LAJMI I FUNDIT:

Nëse s’i marrin pagat deri të hënën, minatorët paralajmërojnë grevë – praktikantët padi ndaj Trepçës

Nëse s’i marrin pagat deri të hënën, minatorët paralajmërojnë grevë – praktikantët padi ndaj Trepçës

Minatorët e kompanisë “Trepça” po kërkojnë nga drejtoria që deri të hënën të marrin pjesën e mbetur të pagave, ose kanë paralajmëruar që të futen në grevë. Derisa 120 praktikantë që punuan në ndërmarrjen Trepça do të parashtrojnë padi ndaj ndërmarrjes për mos pagesë për tre muaj.

Në letër është çdo gjë e qartë, por jo edhe në praktikë. 120 praktikantë që kishin punuar për 6 muaj në ndërmarrjen “Trepça”, nuk i kanë marrë pagat e as shujtat që u parapanë me konkurs.


Dy muaj pas përfundimit të praktikës në këtë ndërmarrje, ata po synojnë që përmes rrugëve ligjore të kërkojnë të drejtat e tyre.

Ish-praktikantët pritet që të dorëzojnë padi në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Ish-praktikanti Arsim Musa ka bërë të ditur se para këtij hapi kishin takuar menaxhmentin, por që nuk u arrit ndonjë rezultat.

“I kemi marr pagat për muajin shkurt, mars e prill,  po na kanë mbetur borxh për tre muajt e tjerë dhe kemi qenë në takim të udhëheqësit por asgjë deri tash, ne jemi duke i mbledhur të holla nga kolegët praktikant dhe do të bëjmë një padi kundër Trepçës për shkelje të të drejtave tona, ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë vetëm të drejtën tonë”, ka theksuar për RTV Dukagjinin Arsim Musa- ish-praktikant në Trepçë.

Musa, tutje thotë se shumica nga ta kanë lëshuar e mëhershme më shpresë se do të punësoheshin në Trepçë, por që në konkursin e fundit nuk u pranuan, ani pse sipas tij, shumica kaluan testin. Një shpresë të tillë e kishte edhe Eset Deliu.

“Kam prit mu punësua edhe kom prit pasi që e kamë edhe shkollën për të punuar në minierë, prej 2011 kam apliku për punë aty por asnjëherë, tash edhe pagesat e praktikës nuk na I kanë dhënë”, ka deklaruar Eset Deliu- ish-praktikant në Trepçë.

Përpos praktikantëve, ndërmarrja “Trepça” për muajin shtator u ka mbetur borxh minatorëve më shumë se gjysmën e pagës bazë. Nëse pjesa tjetër e pagës nuk ekzekutohet deri të hënën, minatorët paralajmërojnë futjen në grevë.

Ibrahim Jonuzi është kryetar i sindikatës së punëtorëve.

“Jemi dakorduar që deri ditën e hënë të vazhdohet puna, por në rast se nuk kryhen obligimet, minatorët kanë informuar menaxhmentin se do të futen në grevë. Kanë paralajmëruar edhe futjen në minierë, atje ta realizojnë grevën”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, tha se obligimet do të kryhen në fillim të javës së ardhshme.