LAJMI I FUNDIT:

Në Vushtrri fillon ushtrimi për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë

Në Vushtrri fillon ushtrimi për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë

Në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë ka filluar ushtrimi fushor i organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Agjensionin për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe me ndërmjetësimin e partnerit implementues, Kryqit të Kuq të Kosovës.

Ky ushtrim që për qëllim ka përshpejtimin dhe përgatitjen e autoriteteve lokale e qendrore për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, po zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit përmes reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe përfshirje gjinore”.

Në ketë ngjarje po marrin pjesë pjesëtarë të shërbimit të zjarrfikësve, zyrtarë të emergjencave nga Komuna e Vushtrrisë, pjesëtarë të Kryqit të Kuq – dega në Vushtrri, ata të Policisë së Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile, institucioneve arsimore, shërbimeve shëndetësore dhe komuniteteve lokale.

Gjatë kësaj stërvitjeje fushore do të simulohet rënia e zjarrit në një shtëpi dhe nxjerrja e personave nga brenda, tërmeti dhe evakuimi i nxënësve nga objekti shkollor si dhe një aksident trafiku./Telegrafi/