Në Veternik të Prishtinës zbulohet laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Europol-in ka zhvilluar një operacion të suksesshëm në zbulimin e një laboratori për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, me ç’rast ka arrestuar një të dyshuar.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës, thuhet se Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas veprimeve të ndërmarra në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës, muaj më parë kishte ndërmarrë një operacion të suksesshëm që ka rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të dokumenteve të zbrazëta (blanko) të shteteve të ndryshme dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
“Në muajin janar të këtij viti njësitë e rendit të Policisë së Kosovës në Prishtinë kishte ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari me inicialet F.K., ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Tutje thuhet se “pas hetimeve të mëtejme, në të njëjtën ditë, në një shtëpi të dyshuar në lagjen Veternik të Prishtinës është zbuluar një laborator i pajisur me makina të ndryshme lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës”.
“Hetime intensive nga Policia e Kosovës kanë vazhduar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in”.
Sipas policiës, gjatë këtyre veprimeve, sot më 23.04.2025 është siguruar prezenca dhe është intervistuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet SH.E., si pjesë e grupit.
“I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK-së), është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


























































