LAJMI I FUNDIT:

Nëntë prodhues nënshkruajnë “premtimin e sigurisë” në garën për vaksinën ndaj COVID-19

Nëntë prodhues nënshkruajnë “premtimin e sigurisë” në garën për vaksinën ndaj COVID-19

Nëntë prodhues të vaksinave thonë se kanë nënshkruar një zotim të përbashkët për të mbështetur “standardet e larta etike”, duke sugjeruar se ata nuk do të kërkojnë miratimin e parakohshëm të qeverisë për çdo vaksinë për COVID-19 që ata të zhvillojnë.

“Ne, kompanitë e nënshkruara të biofarmaceutikës, duam të bëjmë të qartë angazhimin tonë të vazhdueshëm për zhvillimin dhe testimin e vaksinave të mundshme për COVID-19 në përputhje me standardet e larta etike dhe parimet e shëndosha shkencore”, thuhet në zotimin e lëshuar të martën, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.


Kompanitë që nënshkruan premtimin përfshijnë AstraZeneca, BioNTech, Moderna, Pfizer, Novavax, Sanofi, GlaxoSmithKline, Johnson & Johnson dhe Merck.

Një deklaratë e tillë, sipas CNN vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht për një afat të shpejtë të vaksinave – madje duke iu referuar Ditës së Zgjedhjeve në Nëntor.

Më 6 gusht, Trump tha se ishte “optimist” që një vaksinë do të ishte gati deri më 3 nëntor.

Kjo ka shkaktuar shqetësime të përhapura se qeveria federale mund të nxitojë një vaksinë në treg përpara se të testohet në mënyrë adekuate.

Dhe në fund të muajit të kaluar, Komisioneri Amerikan i Administrimit të Ushqimit dhe Barnave, Dr. Stephen Hahn tha në një intervistë me Financial Times se agjencia mund të konsideronte autorizimin ose aprovimin e përdorimit emergjent për një vaksinë Covid-19 përpara se të përfundojnë provat kritike të Fazës 3.

Të nëntë kompanitë të martën shkruajnë se zotohen “të paraqesin për miratim ose autorizim të përdorimit emergjent vetëm pasi demonstrojnë siguri dhe efikasitet përmes një studimi klinik të Fazës 3 që është projektuar dhe kryer për të përmbushur kërkesat e autoriteteve rregullatore të ekspertëve si FDA”.

Nëntë prodhuesit e vaksinave thanë se ata do të qëndrojnë me shkencën, në një kohë kur bota po shikon nga shkenca – në veçanti për një vaksinë – për të ndihmuar të na çojë në fund të pandemisë. /Telegrafi/