LAJMI I FUNDIT:

Në vitin e ekonomisë, bizneset kërkojnë mbështetje të sektorit prodhues

Në vitin e ekonomisë, bizneset kërkojnë mbështetje të sektorit prodhues

Ky vit është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovë që të jetë vit i ekonomisë. Por në anën tjetër prodhuesit vendorë dhe ekspertët e ekonomisë kanë deklaruar në vazhdimësi se ekonomia është lënë pas dore, nga institucionet për shkak të dominimit të temave të mëdha politike në vend.

Këtë vit ata shpresojnë që qeveria të fokusohet në sektorin prodhues, i cili ka kapacitete për të rritur numrin e të punësuarve por edhe për të gjeneruar zhvillim ekonomik.


Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, e cila merret me prodhimin e lëngjeve dhe pijeve energjike, tha për Telegrafin se duhet të përkrahen më shumë kompanitë të cilat merren me prodhim eksport të prodhimeve të tyre që eksportohen në tregjet ndërkombëtare.

“Konsideroj që është një lajm i mirë për ekonominë e Kosovës. Ajo që duhet fokusuar është për zhvillim të ekonomisë të jetë përkrahja e kompanive eksportuese. Ndoshta do të ishte në radhë të parë të subvencionohen kompanitë të cilat eksportojnë, prej mundësive, minimumi që mund të bëjë Qeveria e Kosovës është lirimi nga tatimi në fitim për pjesën e vlerës së eksportuar, apo formave të tjera të stimulimit të eksportit, por dhe përkrahja e vazhdueshme për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre”, tha Palushi.

Ai kërkon që të krijohen kushte më të mira për investime edhe për kompanitë vendore.

“Krijimi i kushteve më të mira për investitorët potencial dhe mendoj që nuk do të thotë që gjithmonë të flitet për investitorë të jashtëm, mirëpo duhet të ketë një fokus edhe tek kompanitë vendore, të cilat mund të janë po ashtu investitorë në Kosovë dhe këtu konsideroj që duhet merren shembuj edhe të vendeve në rajon që të stimulohet në një formë apo tjetër kompanitë që investojnë”, tha për Telegrafin, ndërmarrësi Shaqir Palushi.

Kurse pronari i kompanisë “Pestova”, nga Vushtrria që merret më kultivimin dhe përpunimin e patates, Bedri Kasumi, në një prononcim për Telegrafin shpreson se viti 2019 të jetë vit i ekonomisë.

“Po shihet që ekonomia është baza e shtetit. Se çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për ne është që ta lidh një nyje ndërmjet prodhuesit dhe supermarketeve, konsumatorit, institucioneve, pra të gjithë të veprojnë së bashku që produktet vendore, prodhimet tona, ta kenë vendin e duhur apo në një far mënyre të rregullohet me ligj se sa duhet të jetë prezenca, siç është rasti në Bosnje dhe Hercegovinë prej 51 për qind të janë produkte vendore”, tha Kasumi.

Ai kërkoi që prezenca e produkteve vendore në markete të obligohet me ligj.

“Të rregullohet me ligj, në një far mënyre të jetë obligative, gjithmonë përgjegjësia më e madhe bie që ne të kemi kualitet dhe çmim”, tha ai.

Kasumi shtoi se edhe pse janë bërë mjaftë reforma fiskale, sipas tij, duhet të punohet edhe më shumë në këtë drejtim.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Laberioni”, Bashkim Osmani, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, tha për Telegrafin se duhet të largohet akciza që aplikohet në këtë industri.

“Ne kërkojmë që të largohet akciza e lëngjeve që është nga viti 2006 dhe jemi të vetmit në rajon që e paguajmë si akcizë të brendshme, për çdo litër që shitet në territor të Kosovës e paguajmë këtë akcizë, kjo akcizë prej 4.5 centë është më shumë se që ne fitojmë, kjo është njëra prej arsyeve”, tha Osmani.

Ai porosit që t’i kushtohet më shumë rëndësi prodhuesit vendor.

“Interesi i jonë dhe të gjithë ekonomisë kosovare është që ta kemi një intensitet më të madh të zhvillimit ekonomik, sidomos me theks të veçantë për prodhuesin vendor, t’i kushtohet më shumë rëndësi që të ecim drejt standardeve të Bashkimit Evropian, si me cilësi dhe sasi”, tha biznesmeni Bashkim Osmani. /Telegrafi/