LAJMI I FUNDIT:

Në vilën e diktatorit rumun e poezia ime për poetin ukrainas, Dmytro Shystiak

Në vilën e diktatorit rumun e poezia ime për poetin ukrainas, Dmytro Shystiak

Nga: Visar Zhiti

– Do të shkojmë në vilën e Çausheskut.


– Të diktatorit?

– Po.

– Po ai s’është më?

– S’dihet …

Kështu po dëgjoja të flitej përreth meje. Më shumë se kërshëri, po ndjeja mërzitjen e parakohshme, herë njërën më shumë dhe herë tjetrën, pastaj të dyja bashkë goditshëm. Sikur nuk ka vende më të mira, po mendoja, apo aty mund të na shfaqet fantazma e tij, ndjellëse për poetët, sidomos për ne që lëvrojmë dhe prozën, i thashë vetes. Ishte mbrëmja e tretë a e katërt, njëlloj ishin bërë të këndshme si banketet më pas të festivalit botëror të poezisë në Craiova.

Erdhi Radu me veturën e tij në hotel për të na marrë mua me Edën dhe Luanin. Me kostum dhe kravatë si përherë, edhe pse intelektual, drejtor, përkthyes etj., po bënte shoferin për ne, me një natyrshmëri magjepsëse. Kaluam qendrën me pallatet klasike, njoha teatrin “Marin Soresku”, edhe atë vetë e kisha njohur, dhe shumë shpejt arritëm. Kaq afër? Edhe në këmbë mund ta kishim bërë. E kisha menduar vilë misterioze në rrethinë te kodrat, nëse kishte a ka pas ndonjë pyll buzë liqenit.

Vila m’u duk e rëndomtë, dy kate, por e gjerë, madje pak si tepër si magazinat e ushtrisë, e rrethuar me mur dhe kangjella, portë e madhe hekuri, aty futeshin jo vetëm veturat, por edhe autobusi … i poetëve. Kishte blerim, por vende-vende zbehte si me qëllim. Një si lapidar me një citat të Presidentit francez De Gaulle përsipër. Nëpër shkallë kishte thyerje si në pallatet tona në Tiranë të realizmit socialist. Pas xhameve brenda po shtrohej darka. Muret si të lënë pas dore, përveç atij në ballë, me piktura të vogla në qeramikë.

– Janë të reja? – pyeta Luanin.

Ai në Bukuresht jeton.

– Jo, janë të asaj kohe. E vetmja vlerë kë i ka mbetur…

– Vila e Enverit në Tiranë, në “Bllok” është më e mirëmbajtur … ashtu si dhe Enveri vetë … – thashë. Dhe s’desha të bëja asnjë foto me celular siç nuk i bëra dhe jashtë ngrehinës.

Ishte përbuzja ime kështu. Rumania ka plot vende të mrekullueshme për poezinë që janë dhe vete poezi. Pse na sollën këtu apo për dënim? Brenda sundonte një si e verdhëllemtë e sëmurë, mbase prej ndriçimit allasoj, por galerinë dhe ngjyrat e tjera i solli autobusi me poetët, që sapo mbërritën, me bisedat e tyre shumëgjuhëshe, veshjet, sidomos të grave që ndryshonin bashkë me pamjen nga paraditja.

U futën në grupe. Rrëmujshëm vetëshërbehej nëpër tryezat e mëdha të rrumbullakëta. Ca dolën dhe jashtë si për më freskët, edhe andej kishte tryeza. Si fillim ne u bashkuam me poetin turk, Ataol Behramoglu, dhe të shoqen e tij, Hülya, po vazhdonim bisedat që s’i kishim mbaruar te parku i madh, te shtatorja e Emineskut. Po tregonim për burgjet tona, ish-të burgosurat e vërteta janë gratë tona, tha Ataol dhe plasi e qeshura.

Eda qeshi e para, ashtu kumbueshëm. Kur u bashkuam me grupin e italianëve, poeti amerikan, i kudogjendur, me aparatin e tij fotografik tytëgjatë si armë, na merrte një nga një pas murit për një foto tjetër, duke na rregulluar me duar si t’i mbanim kryet. Fliste zëlart ashtu siç lexonte dhe poezitë. M’u ndërmend se në një qytet në Veri të Italisë, në një takim poetik në një hotel termal, na thanë se ajo tryezë e drunjtë, e madhe dhe e rëndë, me gdhendje të errësirta, rreth së cilës po rrinim, kishte qenë e diktatorit fashist, Mussolini-t. Aq më mirë, kisha thirrur, po e pushtojmë me poezi.

Kjo po ndodhte dhe me vilën e Causeshkut. Poetët nisën të lexojnë poezitë e tyre pa ndonjë rend të caktuar, dilte para të tjerëve cilido që dëshironte, madje dhe me pjatën ndër duar a gotën e verës, po të donte. Tani duhet të ishte radha e poetit nga Ukraina, Dmytro Chystiak, i thashë Edës pranë. Por sonte s’kishte radhë, as disiplinë, çfarë disipline thua? Ndërsa ai s’kishte ardhur fare. Lufta në vendin e tij, jo se e kishte penguar, por nuk donte t’i shmangej. Tani po bënte luftëtarin. Ndërkaq po lexoheshin poezi në gjuhët që s’i kuptonim.

– Ndonjëherë është më mirë burgu, – thashë. Poeti turk qeshi me të madhe. Edhe Luani.

– Mos fol kështu…, – më tërhoqi vërejtjen Eda si zakonisht.

Një gjë e zezë pas xhamave në kopsht ngjasonte me çizmen e Stalinit në erë a ishte ndonjë shpend i zi, i çuditshëm. Ka ardhur ai këtu? Ta ketë lënë njërën nga çizmet? Se si u mufat … si fytyra e Putinit … m’u bë si një bombë ovale që avitej përreth e do të plaste… Mos, o Zot! Kishte kat të nëndheshëm këtu.

Ajo dera atje mos të çonte në ferr? Aty të jetë kufoma e Usheskut të vrarë? Doli guximshëm të recitojë poeti i pushkatuar shqiptar Trifon Xhagjika, Në ballë kishte një vrimë plumbi. Që aty i rridhte poezia. Na mahniti të gjithëve. Është nata e poezisë shqipe, se kush mërmëriti pranë meje. E poetëve të pushkatuar. “Më jepni një top t’i bie Komitetit Qendror të partisë, sistemit tuaj”, bërtiti Trifon Xhagjika.

Në mur u shfaqën të kapur dorë për dore Vilson Blloshmi me Genc Lekën. Bashkë i kanë pushkatuar? Po, po … Rrëkera gjaku rrëshqisnin si gjarpërinj të kuq. Duartrokitje të stuhishme. Prezantuesja e bukur si vetë Rumania thirri emrin tim, do të recitoja unë, më prezantoi anglisht. Por, s’jam i pushkatuar, thashë me turp. Po, po, edhe ti je, por nuk e di … Poeti nga Ukraina, Dmytro Chystiak, s’erdhi dot nga shkaku i luftës, thirra duke u nëpërmendur. Ai do të lexonte pas meje … – Kam një poezi për të, – u ktheva rrëmbimthi nga poetja italiane, Laura Garavaglia. Aha, me flokët e saj të verdhëllemta ta lyejmë murin, që ta shpëtojmë, mendova për një cast.

– Lexoje! – më tha ajo menjëherë. – Është vetëm shqip… Luani e ka përkthyer rumanisht, por s’e marrë për sonte … S’na lanë bombardimet … – Cosa? Çfarë? – E përkthejmë bashkë italisht, tani, anglisht, – këmbëngula. Ajo e kishte mik Dmytro-n më shumë sesa unë. Prej saj e kisha njohur në festivalin e Como-s, kur ishim bashkë me Edën dhe poetin nga Kosova, Jeton Kelmendi, sapo kishte mbaruar lufta e tyre. Po ato janë luftërat tona, janë për Europën, më shkruante Dymtro.

Sikur ngjanin me njeri-tjetrin, ukrainasi me kosovarin, të dy të rinj…

– Cominciamo, – tha poetja italiane. Fillojmë.

– Ku e ke poezinë?

Nxora nja dy fletë të palosura, kisha shkruar me dorë, nga pas tyre ishin të printuara poezitë në shqip dhe rumanisht që kisha menduar se do të lexoja.

Ajo hapi celularin, e gatshme të përkthente. Nëpër tryeza përreth pinin verë apo birrë, poetët lëvrinin sa andej këndej, dilnin në kopshtin nator, futeshin, pa u trembur nga fantazma diktatorësh. Erdhi dhe një këngëtar opere. E filloi me një si “O sole mio”. Ne u shtymë më në qoshe si për më qetësi. I thashë rreshtin e parë me italishten time të burgut dhe ajo e shkroi. Rreshti tjetër. Shkon më mirë kështu, tha. Ti e di, italishtja është jotja. Pyeta Edën për një fjalë që nuk po gjeja.

Ja, poezia ime e gjithë: “Nuk po mbaroj dot një poezi për Ukrainën” (Poetit Dmytro Chystiak, i ftuar në festival në Rumani, por që s’mundet të vijë nga shkaku i luftës …) Nuk po mbaroj dot një poezi për Ukrainën, por të mbarojë lufta më parë, po lutem, atje po luftojnë, po vriten … Dielli lind pas gërmadhave si një plagë e madhe dhe perëndon te mua si një plagë tjetër e madhe, djeg lëkura ime si lëkura e kohës.

Është një dritare e një poeti të ri, e mbuluar me libra e gjithë, që natën të mos duket drita jashtë dhe pushtuesi të mos e goditë me predha, janë dhe librat e tij aty dhe imi me autograf si në një barrikadë. Ai po shkruan, nuk duhet ta shqetësojnë. Ndërpriteni luftën! – dua të bërtas. – Ai po shkruan! Dhe unë e di cila është poezia e tij tani: t’u sjellë për të ngrënë fëmijëve nëpër bodrume dhe metro, duhen ndihmuar dhe qentë e braktisur, a e di ç’do të thotë të mos lehin qentë e tmerruar, se po buçasin bombat, dhe në gropat që hapen, të fshehim statujat, se edhe ato i vrasin.

Ja, ai plaku me bastun po mban macen e fqinjit dhe qan, vajza e tij po i bie pianos për herë të fundit mes pluhurit në sallonin e shkatërruar. O Zot, dhe pianoja po ngjan si e dalë nga rreshti i tankeve. U çmenda prej ankthit, kam halucinacione, requiemet e vdekjes janë ky shi që bie për të larë baltën dhe gjakun nga një fytyrë e masakruar, është fytyra e qytetit. Po duhet dhe një buzëqeshje patjetër për jetën e shpëtuar, le ta marrë ku të dojë ai poeti i ri, nga e ardhmja që është përtej frontit të luftës, le ta kërkojë bashkë me zjarrfikësit te lagjet e djegura me pemë të djegura e zogj të djegur, tek ajo përralla që s’u dogj e gjithë, t’ia marrin një molle, të kafshuar vetëm një herë, që e mban një dorë e këputur. Dhe poezia e tronditur duhet t’u japë kurajë luftëtarëve dhe lajmin e mirë se të gjithë jemi me ta, se liria e Ukrainës sot është liri e botës.

Poezia, që la pashkruar poeti i ri, – ka fytyrën e tim biri ai, – nuk e vazhdoj dot unë, atij i takon, se ndoshta kështu mbaron dhe lufta. Deri atëherë ma jepni mua diellin e plagës dhe atij plagën e diellit, nuk janë dhe aq njësoj, po rëndësi ka drejtësia dhe në poezi …

– E bukur! – Më tmerron fjala “e bukur”!

Nuk e shpëton dot botën… Nuk e mbaruam dot poezinë. Kishte ardhur autobusi i poetëve. Duhej të iknim. Te porta na numëronte fantazma e Çausheskut. Ata që hipnin në autobus, i mbante shënim fantazma e Enverit, si oficerët në burg. Shofer ishte një i murrëtuar me mustaqe staliniste, a vetë ai. Natë ishte, kur gjërat nuk janë aq te qarta. Unë me Edën dhe Luanin vendosëm të ktheheshim në këmbë për te hoteli ynë.

Te sheshi i madh shatërvani hidhte përpjetë ylbere uji si një frymëzim. Plot të rinj shëtisnin jashtë, futeshin lokaleve të natës nga ku dhe dilnin, po atje ku dritat llamburitnin më tepër dhe fytyrat tona dukeshin qartë, një çift i kapur dorë për dore, ndali dhe se si na pa. Se si do t’i jemi dukur. Nga po vinim ashtu?

Në trend Kultura

Më shumë
Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Fadil Hoxha e Veli Deva, Enver Hoxhës më 1968: Kujdes me Titon, se po na e vështirësoni punën në Kosovë

Kulture
Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...

Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...

Agron Shala
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
MJESHTËRI

MJESHTËRI

Poezi
NË MUNÇ

NË MUNÇ

Poezi
POPULUS ILLYRICUS

POPULUS ILLYRICUS

Poezi
Kalo në kategori