LAJMI I FUNDIT:

Në teatrin “Istref Begolli” të Pejës shfaqet premiera e komedisë “Republika e brekëve”

Në teatrin “Istref Begolli” të Pejës shfaqet premiera e komedisë “Republika e brekëve”

Në teatrin e qytetit “Istref Begolli” të Pejës, më 24 nëntor shfaqet premiera e komedisë “Republika e brekëve”, në regjinë e Jeton Ahmetajt dhe të asistentëve të regjisë, Flormend Shabaj dhe Agon Bala.

Në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, regjisori Ahmetaj, tha se realizimi i komedisë “Republika e brekëve”, u ka marrë mjaftë kohë dhe se finalizimi i një vepre të tillë nuk ishte aspak e lehtë.


“Deri më tani gjithçka po ecën ashtu sikurse e kemi planifikuar në ditën e parë. Po, realizimi i kësaj komedie na ka marrë mjaftë kohë, gjë që është shumë normale për një vepër të nivelit të tillë”, tha regjisori Ahmetaj, duke e veçuar lartë punën dhe përkushtimin e aktorëve dhe atë të stafit teknik të teatrit “Istref Begolli” të Pejës.

“Duke e pasur parasysh se kam punuar me një ekip profesionistësh, aktorë të mrekullueshëm dhe një staf teknik shumë të mirë, nuk i kam ndier aspak sfidat e ndërtimit të një vepre teatrale, çfarë është kjo që e kemi realizuar në Pejë”, tha regjisori Ahmetaj, duke premtuar kështu se puna dhe bashkëpunimi me aktorët e teatrit të Pejës nuk do të ndalet asnjëherë, sepse siç tha ai, teatri “Istref Begolli”, ka aktorë të vërtetë të skenës.

Në komedinë “Republika e brekëve” luajnë aktorët: Flormend Shabaj, Fitore Broqi, Agon Bala, Herodita Ramshaj, Fisnik Sykaj, Luan Daci, Shpresa Salihaj dhe aktor mysafir, Veton Osmani.