser Osmani tha se “nuk kemi pasur mosmarrëveshje me askënd vetëm kërkesa tjera shtesë”.

Ndërkaq edhe pse më parë është thënë se mosmarrëveshjet rreth buxhetit mund të bëhen shkas që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme një gjë e tillë siq duket nuk do të ndodhë, duke pasur parasysh se tashmë siq duket janë harmonizuar kërkesat të cilat i kishte PDK-ja.

Partia Demokratike e Kosovës fillimisht nuk ishte pajtuar me projekt buxhetin e vitit 2017, për shkak të, siç tha, ndarjes në mënyrë jo proporcionale në komunat dhe ministritë që udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro, kurse pjesa më e madhe do të gjenerohet nga të hyrat fiskale.
Prej 2 miliardë eurosh të planifikuara, rreth 730 milionë euro do të shkojnë në investime kapitale, apo për ndërtimin e rrugëve./Telegrafi/